Shkup, 06 Prill – Gjëja më e rrezikshme është paniku, duhet të jemi vigjilent dhe të koordinuar. Ministria e Financave tashmë realizon takime me të gjitha departamentet ekonomike dhe bëhen simulime dhe skenarë të mundshëm, të cilat në të vërtetë janë pjesë e planifikimit, parashikimit dhe monitorimit pavarësisht situatës…, thotë zëvendësministrja Elezi
Situata e krijuar në vend si dhe masat ekonomike që duhet ndërmarë autoritetet vendore për shkak të pasojave nga virusi Korona (Covid-19) kanë bërë që pikërisht Ministria e financave si bartëse dhe ekzekutuese e buxhetit të shtetit të bëj lëvizje të menjëhershme në sigurimin e fondeve dhe përcaktimin e masave si dhe obligimeve se si do të shpenzohen paratë me qëllim që vendi të mos pësojë ndonjë kolaps ekonomik duke e ditur që Maqedonia e Veriut si një vend në zhvillim e sipër nuk mund të përballojë një ‘katastrofë’ të tillë si pasojë e krizës së virusit. Që nga buxheti dhe likuiditeti i tij, masat ekonomike e financiare, gjendjen në të cilën është shteti dhe shumë problematika tjera kemi biseduar me zëvendës ministren e financave Dr. Shiret Elezi, e cila për gazetën KOHA, i sqaron të njejtat në detaje.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: E fillojmë këtë bisedë me rritjen e Bruto Produktin vendor që gjatë vitit 2019 ishte 3.6% ! mbi projektin e Ministrisë së financave si dhe mbi projektimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, po si qëndron tash?
Elezi: Me rritjen e ekonomisë, krijohen kushte më të mira të jetesës në të gjitha sferat. Para së gjithash, sepse prodhimi ekonomik i vitit të kaluar bazohet gjerësisht dhe është përmirësuar në të gjithë sektorët dhe segmentet. Ndërtimi u rrit me 5.9% në vitin 2019, tregëtia me 4.7%, bujqësia me 3.8% dhe industria me 3.1%. Vëzhguar nga ana e shpenzimeve, gjithashtu ka pasur një rritje të kërkesës së brendshme, me rritje të konsumit privat prej 3.5% në bazë vjetore. Rritja dhe investimet u rritën me 11.5% ose 6.6% në tremujorin e katërt. Pra, ka vlerë të shtuar kudo. Tani sfidë do të jetë të ruajmë rritje të qëndrueshme dhe rifillim të ekonomisë së vendit pas krizës së virusit Korona që përfshiu gjithë botën.Institucionet financiare ndërkombëtare vlerësojnë se rritja e projektuar për vitin 2020 në përgjithësi prej 2,9% tani do të ketë ulje, në faktë recesion në ekonominë globale duke filluar të reduktojnë rritjen ekonomike paraprakisht të përcaktuar, duke e krahasuar ekonominë globale me recesion dhe më të lartë se ajo e vitit 2008.
KOHA: Borxhi publik megjtihatë ngelet një nga sfidat kryesore të Qeverisë dhe Ministrisë së financave e cila poashtu meret edhe me masat e uljes së tij, punësimit, rritjes ekonomike..?
