Në kohë krize e përcjellur me inflacion të lartë, zgjidhja më e mire do të ishte që paratë e tepërta të investohen në ndonjë biznes familjar që e keni traditë, që e doni dhe e njihni ose në blerjen e pasurive të patundshme. Toka bujqësore, toka për ndërtim, banesa, shtëpitë, dhe pasuritë e tjera të patundshme me siguri, që jo vetëm do të ruanin vlerën e parasë në të ardhmen, por do të rrisin vlerën e tyre mbi norma e inflacionit
Nga Petrit POLOZHANI
Asnjërin nuk do e lejojmë që personalisht të përballet me pasojat e krizës ekonomiko-energjetike, atë do ta përballojmë të gjithë së bashku. Këtë e deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut në prezantimin e pakos anti-krizë, pak kohë më parë. Në këto masa qeveria ndau 350 milionë euro , që për një shtet të vogël, jo mjaft të zhvilluar dhe me një kapacitet të kufizuar financiar duket joshëse dhe gjithëpërfshirëse. Por me masat anti-krizë, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të fitojnë vetëm rreth 200.000 persona, që nuk përfshin as gjysmën e popullsisë së varfër,numri i të cilëve sipas Bankës Botërore arrin në 450.000 persona. Në mënyrë direkte do të ndahen vetëm 20.2 milion euro ,nga të cilat fitojnë 42.000 persona më të varfër dhe rreth 160.000 pensionistë me të ardhura prej 11.525 denarë dhe ato me nivelin 11.525 – 14.000 denarë. Nga FMN për përballimin e krizës janë lejuar 530 milion euro, dhe për këtë vit në dispozicion janë 110 milion euro. Huazimi nga ky institucion monetar realizohet me norma të volitshme të interesit (1-2 për qind ), por shuma e tillë është e pamjaftueshme për të përballuar krizën. Mjetet e huazuara nga ky institucion financiar i nënshtrohen një monitorimi të rreptë dhe si të tilla kontributi i tyre është tejet modest. Me mjetet monetare të këtij institucioni nuk mund të rriten pagat,pensionet, asistenca sociale, shpenzimet qeveritare etj. Propozimi I kryeministrit për shkurtimin e të ardhurave për 10 për qind për menaxherët e kompanive publike me të ardhura disa herë mbi mesataren e vendit dhe shkurtimet e shpenzimeve buxhetore të qeverisë , dhe atyre në nivel lokal mbase është kërkesë e FMN.
Nga ana tjetër, pritet periudhë e vështirë jo vetëm për vendin tonë, por dhe për gjithë globin. Inflacioni pritet të vazhdojë të rritet deri në fund të vitit madje edhe në vitit vijues. Ai do të godasë shtresat e popullsisë të cilat i kanë të ardhurat e fiksuara dhe kanë më shumë nevojë për mbrojtje (punëtorët, penzionistët, shfrytëzuesit e asistencës sociale,etj). Pritet të rritet varfëria sepse nga njëra anë rritet niveli mesatar i çmimeve dhe nga ana tjetër ulet vlera e parasë. Norma e inflacionit në Maqedonin e Veriut arriti në rreth 19 për qind. Kjo e shpjeguar në mënyrë simbolike mund të shprehet, se dikush ju fut dorën në xhepa dhe nga 100 euro që ju dispononi ja merr 19 euro. Në shtetet e vogla dhe jo mjaft të zhvilluara , siç është Maqedonia e Veriut afër gjysma e të ardhurave konsumohet për ushqim dhe pije jo alkoolike, ose afër tre të katërtën e shportës konsumatore e përbëjnë ushqimi, veshjet dhe strehimi. Rritja e çmimeve të shportës konsumatore mbi nivelin e çmimeve të prodhimeve tjera do të vështirësojë akoma më shumë pozitën socio-ekonomike të popullsisë. Shteti me përjashtim të kufizimit të marzhës për prodhimet ushqimore deri në fund të vitit si dhe lehtësimet në çmimin e energjisë elektrike për subjektet që prodhojnë ushqimet bazë (prodhimet e miellit, mishit, qumështit,vezëve etj), dhe kufizmin e marzhës për tregtarët e tregut të lire të energjetikës në 10 për qind (nga 12 -18 për qind ) dhe për furnizuesit e fundit në 20 për qind (nga 50 për qind ) nuk ka masa tjera anti-inflatore.
Në rritjen e vazhduar të inflacionit shtrohet debate çfarë hapash duhet të marrim, të ulim inflacionin dhe të lejojmë frenimin e rritjes ekonomike ose anasjelltas. Në situata të tilla zgjidhja më e mire do ishte lufta kundër inflacionit sepse me rritjen e vazhduar të nivelit mesatar të çmimeve, çdo rritje ekonomike në të ardhmen do të ishte problematike.
Pritet që ekonomia e Maqedonisë së Veriut në këtë vit dhe vitin e ardhshëm të shënojë rritje më të ulët se sa ishte planifikuar më parë. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore zhvillimi ekonomik i Maqedonisë së Veriut gjatë këtij viti pritet të jetë 2.1 për qind , ndërsa vitin e ardhshëm 2.7 për qind .Një rritje e tillë ekonomike është më e ulëta nga të gjitha shtetet tjera ballkanike. Serbia,Kosova dhe Shqipëria gjatë këtij viti do të rriten me mbi 3 për qind, Bosnje dhe Hercegovina me 4 për qind dhe Mali Zi do shënon rritje më të lartë në Ballkan, me gati 7 për qind.
