Nga OEMVP thonë se shumica e masave ekonomike të Qeverisë për bizneset dhe ekonominë, janë joadekuate. Nga LOE thonë se nuk pajtohen me këto masa dhe distancohen nga to duke mbetur njëherësh në kërkesat e tyre
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 prill – Përkrahje financiare për sektorin privat për pagesën e pagave prej 14.500 denarë, shkurtimi i pagave të funksionarëve të emëruar në nivelin e pagës minimale,ndalimi i ligjit për përmbarim etj. Këto kanë një pjesë e pakos së dytë qeveritare kushtuar krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo nga odat ekonomike thonë se shteti nevojitet të bëjë më shumë për të ndihmuar biznesin. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se shumica e masave ekonomike të Qeverisë për bizneset dhe ekonominë, janë joadekuate. Në favor të ruajtjes së vendeve të punës, OEMVP, propozon që borxhet e shtetit ndaj kompanive private të kthehen me prioritet, pasi që likuiditeti i shumë kompanive vendohet në rrezik në këtë periudhe krize. Kërkohet edhe kthimi i TVSH-së të realizohet me prioritet për prodhuesit dhe për ata që janë të orientuar ndaj eksportit. Si masë për përkrahje kërkohet që prodhimet të cilat ekzekutivi i konsideron si esenciale për jetën e qytetarit që vijnë nga importi të kenë zero kosto të doganës, pasi që çmimi hyrës i të njëjtave është rritur, ndërsa kompanitë kanë kufizim të rritjes së çmimeve.
Nga OEMVP thonë se subvencionimi i pagës së punëtorëve duhet të jetë në vlerë minimale mesatare prej 20,000 denarë neto, ndërsa bizneseve duhet t’ju mundësohet kamatat nga bankat komerciale me vlerë prej 0-0.30 për qind, që duhet të mbulohet nga ana e shtetit.
Njëherësh kërkohet edhe aplikimi i masave në mënyrë të përshpejtuar si dhe të përkrahen të gjitha kompanitë dhe masat të jenë gjithëpërfshirëse për të gjitha bizneset, për shkak se të gjithë njëlloj janë të goditur nga situata. Kërkohet edhe që subvencionimi i pagave të zgjasë së paku tre muaj. Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se me këtë ndihmë të pjesërishme nuk do të arrihet qëllimi përfundimtar, që është ruajtja e ekonomisë dhe mbajtja e punëtorëve në punë, që vlen sidomos për kompanitë që janë më të vogla dhe më pak të mbrojtura , të cilëve këto goditje do tu shkatërrojnë mundin për vetëpunësim dhe për të mbajtur familjet. Nga kjo odë ekonomike thonë se nuk pajtohen me këto masa dhe distancohen nga to duke mbetur njëherësh në kërkesat e tyre. Nga LOE, kërkojnë që të miratohet përkrahje me 100 për qind për tre muajt e ardhshëm për neto pagat, mbulimi i të gjithë tatimeve dhe kontributeve për të punësuarit në tre muajt e ardhshëm , ndalesë e plotë për kamatat ndëshkuese dhe pagesën e vonuar të obligimeve në gjashtë muajt e ardhshëm si dhe pagesa e bonusit të njëfishtë për të punësuarit që janë më të ngarkuar dhe me rrezik si mjekët, tregtarët dhe të tjerët.
Në ndërkohë ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski në programin “Brifingu i mëngjesit” në “Slobodna Tv”deklaroi se nëse vazhdon kriza edhe në muajt në vijim do të ketë ulje jo vetëm në administratë por edhe në më shumë vende të tjera, për shkak se nevojitet të ndiqet situata, ndërsa kjo çështje i ndërlikon enëve të lidhura. “Në këtë periudhë konsiderojmë që këto masa janë të mjaftueshme për momentin, mirëpo ne me vigjilencë e ndjekim situatën dhe dëshirojmë të dëgjojmë të gjitha propozimet dhe zgjidhjet e mundshme. Njëherësh duhet të kujdesemi për ato që janë më të goditur dhe për atë që çdo familje të mos mbesë pa të ardhura”, shton Mançevski. Ndryshe, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kanë përshëndetur mos uljen e pagave të të punësuarve në sektorin publik dhe privat. (koha.mk)