Elezi: Qeveria ka arritur të stabilizojë borxhin publik, të jetë më i ulët se vlera e re e krijuar, pra nën rritjen ekonomike si rezultat i konsolidimit të deficitit buxhetor dhe cpagimi i detyrimeve të vjetra me kamata më të ulëta, duke udhëhequr politikë të kujdeshme me borxhin publikë. Borxhi publik në 2019 ishte 48,9% dhe nëse zvogëlohet për borxhin e jogarantuar, që më herët nuk është llogaritur atëherë borxhi publik është më i ulët se 2016. Është pozitive që rritja e BPK-së realizohet përmes rritjes në të gjitha veprimtaritë ekonomike. Kjo tregon se bazat ekonomike janë të vendosura mirë për të prodhuar rritje në të gjithë sektorët, domethënë në të gjitha segmentet e ekonomisë. Rritja është regjistruar në ndërtim me 5.9%, tregtia, transporti dhe hotelieri me 4.7%, bujqësia me 3.8% dhe industria me 3.1% “. Niveli i punësimit është më i larti ndonjëherë, ndërsa shkalla e papunësisë është më e ulta që nga Anketimi i Forcës së Punës. Vetëm në vitin e fundit, numri i të punësuarve është rritur për 38.600. Popullata aktive u rrit me rreth 6.400 persona vetëm vitin e kaluar. Ajo që është veçanërisht pozitive se midis grupmoshës më të re nga 15-24 vjeç, e cila ka nivelin më të lartë të papunësisë, papunësia ka rënë ndjeshëm me 13.8 pikë përqindje në vit dhe tani qëndron në 35% për këtë grup moshë kurse në përgjithësi papunësia u zvogëlua në 16,6 %. Inkurajuese se politikat që ne po zbatojmë po japin rezultate dhe shkalla e papunësisë po bie. Është rezultat i investimeve në kapitalin njerëzorë, arsimit në planin afatgjatë dhe përmes masave aktive të punësimit në planin afatmesëm. Trendi i mirë i realizimit të buxhetit vazhdon edhe këtë vit, me rritjen e taksave dhe kontributeve prej 8.3% në dy muajt e parë. Morëm konfirmimin e situatës së mirë ekonomike edhe nga Agjencia e kreditit Standard & Poor’s. Unë dëshiroj të ju informoj se ato kanë konfirmuar vlerësimin e vendit tonë me një perspektivë të qëndrueshme.
KOHA: Si qëndron puna me buxhetin e këtij viti, a është stabil dhe a ka nevoja shtesë për shkak të situatës së krijuar momentale jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën?
Elezi: Buxheti ndiqet me vemendje poasqerisht të ardhurat dhe të hyrat tatimore, nëse shikojmë buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, me të vërtetë është i përshtatur mirë që t’i rezistojë nevojave shtesë, pasi tani ekzistonte nevoja për të prokuruar pajisje shtesë mbrojtëse, për të gjitha këto, për momentin nuk ka nevojë të përdoren rezerva për të marrë fonde nga ministritë tjera, sepse Ministria e Shëndetësisë ka një buxhet për të qenë në gjendje t’i përgjigjet edhe kësaj situate, e ndjekim me vëmendje dhe nëse ka nevoje do bëhen ridedikime apostafate për të shtuar mjetet që do duhen në shëndetësi. Jemi në vrojtim të vazhdueshëm të situatës duke përcjellë institucionet ndërkombetare financiare, Bankën Botërore, MMF dhe në bashkëpunim me Bankën Popullore, janë kërkuar mjetet shtesë financiare nga këto institucione që presim të vijnë nga mesi i muajit Prill dhe fillimi i muajit Maj për të ruajtur dhe likuiditetin e buxhetit por dhe për të ndihmuar ekonominë e vendit.
KOHA: A ekziston nevoja për masa shtesë krahas asaj që ka ndërmarë tashmë qeveria?
Elezi: Gjëja më e rrezikshme është paniku, duhet të jemi vigjilent dhe të koordinuar. Ministria e financave tashmë realizon takime me të gjitha departamentet ekonomike dhe bëhen simulime dhe skenarë të mundshëm, të cilat në të vërtetë janë pjesë e planifikimit, parashikimit dhe monitorimit pavarësisht situatës. Për të eleminuar çdo mundësi të përhapjes dhe parandalimit të Covid-19 (virusit corona), Ministria e Financave këshillon palët të kontaktojnë me email në vend që të vijnë personalisht: [email protected] ose numrin e telefonit 02/3255-300, si dhe postat elektronike dhe numrat e telefonit të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së financave. Ne gjithashtu rekomandojmë që të gjitha korrespodencat, kërkesat dhe dokumentet e tjera që mund të dorëzohen dhe dërgohen të pranohen në mënyrë elektronike, për të shmangur përdorimin e letrës (natyrisht nëse dokumenti nuk është i nevojshëm në formë origjinale). Ndërkohë që takimet e nevojshme sektorët do t’i mbajnë përmes lidhjeve dhe konferencave telefonike.
KOHA: Krahas shumë masave të miratuara nga Qeveria, edhe zhbllokimi i llogarive të komunave është vlerësuar si një masë pozitive në këtë drejtim?