Gjithashtu pritet edhe huazimi I ri,por shtrohet pyetja sa,kur dhe prej nga do të sigurohen para. Situata në tregjet ndërkombëtare aktualisht është e pa volitshme. Trendet inflatore në rrafshin global kanë rezultuar me norma të rritura të interesit. Politikat restriktive monetare kanë ndikuar në rritjen e normave të interesit në ekonominë më të fuqishme të globit (SHBA),ato arrin nivelin e 4 për qind për obligacionet dhjetë vjeçare. Aktualisht në tregun global Maqedonia e Veriut nuk mundet të merr kredi ndër këtë normë, por me një normë tejet të pa volitshme, mbi 7 për qind . Politika restriktive monetare si përgjigje ndaj inflacionit zbaton dhe Banka Qendrore Europiane duke i rritur normat e interesit. Pra , siç mund të vërehet aktualisht kemi një pozicion të kundërt me atë të pandemisë. Atëherë zbatohej politika ekspansioniste monetare (ulje të normave të interesit) dhe rritja e ofertës monetare, ndërsa po tani ndodh e kundërta. Në situata të tilla kur kushtet për huazim në tregun global janë të shtrenjta dhe huaja nga FMN është të themi konservative marrja e huas së lire është një sfidë në vete.
E arsyeshme dhe e zgjuar do të ishte që Maqedonia e Veriut në situatën aktuale të marrë shembullin e Serbisë e cila para pak kohësh, huazoji një miliardë euro nga Emiratet e Bashkuara, me normë atraktive të interesit prej 3 për qind . Maqedonia e Veriut, me huazimet e reja do të futet në grupin e shteteve me nivel të lartë huazimi (mbi 60 për qind të PBB).Aktualisht çdo qytetar I Maqedonisë së Veriut është i ngarkuar me hua publike prej afër 3,900 euro .
Në fund, disa sugjerime për të pasurit dhe për ato persona të cilët gjenerojnë më shumë të ardhura krahasuar me shpenzimet e tyre dhe kanë në dispozicion para të gatshme. Në këtë kënd vështrim do prezantoj disa vlerësime sa i përket depozitave. Siç dihet, secili që ka para, në kohë krize dhe inflacioni dëshiron që ato mos humbin , por mundësisht të rrisin vlerën e tyre. Shtrohet pyetja si ta arrin këtë objektiv? Tradita e kohëve të fundit ka qenë ruajtja e parave jo nën jastëk , por në bankë. Në kohë inflacioni kjo nuk është zgjidhja më e mirë, sepse paraja ku do që ndodhet, humb vlerën e vetë. Depozitimi do të ishte i arsyeshëm në qoftë se norma e interesit do tejkalojë normën e inflacionit, gjë që nuk ndodhë. A është zgjidhja e mirë depozitimi në valutë të huaj, më konkretisht në dollarë amerikanë, vlera e të cilit po rritet? Përgjigja është negative. Edhe pse vlera aktuale e kësaj valute është në nivelin e saj më të lartë në dy dekadat e fundit, vlera e saj pas 2,3 ose 4 viteve nuk na është e njohur. Me fjalë tjera, asnjë nuk mund të parashikojë vlerën e vërtetë të kësaj valute në të ardhmen. Dollari amerikan shënon rritje në raport me euron dhe ne e ndejmë sepse ekonomia jonë, dhe e rajonit është lidhur me shtetet e BE-së, e cila e ka në përdorim këtë valutë.
Valutat qofshin ato nga më të fortat siç është dollari amerikan nuk janë stabile, sepse ndikohen nga marrëveshjet bilaterale, trilaterale ose multilaterale. Ashtu psh. Marrëveshja multilaterale (BRIKS), midis Rusisë, Indisë, Kinës,Brazilit dhe disa shteteve tjera që në këmbimin e të mirave dhe shërbimeve mes tyre, mos përdoret dollari amerikan nxjerr nga tregu disa trilionë të kësaj valute. Ose marrëveshja e fundit bilaterale mes Egjiptit dhe Kinës për tregtimin e naftës, jo me dollarë por me valutë kineze nxjerrë nga tregu shuma të larta të kësaj valute.
Mos përdorimi i valutave në rastin konkret dollarit amerikan, sipas marrëveshjeve të cekura më sipër, rezulton me reduktimin e vlerës valutore. Aktualisht vërehet një rënie e lehtë e dollarit sepse ka rënë kërkesa për këtë valutë për shkak të tkurrjes së kërkesës për naftë nga Kina si pasojë e ngadalësimit të ritmit zhvillimor. Depozitimi i parasë në ar ose sendeve tjera të çmuara është një zgjidhje më e mirë krahasuar me depozitat në valuta stabile, por jo dhe më e zgjuar. Me një veprim të tillë, vlera e parasë ruhet më mire krahasuar me ato të valutave sepse ari nuk ndikohet nga marrëveshjet bilaterale ose trilaterale. Por depozitimi në sende të çmuara nuk është zgjidhja më e mirë, sepse nuk mund të vlerësojmë saktësisht sa do të jetë vlera reale e arit pas 2,3,4 ose 5 viteve. Në kohë krize e përcjellur me inflacion të lartë, zgjidhja më e mire do të ishte që paratë e tepërta të investohen në ndonjë biznes familjar që e keni traditë, që e doni dhe e njihni ose në blerjen e pasurive të patundshme. Toka bujqësore, toka për ndërtim, banesa, shtëpitë, dhe pasuritë e tjera të patundshme me siguri, që jo vetëm do të ruanin vlerën e parasë në të ardhmen, por do të rrisin vlerën e tyre mbi norma e inflacionit.
(Autori është profesor universitar i ekonomisë pranë USHT)