Si rrjedhojë e politikës së skajshme represive ndaj arsimit shqip nga autoritetet e Shkupit, në fillim të vitit shkollor 1987/88, mbi 350 nxënës shqiptarë të përfshirë në pesë shkolla të mesme (Kumanovë, Tetovë dhe Gostivar) e bojkotuan mësimin për shkak se i njëjti zhvillohej në gjuhën maqedonase. Rreth këtyre ngjarjeve, Kryesia e KQ i LKM, fajësonte mësimdhënësit shqiptarë, sipas së cilës: “bojkoti i mësimit në këto shkolla është iniciuar nga pozicioni i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, që në radhë të parë u prijnë arsimtarët të kombësisë shqiptare dhe një pjesë e nxënësve të indoktrinuar, që të orienton në nevojën e një diferencimi më të guximshëm ideo-politik…”
Nga Qerim LITA
Shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera nën Federatën komuniste jugosllave, gjatë viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, krahasuar me vitet e mëparshme të pas Luftës së Dytë Botërore, patën një zhvillim të dukshëm në sferën e arsimit e të kulturës. Burimet arkivore vënë në dukje se deri në vitin 1981, numri i përgjithshëm i nxënësve e studentëve në Kosovë arrinte shifrën prej rreth 450.000, kurse kjo nënkuptonte se çdo i treti banor i Kosovës ishte në shkollim. Në vitin akademik 1980/81 në Universitetin e Prishtinës studionin mbi 48.000 studentë të rregullt dhe me korrespondencë. Edhe zhvillimi i veprimtarisë kulturore e shkencore ishte i shpejtë. Në atë periudhë kohore në Kosovë vepronin gjithsej 18 institucione kulturore-shkencore, në të cilat punonin 1160 studiues shkencor.
Një zhvillim të përshpejtuar, sidomos në sferën e arsimit, asaj kohe përjetoi edhe popullsia shqiptare në RS të Maqedonisë. Dokumentet e kohës bëjnë të ditur se në vitin shkollor 1980/81 në RS të Maqedonisë, veprimtaria edukativo-arsimore në gjuhën shqipe zhvillohej në 287 shkolla fillore, në të cilat gjithsej ishin përfshi 74.503 nxënës dhe 2980 mësimdhënës. Në arsimin e mesëm, për dallim nga viti shkollor 1946/47, ku pati vetëm një paralele të normales me mësim në gjuhën shqipe me gjithsej 19 nxënës, në vitin shkollor 1980/81, paralele në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe u hapën në mbi 20 shkolla të mesme me 8226 nxënës dhe 333 mësimdhënës shqiptarë. Krahas arsimit fillor dhe të mesëm, rezultate të dukshme pati edhe në arsimin e lartë. Nëse në vitin 1950 në Maqedoni pati vetëm 18 studentë shqiptarë, ky numër në vitin 1980 arrin shifrën prej 2365 studentë shqiptarë.
Duhet vënë në dukje se ky zhvillim erdhi menjëherë pas demonstratave shqiptare të vitit 1968 në Kosovë dhe në Tetovë, të cilat e detyruan udhëheqjen jugosllave të ndërmarrë hapa më konkrete e më të përshpejtuara për avancimin e statusit të shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti. Ndërkohë, përderisa demonstratat e vitit 1968 ndikuan pozitivisht në ngritjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve nën Jugosllavi, demonstratat studentore të organizuara gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë dhe nëpër qytete tjera të Kosovës, do të jenë si pretekst që autoritetet komuniste jugosllave të ndërmarrin masa të dhunshme, për, siç thuhej, “shuarjen e kundërrevolucionit në Kosovë”.
