Masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit janë planifikuar për periudhën pas zgjedhjeve, pavarësisht vdekshmërisë së lartë dhe vaksinimit të ulët. “Edhe me masat kundër përhapjes së koronavirusit u bënë kalkulime, si për zgjedhjet e kaluara, ashtu edhe për këto zgjedhje”, thotë Boshnjakovski
Xhenur ISENI
Shkup, 14 tetor – Testimi i rastësishëm i Covid-19 të 8200 nxënësve nga shkollat e mesme dhe fillore nuk dihet se kur do të fillojë, edhe pse u paralajmërua për në fillim të kësaj jave. Ndërkohë, vendi është ende në valën e katërt të Covid-19, me një shkallë të lartë vdekshmërisë dhe një shkallë të ulët vaksinimi. Nga ana tjetër, masat e reja janë shpallur pas zgjedhjeve lokale të caktuara për të dielën. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska ditë më parë deklaroi se është në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe detajet e skriningut do të shpallen në kohën e duhur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti për Shëndet Publik, për momentin ka 6.957 raste aktive. Të vaksinuar me dy doza janë 35 për qind e popullatës, ndërsa 38 për qind kanë pranuar së paku një dozë. Shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë vaksinim më të ngadalshëm, sepse gjatë gjithë javës së kaluar 4961 persona morën dozën e parë të vaksinës. Maqedonia e Veriut aktualisht renditet e treta në botë për sa i përket vdekshmërisë në krahasim me numrin e banorëve pas Perusë dhe BeH.
Mjeku Zllate Mehmedoviq nga Klinika për Pulmologji, vlerëson se duhet të intensifikohen përpjekjet që të edukohen qytetarët për atë se cilat janë benefitet, efikasiteti dhe siguria e vaksinave. Ai nuk sheh mundësi për çfarëdo lloj masa për motivim për vaksinim. “Në periudhën e ardhshme mund të presim që numri i të infektuarve të rinj të rritet, kryesisht sepse kemi muaj të ftohtë përpara. Vala e dimrit pritet kudo në botë. Kjo nuk do të jetë një përjashtim te ne. Dhe ndoshta nëse procesi i vaksinimit nuk intensifikohet përmes edukimit të popullatës sepse ai mbeti si një nga masat më të papërdorura, pra të ketë një fushatë të mirë të centralizuar se cilat janë përfitimet e vaksinimit. Nëse kjo nuk ndodh, ne ende do të kemi një numër të ulët të të vaksinuarve dhe ende pak interes për vaksinimin, dhe me shumë mundësi dimri do të jetë më i vështirë për të kapërcyer krizën e pandemisë së ardhshme”, tha Mehmedoviq. Në fund të shtatorit, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se nga mesi i këtij muaji do të ketë një masë të re me të cilën vetëm qytetarët e vaksinuar plotësisht, do të jenë në gjendje të vizitojnë objektet gastronomike dhe ngjarje.
Edhe me masat kundër përhapjes së koronavirusit u bënë kalkulime, si për zgjedhjet e kaluara, ashtu edhe për këto zgjedhje, thotë analisti politik, Vlladimir Boshnjakovski. “Ashtu si çdo strategji tjetër, kur flasim për luftën kundër koronës, atëherë analizë duhet ti përfshijmë gjithë faktorët. Faktori shëndetësor zë vendin parësor këtu, por faktorët politikë, ekonomikë dhe socialë nuk mund të harrohen. Do të ishte ideale që të gjithë ne të uleshim në shtëpi dhe të shikonim TV deri në fund të krizës globale, por kjo është e pamundur ekonomikisht dhe do të çojë në shkatërrimin e demokracisë sonë të brishtë dhe do të dëmtojë arsimimin e disa brezave. Duke pasur parasysh se nuk jam punonjës shëndetësorë, as ekonomist, unë do të përmbahem vetëm aspektit politik, dhe atë në kontekstin e zgjedhjeve lokale. Përkatësisht, është padyshim e nevojshme të ruhet një atmosferë në të cilën qytetarët nuk do të kenë frikë të dalin dhe të japin votën e tyre. Futja e masave më të rrepta kufizuese mund të ndikojë në disponimin e qytetarëve për të shkuar në zgjedhje. Kjo me siguri do të ishte në drejtim të zvogëlimit të mëtejshëm të pjesëmarrjes në ditën e zgjedhjeve – një përqindje që tashmë është e ulët për shkak të zhgënjimit dhe pasivitetit të trupit votues”, ka deklaruar për KOHA, Vlladimir Boshnjakovski, analist. (koha.mk)