Ndotja, megjithatë paraqet problem serioz, i cili kërkon qasje multisektorial dhe koordinim të mirë mes institucioneve. Këto dispozita, të cilat janë të rëndësishme në raport, u paraqitën si të parealizuara, gjegjësisht se nuk ka sistem mirë të përpiluar dhe koordinim mes institucioneve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 shkurt – Përpjekjet e institucioneve për tejkalimin e problemit me ndotjen e ajrit duket se nuk i arrijnë efektet e dëshirueshme. Numri rekord i masave megjithatë nuk ulën ndotjen. Në kuadër të kësaj beteje mund të parashtrohet edhe pyetja çka nëse qasja për zgjidhjen e këtij problemi është i gabuar? Nëse nuk hulumtohen industritë se sa ndotin, si mund të veprohet në drejtim të zgjedhjes serioze të problemit me ndotjen? Gjatë periudhës së kaluar, me paraqitjen e raportit evropian, ku për Maqedoninë është vërtetuar se shkaktarët kryesor të ndotjes janë industria dhe amvisëritë, u hap çështja nëse autoritetet kanë plan të mirë të qëndrueshëm për ballafaqimin me ndotjen, shkruan gazeta KOHA.
Ndotja, megjithatë paraqet problem serioz, i cili kërkon qasje multisektorial dhe koordinim të mirë mes institucioneve. Këto dispozita, të cilat janë të rëndësishme në raport, u paraqitën si të parealizuara, gjegjësisht se nuk ka sistem mirë të përpiluar dhe koordinim mes institucioneve.
Sipas raportit për vitin 2017 të Entit Shtetëror për Revizion, është përcaktuar se tek kapacitetet industriale – nuk ka aplikim përkatës të dispozitave ligjore për lejet e nevojshme të integruara, precizitet të pamjaftueshëm të akteve ligjore dhe nënligjore, mungesë të sistemit efikas përkatës dhe se nuk janë respektuar afatet ligjore për realizimin e planeve operative.
“Por me industritë ose pa ato, prej masave të deritanishme që aplikohen, qytetarët kanë vështirësi të vërejnë efektet e uljes së ajrit të ndotur. Edhe pse është theksuar se do të rriten inspektimet gjatë periudhës dimërore, qyteti në dispozicion për t’u ballafaquar me këtë problem ka katër inspektorë të autorizuar për mjedis jetësor, 10 inspektorë komunal dhe 16 mbajtës të rendit komunal. Është e nevojshme rritja e numrit të inspektorëve dhe tashmë është duke u punuar në atë drejtim. Me fillim të vitit të ardhshëm, numri i inspektorëve të autorizuar do të rritet dhe me vet atë kontrolli do të jetë në një nivel më të lartë”, thonë nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit.
Sipas raportit të Qytetit të Shkupit, deponitë në territorin e Qytetit të Shkupit rregullisht kontrollohen për ndezjen e mbeturinave dhe materialeve tjera të palejueshme.
Vendet e zakonshme të cilat i kontrollojnë inspektorët janë deponitë në anën e majtë dhe anën e djathtë të Lumit Vardar – Saraj, liqenin Treska, anën e djathtë të Lumit Treska – Saraj, anën e majtë dhe të djathtë të Lumit Lepenc, Bardovcë, Novo Sellë, Vollkovë dhe Orman, deponia prapa hotelit “Aleksandar Pallas”, deponia mes lagjes Vizbeg dhe Shuto Orizarë, deponia tek stacioni i fundit i autobusit me numër 57, të hapësirës për parkim te varrezat e Butelit, deponia te stacioni i fundit të autobusit me nunër 19, rrugës përreth varrezave Butel, deponia në rrugën për Teferiç, ana e majtë dhe e djathtë e Lumit Vardar tek ura e hekurit në Lisiçe të Epërme.
Sipas të dhënave të raportit të Sektorit Inspektoral, në lidhje me gjendjen e kualitetit të ajrit ambiental, mund të vërehet se ka rritje të urdhëresave mandatore për pagesë, si dhe qytetarët e paralajmëruar për vitin 2018 në krahasim me paralajmërimet për vitin 2017. Për të gjitha këto vende potenciale të ndotjes që i kontrollojnë inspektorët, raporti thekson se ka rritje të urdhëresave mandatore dhe paralajmërimeve. Megjithatë, qytetarët nga inspektimet dhe kontrollet e rritura nuk shohin efekte në lidhje me uljen e ndotjes. Njëkohësisht, disa herë Inspektorati i Qytetit të Shkupit ka bërë kontroll në zonën industriale Momin Potok, rrethina mes Krivi Dollit dhe Zllokuqanit. Gjatë kontrollit të tyre nuk është hasur ndonjë shkelje të rregullativave për ndotje të ajrit. Ndërsa serish organizatat joqeveritare kanë apeluar që të fokusohen fabrikat që më së shumti ndotin.
Në nivelin individual, megjithatë, gjithkush mund të ndihmojë me atë që në vend të makinës, mund të përdorë transportin publik, biçikletë ose makinë elektrike. Por ka edhe hapa tjera më të vogla që secili individualisht mund t’i përdortë për të kontribuar në uljen e ndotjes së ajrit. Sipas ekspertëve për efikasitet energjetik, fikja e dritave kur nuk përdoren dhe blera e pajisjeve dhe dritave efikase energjetike kontribuojnë në uljen e ndotjes. Rekomandimet e njëjta i jep edhe Srgjan Kukolj, këshilltar për shëndet dhe energji për rajonin e Ballkanit nga organizata joqeveritare HEAL. Ai, gjithashtu theksoi se duhet të bëhen qasje planore për shfrytëzimin e efikasitetit energjetik, por edhe duhet të zhvillohet kultura përmes qasjes individuale dhe shfrytëzim të mënyrave alternative me të cilat do të ballafaqohemi me ndotjen e ajrit. Shfrytëzim më i shpeshtë i biçikletave, përdorim më i shpeshtë i transportit publik, ecje më të shpeshta, por edhe përdorimi i pajisjeve që kanë efikasitet energjetik. (koha.mk)