Masa të ngjashme si në Kosovë, madje edhe më të ashpra u ndërmorën edhe në Maqedoni, veçmas në sferën e arsimit e të kulturës shqiptare. Sekretari i atëhershëm e KQ të LKM-së, Millan Pançevski, i cili në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur më 21 maj 1981 veç tjerash deklaroi se “ngjarjet në Kosovë kanë ndikim shumë negativ dhe të drejtpërdrejtë ndaj situatës politike edhe në Republikën Socialiste të Maqedonisë” që, sipas tij, “shprehet nëpërmjet prezencës së numrit të madh të studentëve dhe nxënësve të kombësisë shqiptare nga RS e Maqedonisë në Kosovë, pranimit dhe dhënies së pozitave të rëndësishme profesionale e shoqërore personave nga RSM në Kosovë, të cilët kanë qenë të dënuar dhe të kualifikuar si nacionalistë e irredentistë etj…”. Ai, në fjalimin e tij të gjatë, haptazi e shprehu qëndrimin e tij shovinist dhe antishqiptar, i cili kërkoi që organet shtetërore e partiake, në mënyrë të prerë e të rreptë “t’u kundërvihen dukurive të caktuara negative në sistemin arsimor shqiptar”, sipas të cilit, i njëjti “paraqet një ndër qendrat kryesore të nacionalizmit dhe shovinizmit shqiptar” që shprehet në “kërkesat dhe tendencat për krijimin e sistemit të ndarë e paralel arsimor sipas përkatësisë nacionale”, pastaj në “konceptin e programeve, zhvillimin e mësimit, përmbajtja e disa librave të caktuara etj”:
“Prezent janë edhe aso dukuri – thekson Pançevski – që gjatë zhvillimit të mësimit në radhë të parë në fushën e historisë, letërsisë, gjuhës, gjeografisë e ngjashëm nuk i shprehin në përmasa të duhura pikëpamjet marksiste për çështjen nacionale, barazinë, unitetin, proceset e krijimit të shteteve në Ballkan, ndërsa në këtë kontekst nuk janë përfshirë aq sa duhet edhe instruksionet e historisë sonë (jugosllave – Q.L.), veçmas nga LNÇ-ë dhe revolucioni socialist…”.
Rrjedhimisht, Kryesia e KQ të LKM-së, formoi një komision, me detyrë speciale të “shqyrtoj gjendjen dhe problemet e realizimit të veprimtarisë edukativo-arsimore në gjuhën shqipe”, përkatësisht rishqyrtimin e plan-programeve mësimore të shkollave fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe, të librave dhe literaturës shkollore, përmbajtjen e fletushkave për fëmijë, analizën e organizimit të aktiviteteve të lira të nxënësve dhe veprimtarisë publike kulturore etj. Komisioni, pas një pune disa muajsh, hartoi Analizën për gjendjen e përgjithshme të arsimit shqip në RSM-ë, e cila u miratua në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKM-së, mbajtur më 12 janar 1982. Në të përshkruheshin “dukuritë dhe dobësitë”, të cilat siç thuhej “nuk ishin në përputhshmëri me përcaktimet tona (jugosllave – Q.L.) ideopolitike për zhvillimin e edukimit dhe të arsimimit”. Sipas saj, “dobësitë më të mëdha ishin konstatuar” në librat e leximit të gjuhës shqipe nga klasa e V e deri te e VIII, në të cilat, siç thuhet, “dominojnë tekstet e autorëve nga RS e Shqipërisë”, përfshi këtu edhe shkrimtarët bashkëkohorë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Sterjo Spasse, Fatos Arapi, Naum Prifti, Thoma Kaçorri, Fatmir Gjata, Spiro Çomora etj., me çka “krijohet hapësirë e mjaftueshme për indoktrinimin e drejtpërdrejtë të gjeneratës së re dhe me temat, idetë dhe porositë që i ofrojnë, nxisin ndjenja nacionaliste”. Gjithashtu vërejtje serioze pati edhe në lëndën e historisë si në shkollat fillore ashtu edhe të atyre të mesme, ku thuhet se “gjatë përpunimit të përmbajtjes nga historia e kombësisë shqiptare nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme bashkëjetesës dhe luftës së përbashkët të kombit maqedonas dhe të shqiptarëve që kanë jetuar në këtë pjesë të Ballkanit”:
“Glorifikimi – thuhej më tej në Analizë – i tepruar i disa personaliteteve dhe ngjarjeve të historiografisë shqiptare (sundimi i Ali Pashë Tepelenës, veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit, kryengritjet e shqiptarëve të viteve 1909-1912 kundër regjimit xhonturk, nuk është zbardhë dhe përpunuar pjesëmarrja e maqedonasve në luftërat e Skënderbeut, shkrime të tepruara për feudalët shqiptarë, në vend se të potencohet roli i masave popullore etj.)…”.
Ndërkohë, Kuvendi i RS të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, pasi e shqyrtoi Raportin e Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim, solli konkluzione, ku në pikën 5 të tyre thuhej shprehimisht:
“Kuvendi vë në dukje edhe për nevojën e rishqyrtimit të plotë të atyre plan-programeve dhe të librave nga aspekti ideor e edukativ dhe për situatën në historiografi”.