Elezi: Para një jave me pezullimin e ligjit per përmbarues u arriten mundësite që të zhblokohet llogaria e të gjithë shfrytëzuesve buxhetor nga niveli qendror dhe lokal (komunat, shkollat, dhe institucione te tjera), këtu mer pjesë dhe zhbllokimi i llogarisë të Komunës së Gostivarit. Për shkak të rrethanave të krijuara si pasojë e përhapjes së koronavirusit, nuk do ketë përmbarime nga llogaritë bankare të komunave: Ligji për përmbarimin pezullohet deri në fund të qershorit dhe në këtë mënyrë ndihmohen, përveç qytetarët, edhe komunat e vendit për realizimin e obligimeve të tyre operative-rrjedhëse që të mund të ndërmarrin të gjitha aktivitete e nevojshme për luftimin e pandemisë së Covid19. Ligji i Përmbarimit pezullohet nga data 1 Prill e deri në mbarim të muajit Qershor. Konform kësaj, agjentët e përmbarimit janë të detyruar të ndërpresin veprimet e zbatimit. Huadhënësit dhe kryerësit e operacioneve të pagesave, po ashtu obligohen të ndalojnë veprimet e tyre, sipas urdhëresave të lëshuara nga agjentët e përmbarimit deri në fund të Qershorit. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur mjetet janë depozituar tek agjentët të përmbarimit si dhe rastet që kanë të bëjnë me alimenatcionet për fëmijët që jetojnë tek prindërit e vetëm.
KOHA: Cilat janë masat për mbështetjen e biznesit në kohen e krizës?
Elezi: Qeveria ka miratuar edhe pakon e dytë të masave ekonomike për lehtësimin e pasojave nga kriza e virusit Korona (Covid19) dhe qëllimi ka qenë që t’i jepet përkrahje ekonomisë që të vazhdojnë të qëndrojnë punëtorët në vendet e tyre të punës, të jetë e qëndrueshme stabiliteti social dhe të ndihmohen qytetarët. Kështu, disa nga masat e miratuara nga Qeveria janë që secilit të punësuar në sektorin privat t’i ndahet nga 14.500 denarë për muajit Prill dhe Maj por me kritere që duhet të plotësohen konformë dekretit që përcakton në detajet disa kushte të cilat duhet të plotësohen. Gjithashtu me nga 14.500 denarë për muajin Prill dhe Maj ndihmohen sportistët dhe artistët, kurse me pagë deri në 50% të pagës mesatare ndihmohen dhe qytetarët të cilët kanë mbetur pa punë shkak i krizës së virusit konform ligjit për marrëdhënie të punës, poashtu është sjell vendim që të gjithë funksionarët shtetërorë dhe të zgjedhur të marim pagë për dy muaj nga 14.500 denarë derisa anëtarët e bordeve dhe komisioneve të mos pranojnë kompenzime. Nga 7 mijë denarë do të ndihmohen familjet të cilët nuk kanë asnjë të punësuar, kreditë shtyhen nga 3 deri në 6 muaj konformë kushteve që do ua përcaktoj banka klientëve të vetë e cila është e obliguar konformë Metodologjisë së re të aprovuar nga Banka Qendrore të komunikoj cdo klient për të ofruar pako lehtësimi, përmes Bankës për zhvillim të RMV ofrohen kredi shumë të volitshme nga 3 mijë deri në 90 mijë euro për ndërmarje të cilat janë prekur nga kriza e virusit Korona në vlerë prej 13,7 milion euro kurse sëshpejti dhe mjete shtesë në vlerë prej 50 milion euro që sigurohen nga Banka Europiane për investime përmes Bankës për zhvillim, është shfuqizuar deri në muajin Qershor Ligji për përmbarim, lirimi nga pagesa e qerasë për shfrytëzuesit e banesave sociale, si dhe një sërë masash të tjera të cilat tashmë janë miratuar. Sigurisht që ndiqet me vëmendje situata dhe sipas nevojës, përsëri do të meren masa të reja nga Qeveria që të ndihmohet dhe më tej sektori i biznesit.
KOHA: Tashmë është bërë e ditur se FMN dhe Banka Botërore por edhe Bankat tjera komerciale kanë miratuar fondet/huatë me të cilat do të ndihmohet vendi jonë?
