Transit i shpejt i autobusëve është paraparë në Shkupi, gjë që kërkon ngushtimin e korsive. Kjo do ti detyroj qytetarët ti përdorin sa më pak makinat e tyre. Autobusët do të jenë me energji elektrike ose hibride të cilët do të ulin ndotjen e ajrit. Kur do të filloj kjo masë ende nuk dihet
Remzije BILALLI
Shkup, 20 janar – Përpjekja për uljen nga ndotja e ajrit po bëhet në nivel global, ndërkaq çdo ditë e më aktuale po bëhen alternativat ekologjike për transport. Bota ka filluar të njohë nevojën për të zëvendësuar automjetet që përdorin naftë me ato ekologjike. Në këtë drejtim po përpiqen edhe industritë e automobilave, drejt krijimit të automjeteve elektrike, ndërsa qeveritë lokale po përpiqen që në mënyra të ndryshme të përfshijnë këto parime mjediso-ekologjike në transportin publik.
Një qasje e tillë është sistemi i shpejtë i transitit të autobusëve i njohur si ” Bas Rapid Transit”. Ky sistem është përdorur në kryeqytetin indonezian që nga prilli i vitit të kaluar, ndërsa së fundmi kryetari i Shkupit Petre Shilegov njoftoi se një sistem i tillë do të praktikohet edhe në qytetin e Shkupit. Mirëpo sa efekte do të ketë kjo masë? Udhëtarët që përdorin transportin publik në Xhakartë kishin mundësinë që të përdorin dhe të shohin përfitimet e një opsioni të tillë. Në përputhje me vizionin e Guvernatorit Ani Basveden për ta bërë Xhakartën një nga qytetet më të gjelbra në botë sistemi “Transxhakarta bas rapid transit sistem” ishte një nga programet pilot të autobusëve elektrikë në rrugë të caktuara të qytetit. Ndryshe, ky qytet gjithashtu është radhitur në majat e qyteteve më të ndotura në botë.
Problem të ngjashëm ka edhe qyteti i Shkupit, për këtë arsye Qeveria në dhjetor të vitit të kaluar miratoi programin për prezantimin e “Bas rapid transit” (BRT) në territorin e Shkupit si një ndër masat për zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Nga qyteti i Shkupit sqaruan se BRT përfaqëson krijimin e korridoreve të rezervuara ekskluzivisht për autobusë me energji elektrike ose hibrid (autobusë me gaz ose elektrikë). Zbatimi i sistemit do të mundësoj formimin e korseve të trafikut në të dy drejtimet, lindje-perëndim, pra nga Novo Lisçe në Gjorçe Petrov dhe jug-veri nga Kisela Voda deri në Butel tek ish “Tipo”. Linjat do të kryqëzohen në pishinën Olimpike, siç potencuan nga qyteti i Shkupit.
“Ky sistem i njohur ndryshe edhe si autobusi i metrosë, do të lejojë një rrugë që do të ndahet fizikisht nga pjesëmarrësit e tjerë të trafikut, duke siguruar transport shumë më të shpejtë dhe më të sigurt”, shtuan nga qyteti. Nga ana tjetër,organizatat e mjedisit tregojnë se me ngushtimin e korseve, drejtuesit janë të detyruar të përdorin makinat e tyre gjithnjë e më pak, një shembull i tillë është Barcelonë. Autobusët do të jenë me energji elektrike ose hibride, që do të thotë se ekziston mundësi e vërtet për të zvogëluar përdorimin e makinave private. Por ambientalistët theksojnë, se megjithatë, ky opsion duhet të jetë ekonomik dhe me cilësi të lartë për të qenë tërheqës për qytetarët. Mirëpo kur qytetarët do të përdorin këtë transport, nga qyteti i Shkupit thonë se ende nuk e dinë kohën e duhur.
“Meqenëse bëhet fjalë për një mega projekt, për të cilin janë të nevojshme fonde të mëdha, gjë që qyteti i Shkupit nuk mundet që ti mbulojë vetëm, ndërsa periudha e kaluar është punuar për informacione dhe analiza përkatëse për të marrë mbështetje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Sa i përket zbatimit në vetvete është e vështirë të përcaktohet afat kohor sepse përveç qytetit këtu është e përfshirë dhe Qeveria si dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, thonë nga qyteti i Shkupit. Nga qyteti gjithashtu shtuan se të gjitha vendimet dhe marrëveshjet përfundimtare duhet të kalojnë me Ligj të veçantë që do të miratohet nga Parlamenti. “Për shkak të zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen ekziston mundësisë që ky vendim të shtyhet pas formimit të përbërjes së re parlamentare, pra është e vështirë të sigurohen parashikime dhe afate specifike për momentin e zbatimit, thonë nga Qyteti i Shkupit. (koha.mk)