Si shkas i drejtpërdrejt i këtij konkluzioni, ishte debati i zhvilluar në trupat kuvendare të RS të Maqedonisë, lidhur me demonstratat e mbajtura kohë më parë në Kosovë. Lidhur me këtë, Sekretariati për Shkencë dhe Arsim, informonte Kuvendin e RS të Maqedonisë, për gjendjen faktike të historiografisë në përgjithësi në Maqedoni, e të disa punimeve shkencore në veçanti:
“…Analizat që janë kryer në këtë drejtim vënë në dukje për dukuri të caktuara të devijimeve e tendencave nacionaliste. Ata nuk shprehen drejtpërdrejt, por përmes disa formulimeve, heshtjes dhe shtrembërimit të fakteve historike me rëndësi, dy-kuptimit në tekste, shfrytëzimit të njëanshëm të të dhënave e të burimeve tjera etj….”.
Në vazhdim, informata si shembull i merr disa punime shkencore të dy historianëve të njohur shqiptarë të këtyre trevave: Prof. Dr. Masar Kodra dhe Prof. Dr. Shukri Rahimi, që të dy ligjërues pranë Universitetit të Prishtinës:
“Në punimin e tij ‘Revolucioni Xhon-Turk dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare’ (publikuar në Glasnik të IHN-Shkup në vitin 1968) autori Kodra nuk është shumë i qartë kur flet se në punën e Kongresit të Elbasanit (1909) kanë marrë pjesë 35 delegatë nga klubet e Shqipërisë Veriore e Jugore, ‘si dhe nga qytetet e Maqedonisë’. Në punim nuk është përcaktuar saktësisht se cilët janë qytetet, që asocon në të gjitha qytetet në Maqedoni. Nuk i përshtatet të vërtetës as thënia se ngjarjet historike lidhur me Lëvizjen Shqiptare ‘territori i Maqedonisë përbënte arenën e vërtetë në të cilën janë zhvilluar këto ngjarje’. Në tekst nuk është theksuar se për cilin territor të Maqedonisë mendohet, si dhe fakti se qendrat e Lëvizjes Shqiptare kanë qenë në hapësirat e Shqipërisë e të Kosovës. Nëse thënia e këtillë i përket kongresit shqiptar në Dibër (në vitin 1909), atëherë bëhet fjalë për kongres dhe lëvizje të cilët kanë qenë me orientim të tërësishëm pro-turk. Frymë nacionaliste ka edhe thënia e këtij punimi se ‘Lëvizja Kombëtare Shqiptare sukses më të madh ka arritur’ veç tjerash edhe për arsye se ‘pjesa më e madhe e popullit shqiptar ka jetuar në territorin e Maqedonisë’. Këtu sikur bëhet përpjekje të plasohen dy teza të gabuara. Së pari, vatrat e këtyre lëvizjeve të vendosen në Maqedoni dhe atë pa e përcaktuar se në cilët pjesë të saj dhe e së dyti, se pjesa më e madhe e popullit shqiptar jeton në Maqedoni. Njëanshmëria dhe anashkalimi i fakteve historike në këtë punim vërehen edhe në përshkrimin e kryengritjeve të armatosura të shqiptarëve në Shqipërinë Veriore, në Kosovë dhe në krahinat veriperëndimore të RS të Maqedonisë.
Për shkak lëshimeve dhe vërejtjeve serioze të karakterit metodologjik, faktik dhe ideologjik, Instituti i Historisë Nacionale nuk e botoi punimin e Dr. Masar Kodrës me temë: ‘Kombësia Shqiptare në Maqedoni në LNÇ-ë’. Te recensenti, i cili i ka dhënë këto vërejtje, autori dhe Dr. Ali Hadri nga Prishtina kanë insistuar disa herë që të jep mendim pozitiv për dorëshkrimin, madje i është thënë, se nëse vepra nuk botohet në Shkup, ajo do të botohet në Kosovë.