Elezi: Do t’i shfrytëzojmë fondet e favorshme të FMN dhe të Bankës Botërore si dhe instrumentet e favorshme financiare. Me këto fonde do të mbështesim masat e reja dhe do të ruajmë likuiditetin. Shteti do të marrë hua në vlerë rreth 600 milion euro nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat tjera, me qëllim që sa më shpejtë të sigurojmë mjete financiare për t’u përballur me pasojat nga virusi korona. Nga FMN do të ketë hua në vlerë prej 175,2 milion euro, nga Banka Botërore hua në vlerë prej 100 deri në 120 milion euro si dhe nga bankat komerciale të huaja vlerën prej 400 milion euro. Qeveria kujdeset për shëndetin e qytetarëve si dhe për ekonominë e vendit. Menaxhimi i situatës është shumë e vështirë por kemi marrë masa dhe këto janë në favorin e ekonomisë. Duhet të sigurojmë buxhetin për skenarin më të rrezikshëm. Duhet të mbrojmë çdo vend pune dhe kompani. Duhet të sigurojmë kapital për të paguar pagat dhe borxhet e planifikuara. Në buxhetin e vitit 2020 duhet të bënim emitim të 500 milionë eurobond, kjo ishte parashikuar në gjysmë-vjetorin e dytë por me fillimin e pandemisë për të siguruar likuiditet është e nevojshme të sigurojmë mjetet urgjentisht përmes fondeve ndërkombëtare financiare.
KOHA: Ndërkohë që Ministria e financave tashmë ka miratuar një Urdhëresë ku këstet e kredive nga Shoqëritë financiare dhe kompanitë e huamarrjes do të ulen për së paku 70%?
Elezi: Këstet për kredi nga Shoqëritë financiare dhe huamarrje do të ulen për të paktën 70% në tre muajt e ardhshëm për qytetarët, për të cilët nuk do të lejohen të llogarriten dhe të ngarkohen me shpenzime, provizione dhe kamata ndëshkuese. Këto detyrime do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në këstet e mbetura gjatë pagesës, ose ripagimi mund të zgjatet për të paktën 90 ditë. Kjo rregullohet nga urdhëresat e miratuara për Shoqëritë financiare dhe lizing. Qytetarët do të marrin njoftimin për kushtet e reja përmes faqes së internetit të Shoqërive financiare dhe të qirasë/lizing, sms porosi, postës elektronike, nëse në afat brenda 10 ditëve nuk deklarojnë se e refuzojnë ofertën, ajo mund të konsiderohet si e pranuar. Personat juridikë do të komunikohen individualisht, ose me kërkesë të klientit, gjithashtu në mënyrë elektronike. Marrëveshjet e reja të kredive, nga ana tjetër, mund të miratohen me një periudhë mospagimi 3-mujor me kërkesë të shfrytëzuesit dhe në atë periudhë do të llogaritet vetëm interesi kontraktual. Në të njëjtën kohë, me uljen e normës së interesit të paracaktuar ligjore, vlera totale e kostove të ngarkuara, që deri më tani ka arritur në 51% të shumës totale të kredive, tani është zvogëluar në 31%. Shpenzimet tjera që nuk ishin kufizuar deri më tani, tashmë kufizohen në 30% të kredisë së aprovuar. Me këto ndryshime ulet ndjeshëm barra e ripagesës së kredive, si dhe ulen gjithashtu edhe shpenzimet për servisimin/cpagimin e tyre. Në përgjithësi ndjekim situatën dhe vlerësojmë se me masat që vecmë janë aprovuar nga Qeveria do të zbutet rënia ekonomike dhe do ndihmohet ekonomia vendore, sigurisht që do vazhdohet dhe me masa të reja me qëllim ndihmesës dhe rimëkëmbjes të ekonomisë vendore. Posaqërisht dhe falenderim ndaj gjithë mjekëve dhe personelit mjekësor, policisë dhe armatës që janë në frontin e parë për të luftuar këtë virus që ngadalsoj jetën normale në vend dhe gjetiu. Prandaj, apeloj që qytetarët të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore që sa më shpejt të tejkalojmë këtë krizë sëpari shëndetësore dhe ekonomike.