Në punimin e Dr. Shukri Rahimit ‘Themelimi i Komitetit për Shqipëri të lirë në Manastir 1905’ (botuar në Glasnik të IHN-Shkup në vitin 1976), përmbajnë dykuptime të caktuara në formulimet dhe në përdorimin e termeve dhe anashkalimi i disa fakteve esenciale. Kështu p.sh., vihet në dukje se ky Komitet është një organizatë e parë e themeluar në vend, e jo në mërgim, sepse organizata të tilla ekzistonin që moti. Duke e përdor termin “në vend”, autori sqaron se nën atë nënkuptohet Turqia. Mirëpo, këtë term “në vend” e zëvendëson me termin “në Atdhe”. Gjithashtu, është indikative që autori në këtë punim nuk e përmend emrin e Maqedonisë, madje as edhe kur ajo është e domosdoshme dhe e pashmangshme. Përndryshe, në dy vende të punimit përmendet populli maqedonas…”.
Mbështetur mbi këtë informatë, Kuvendi i RS të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më 8 nëntor 1982, solli konkluzione plotësuese, ku veç tjerash në të thuhej:
“Nevojitet që këshillat botuese, kolegjiumet botuese, shoqatat e historianëve, organizatat përkatëse shkencore e të arsimit të lartë të vazhdojnë me pikëpamjet dhe vlerësimet kritike ndaj punimeve shkencore e të librave të botuara nga fusha e historiografisë nga aspekti i dukurive të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe për rezultatet e këtyre shqyrtimeve dhe të masave që do të ndërmerren të njoftohet opinioni publik shoqëror-politik dhe ai shkencor-kulturor. Gjithashtu, me ashpërsimin e kritereve për kritikë e seleksionim shkencor, në të ardhmen të pengohen përpjekjet që në publikimet shkencore e profesionale të botohen punime me përmbajtje nacionaliste e irredentiste…”.
Kulmin e masave antishqiptare, shovinistët maqedonas e arritën kur në fillim të vitit 1982, hoqën nga përdorimi librin e leximit për klasë të V, të autorëve Adnan dhe Kimete Agai, si dhe librat e leximit për klasë të VI, VII dhe të VIII, autori i të cilëve ishte intelektuali i shquar shqiptar, akademiku Ali Aliu. Duhet theksuar, se këto tekste shkollore u tërhoqën nga përdorimi, pasi paraprakisht, Grupit punues prej 13 anëtarëve (kryetari dhe 8 anëtarë ishin shqiptarë), i themeluar më 15 korrik 1981 nga Kuvendi i RS të Maqedonisë, konstatonte si më poshtë:
- Librat e leximit në gjuhën shqipe nga klasa e V deri në të VIII, të cilat përdoren në shkollat fillore të RS të Maqedonisë, kanë kryer funksionin e tyre të caktuar. Duke i vlerësuar vlerat dhe mangësitë e tyre u pa se librat e leximit nuk janë adekuate me qëllimet dhe detyrat e mësimit në gjuhën shqipe sipas Programit të sjellë në vitin 1972.
- Në librat e leximit janë futur tekste të cilat nuk përputhen dhe janë në kundërshtim me përcaktimet marksiste e ideore të edukimit dhe arsimimit të shoqërisë sonë vetëqeverisëse. Me këtë ato tekste kryejnë ndikim negativ ideor në krijimin e personalitetit të ri.
- Në librat e leximit nuk janë përfshi në masë të mjaftueshme LNÇ-ë dhe Revolucioni Socialist, vëllazërimi, bashkimi dhe bashkëjetesa e kombeve e kombësive jugosllave, roli i LKJ-së, ndërtimi socialist vetëqeverisës dhe vlerat tjera të realitetit tonë.
- Kanë munguar kritere më të forta në përzgjedhjen e teksteve dhe vlerësimin e tyre sipas përcaktimeve ideore, përfaqësimi i autorëve, aktualiteti dhe funksioni i saj në edukimin e nxënësve.
Mbështetur në konstatimet e mësipërme, Grupi i propozonte Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim me sa vijon:
- Të hiqen nga përdorimi librat e leximit për klasë të V, VI, VII dhe VIII me mësim në gjuhën shqipe.
- Për sigurimin e nxënësve me libra leximi sipas kërkesave programore dhe konceptit për libra në gjuhën amtare, të ndërmerr menjëherë masa për botimin e tyre.
- Për sigurimin e përkohshëm të nxënësve me libra leximi për vitin 1981/82 propozohen këto variante:
- a) të formohen grup autorësh të cilët do të përgatisin dorëshkrime për përdorim të përkohshëm.
- b) revista për të nxënës “Gëzimi” pranë “Flakës së Vëllazërimit” Shkup, të botojë tekste të përkohshme me program të caktuar të përdorimit”.
Burimet e proviniencës partiake maqedonas, bëjnë të ditur se midis periudhës 1981-1988, në RS të Maqedonisë, në emër të “zbulimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, u ndërmorën një sërë masash tjera kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, disa prej të cilave po i përshkruajmë në vazhdim: kundër 320 mësimdhënësve shqiptarë u ndërmorën masa ideopolitike, ndërsa 150 prej tyre u larguan nga puna; riemërtimin e shkollave shqipe të cilat mbanin emra të figurave të shquara kombëtare shqiptare; tërheqjen nga përdorimi i më se 5.150 librave dhe publikimeve në gjuhën shqipe, përkatësisht 350 tituj nga bibliotekat shkollore; ndërrimi i plan programit mësimor për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe për lëndët: histori, gjuhë dhe letërsi shqipe dhe muzikë; mbyllja paraleleve në gjuhën shqipe nëpër shkollat e mesme profesionale për vitet e treta dhe të katërta gjatë vitit shkollor 1987/88, ndërsa një vit më pas mbyllen tërësisht, përfshi këtu edhe paralelet e gjimnazeve (në përjashtim të një numri simbolik në gjimnazet: Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Dibër) dhe në vend të tyre do të hapen të ashtuquajtura “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase. Një situatë edhe më e palakmuar u krijua në arsimin e lartë, ku nga 2.365 studentë shqiptarë sa kishte në vitin 1980 nëpër fakultetet e ndryshme në Universitetin e Shkupit, ky numër gjatë vitit akademik 1987/88 bie në 1.264. Duhet të kihet parasysh fakti se numri më i madh i tyre studionin në Akademinë Pedagogjike dhe në Katedrën e Albanologjisë.
Si rrjedhojë e politikës së skajshme represive ndaj arsimit shqip nga autoritetet e Shkupit, në fillim të vitit shkollor 1987/88, mbi 350 nxënës shqiptarë të përfshirë në pesë shkolla të mesme (Kumanovë, Tetovë dhe Gostivar) e bojkotuan mësimin për shkak se i njëjti zhvillohej në gjuhën maqedonase. Rreth këtyre ngjarjeve, Kryesia e KQ i LKM, fajësonte mësimdhënësit shqiptarë, sipas së cilës: “bojkoti i mësimit në këto shkolla është iniciuar nga pozicioni i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, që në radhë të parë u prijnë arsimtarët të kombësisë shqiptare dhe një pjesë e nxënësve të indoktrinuar, që të orienton në nevojën e një diferencimi më të guximshëm ideo-politik…”. Mirëpo ndaj këtij vlerësimi ashpër reagoi Kryesia e Komitetit Krahinor e LK të Kosovës, e cila me 2 shkurt të vitit 1988 nëpërmjet një letre i drejtohet Kryesisë së KQ të LKM-së, në të cilën vihej në pah se në arsimimin e mesëm orientues në RS të Maqedonisë “mësimin në gjuhën amtare shqipe e përcjellin vetëm 6.986 nxënës, nga gjithsej 76.533 të përfshirë në arsimin fillor ose më pak se çdo i njëmbëdhjeti, që krahasuar me cilindo nacionalitet në Jugosllavi, paraqet një përfshirje më e ulët në arsimimin e mesëm orientues”.
Më pas në të thuhej se: “në viset e përziera nacionale tash më po implementohet praktika e krijimit të paraleleve të përziera me mësim në gjuhën maqedonase, ku nxënësve të kombësive ju mundësohet mësimi i lëndës së gjuhës amtare, mirëpo ka tendenca që të ndërpritet gjuha shqipe në këtë nivel.”. Një politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve në RS të Maqedonisë, sipas drejtuesve partiak të Kosovës, po zbatohet edhe në arsimin e lartë: “ku në vitin shkollor 1980/81 në RS të Maqedonisë ishin përfshirë 2365 studentë (1175 në Akademinë Pedagogjike dhe 313 në Fakultetin Filologjik në Shkup), në vend të rritjes në përputhje me rritjen e numrit të nxënësve, numri i studentëve ka përjetuar rënie drastike, kështu që gjatë vitit shkollor 1985/86 ky numër ra në 1300.”. Më tej në letër thuhej se hapja e paraleleve të përziera, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, i ka irrituar nxënësit shqiptar, të cilët në shenjë revolte e kanë bojkotuar mësimin, siç është rasti i “66 nxënësve në Kumanovë” dhe “124 në Gostivar”, që autoritetet maqedonase, të njëjtat i “vlerësuan si veprimtari armiqësore nacionaliste dhe separatiste shqiptaro-madhe”.
Masa të tilla do të ndërmerren edhe në fushat tjera, si: ndryshimi i toponimeve të vendbanimeve (me të cilët ndryshime shqiptarët ishin të detyruar t’i përdorin emrat e qyteteve me toponime sllave si p.sh. Shkupit-Skopje, Dibrës-Debar, Kërçovës-Kiçevo, Manastirit-Bitolla etj); rrënimi i mureve të oborreve të shtëpive shqiptare; vendimi për rrënimin e lagjeve të tëra shqiptare, siç ishte rasti me lagjen Dizhon në Shkup, me pretekst se janë lagje të egra; Rezoluta e aprovuar nga Kuvendi Republikan për politikën e krijimit të familjes, me të cilën një familjeje shqiptare ju ndalohej të ketë më shumë se tre fëmijë; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal, me çka prindërve shqiptarë ju ndalohej t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emra që kanë karakter dhe domethënie nacionale shqiptare (Kushtrim, Liridon, Kastriot, Arbëresha, Alban, Albana, Valon, Shkodran etj), etj..
Të gjitha këto akte dhe nënakte ligjore si dhe vendime tjera që u sollën gjatë asaj periudhe kohore për qëllim patën ringjalljen e procesit të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, proces i cili qe ndërprerë pas rënies nga skena politike të ultranacionilistit serb, Aleksandër Rankoviq (në vitin 1966), si dhe ndërprerjen me çdo kusht të shtimit natyrorë, përkatësisht zvogëlimin e natalitetit te popullsia shqiptare. Sipas të dhënave statistikore të papublikuara deri më sot, kuptojmë se brenda periudhës 1981-1986, në Maqedoni shtimi natyrore te shqiptarët arrinte shifrën 47.966 banorë, ose shprehur në përqindje 33.3%, ndërsa te maqedonasit 71.727 banorë ose 49.8%. Në Analizën që Këshilli Ekzekutiv Republikan, në qershor të vitit 1987 ia dorëzoi Kuvendit të RS të Maqedonisë, vihej në dukje se, lëvizja demografike “në dy anët e RS të Maqedonisë, lindje dhe perëndim”, po përjeton ndryshime radikale, ku: “vërehet se në pjesën perëndimore të përfshirjes së grupeve të popullsisë me natalitetet të lartë është e madhe, ndërsa në disa qytete dhe fshatra të caktuara është dominante, duke diktuar natalitet të lartë të popullsisë. Pjesa tjetër, lindja, e banuar kryesisht, me maqedonas, shënon rënie, stagnim apo rritje të vogël me përjashtim të viseve ku pjesëmarrja e turqve dhe romëve është më e rëndësishme, që si pasoj është rritja më e madhe e popullsisë (Shtip dhe Strumicë)”.
“Për lëvizjet demografike në RS të Maqedonisë -theksonte më tej Analiza – variacione të mëdha shënon shkalla e lindjes, sipas së cilës popullsia në Republikë ndahet në perëndim- me shkallë të lartë të natalitetit dhe në lindje – me shkallë të përmbajtur të natalitetit. Duke e analizuar shkallën e natalitetit sipas komunave, ndarja më precize do të ishte në tre territore. E para – perëndim – me shkallë të lartë të natalitetit (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë); e dyta – me natalitet mbi mesataren e Republikës (Çair, Gazi Babë, Qendër në Qytetin e Shkupit, Kumanovë, Tito Veles dhe Shtip) dhe e treta, me natalitet nën mesataren republikane (Vinicë, Gjevgjeli, Dellçevë, Kavadar, Krushevë, Negotinë, Ohër, Radovish dhe Karposh e Kisella Vodë) si dhe me natalitet të ulët (Berovë, Manastir, Brod, Demir Hisarë, Koçan, Kratovë, Kriva Pallankë, Prilep, Probishtip, Resën dhe Sveti Nikollë)”.
Lufta e ashpër që u ndërmor nga autoritetet komuniste maqedonase kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, e shtynë inteligjencën e atëhershme shqiptare të veproj ilegalisht. Shërbimi sekret maqedonas, UDB-ë, nëpërmjet shkresave tepër të besueshme njoftonte KQ të LKM-së, për ekzistimin e disa organizatave ilegale shqiptare, të cilat për një periudhë relativisht të shkurtë kanë arrit ta shtrinë veprimtarinë e tyre siç thuhet “armiqësore” në më shumë rrethe dhe mjedise shqiptare, duke i “përfituar disa nxënës, studentë, arsimtarë dhe persona tjerë”. Si drejtues të këtyre organizatave, sipas UDB-ës maqedonase, paraqiten kryesisht: “persona të dënuar më herët për veprimtari armiqësore, lidhjet e tyre familjare dhe miqësore, persona që rrjedhin nga familjet balliste ose kanë lidhje të përbashkëta me një pjesë të emigracionit dhe me të shpërngulurit (në Turqi – Q.L.)”.
Për rrjedhojë, gjatë asaj periudhe kohore në Maqedoni u burgosën një numër i madh i veprimtarëve të dalluar shqiptarë, të cilët morën dënime të rënda nën akuzën se “kanë zhvilluar veprimtari armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar.”.
Lufta kundër arsimit dhe kulturës shqiptare veçmas do të vijë në shprehje gjatë viteve 1987-1988. Në fakt, kjo luftë, zyrtarisht u shpall më 24 prill 1987, në të cilën datë Kuvendi i RS të Maqedonisë solli Konkluzionet, përmes së cilave organet ekzekutive e administrative republikane e komunale, urdhëroheshin të ndërmarrin masa represive kundër shqiptarëve. Në pikën 2 të tyre thuhej shprehimisht:
“…Kuvendi vë në dukje se lufta kundër aktivitetit armiqësor nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptarë paraqet mbrojtje e përfitimeve nga lufta Nacionalçlirimtare dhe revolucionit Socialist, vendimeve të AVNOJ-it dhe ASNOM-it, rregullimit kushtetues, pavarësisë, integritetit territorial dhe politikës së pavarur të RSFJ-së dhe është luftë për realizimin konsekuent të tyre.
Për këtë shkak, kjo luftë është detyrë parësore të kuvendeve të deputetëve, të organeve të tyre ekzekutive e administrative dhe të organeve tjera shtetërore, të organeve drejtuese dhe organeve drejtuese të organizatave të bashkuara punuese dhe të institucioneve dhe mekanizmave të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore në RS të Maqedonisë…”.
Është me rëndësi të përmendet edhe pika 9 e konkluzioneve, ku përfshihej kultura shqiptare, që e pamë të arsyeshme ta paraqesim të plotë: “Në fushën e kulturës duhet të ndërmerren aktivitete dhe masa me të cilat do të sigurohet trajtimi, shprehja dhe afirmimi i mëtutjeshëm i vlerave kulturore të kombit maqedonas, kombësisë shqiptare e turke dhe të kombeve e kombësive tjera jugosllave. Njëkohësisht, duhet me vendosmëri të çrrënjosen dukuritë e keqpërdorimet të aktiviteteve të veprimtarisë kulturore për qëllime që bien ndeshë me përcaktimet shoqërore në këtë veprimtari. Organet e organizatat përkatëse ta përshpejtojnë inspektimin e fondeve të librave në gjuhën shqipe, të ndërmarrin masa për sigurimin e plotë të interesit shoqëror në aktivitetet programore të shtëpive kulturore, manifestimeve kulturore-artistike, përmbajtjeve programore të përbërjeve muzikore dhe të aktiviteteve të organizatave për edukatë fizike, për realizimin konsekuent të kritereve për shënimet përkujtimore të ngjarjeve dhe personaliteteve të caktuara historike dhe për mbrojtjen efikase të këtyre shënimeve dhe trashëgimisë kulturore”.
Një muaj më pas, pasoi Analiza e hartuar nga Komitetit për “Mbrojtje Popullore” (KMP), në të cilën përshkruhej gjendja e sigurisë në vend. Në të, përveç tjerash, vihet në pah se rreziku potencial për Maqedoninë ishte “nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar”, i cili në kohë të fundit po vepron me një “strategji globale shqiptaromadhe, në radhë të parë në planin e acarimit apo thellimin e marrëdhënieve të acaruara ndërnacionale në mjediset me popullsi të përzier e më gjerë.” Format më të reja “të aktiviteteve të kombësisë shqiptare janë vizitat e grupeve muzikore dhe të individëve nga KSA e Kosovës nëpër ahengje familjare tek qytetarët të kombësisë shqiptare nëpër komunat e pjesës perëndimore të Republikës ose nëpër objekte hotelerike. Në këto raste këndohen këngë me përmbajtje nacionaliste, që përcjellën me një eufori të pazakonshëm nga të pranishmit.” Një problem tjetër për KMP-në, paraqiste “tendenca e pavolitshme të lëvizjeve demografike, veçmas shtimi i lartë i popullsisë të kombësisë shqiptare”, që “krijojnë probleme të shumta ekonomike, sociale, komunale si dhe probleme të aspektit të sigurisë”. “Gjendjen e tillë”, thuhej më tej në analizë, “e shfrytëzojnë nacionalistët shqiptarë gjatë aktiviteteve të tyre propaganduese, ndërsa në anën tjetër të njëjtat shprehen edhe si një dukuri që i përshtatet nacionalizmit shqiptar”.
Pozitën e shqiptarëve në RS të Maqedonisë në harkun kohor 1981-1990, më së miri e përshkruante letra e hapur e 868 studentëve shqiptar nga Maqedonia në Universitetin e Prishtinës, botuar më 1 qershor 1990 në gazetën e “Bota e Re”, ku në të ndër të tjerave thuhej:
“…Ja në prag të erërave të demokracisë edhe një herë na duhet të ngremë zërin kundër ligjeve, vendimeve e veprimeve të qarqeve burokratike shoviniste të Maqedonisë drejtuar gjuhës, kulturës, letërsisë, historisë, traditës shqiptare, por, këtë radhë nën emblemën e të gjithë studentëve nga RS e Maqedonisë, që studiojnë në Universitetin e Prishtinës. Të gjithë këto vlera, që e emërojnë një popull, në dekadën e fundit ishin material për eksperimentim në laboratorët e qarqeve të ndryshme, të cilat, si produkte të gatshme përcilleshin edhe tek qarqet e tjera. Nuk u kursye thuajse asgjë. Gjuhës shqipe, shigjetat i ngulen edhe kur kumbon nga goja e nxënësve e mësimdhënësve, edhe kur rezonon nga fytyra e shtypit e radiotelevizionit, edhe kur buron nga toponimia e administrata, edhe kur u shton nga pagëzimet dhe këngët. Ajo mallkohet edhe si mbishkrim firme edhe si mbishkrim varri. U trumbetua nami i shpikjeve të paraleleve të përziera si flakje të keqkuptimit, por jo edhe orët e përziera me gjuhën maqedonase dhe shqipe si urë afrimi, ku do të ngriheshin horizontet e mirëkuptimit. Përkundër të gjitha këtyre plagëve, që ia kanë stolisur trupin gjuhës shqipe, ajo prapë buron, buron.
As kultura nuk ishte matanë shënjestrës. SHKA-ve filloi t’u ngushtohet veprimi në forma të ndryshme, edhe pse ato edhe ashtu gjallëronin, në kushte materiale e financiare tejet të vështira. Repertori i këngëve u reduktua nga 600 në 30 këngë me pretekst se ngjallin eufori nacionaliste te populli. Edhe atyre pak shkëmbimeve kulturor, që bëheshin me KSA të Kosovës dhe me shtetin amë iu ngritën barrikada. E gjithë kjo bëhej në emër të luftës kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit (separatizmit) shqiptaromadh”. Me kaq nuk përfundon aventura e krisur e burokratëve karrieristë, por ajo shtrihet edhe në klubet sportive. E tërë kjo paralizoi jetën kulturore-artistike dhe sportive ndër shqiptarë dhe më gjerë. As fusha e letërsisë dhe e historisë nuk u shpëtuan shfryrjeve të epsheve shoviniste – burokratike.
Nëpër biblioteka filloi spastrimi i veprave të autorëve të letërsisë së traditës e atyre bashkëkohorë, që shkruajnë në RPS të Shqipërisë dhe atyre në Kosovë e edhe në Maqedoni. E gjithë kjo, solli në varfërimin e bibliotekave me libra shqip. Po ashtu, po këto figura, së bashku me të gjitha personalitetet u shpallën “të padëshirueshëm” dhe “të papërshtatshëm”, duke u hequr nga programet e tekstet shkollore (p.sh. Kadareja, Agolli, Spase etj nga historia Skënderbeu, vëllezërit Frashëri, I. Qemali, B. Curri, A. Rustemi etj.). Ngjarjet e shumta historike nuk figurojnë. Ndërsa ato pak që mësohen janë shtrembëruar e shkencërisht nuk qëndrojnë (p.sh. Lidhja Shqiptare e Prizrenit etj)….”. (koha.mk)