Mbi 70 vjet më parë ndodhi tragjedia, njëra ndër më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar të Rajonit të Anamoravës. Kjo tragjedi e filluar më parë, pas Luftës së Gjilanit, më 23 dhjetor 1944, mori përmasa të gjenocidit ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur shqiptarë të kësaj treve dhe do të zgjasë edhe në fillim të vitit 1945
Nga Mr. Aliriza SELMANI
Krimet ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Gjilan e rrethinë, gjatë fundit të vitit 1944 dhe fillimit të vitit 1945, mund të ndahen në dy faza, faza e parë që kishte filluar edhe më parë, mori hov me hyrjen e forcave partizane serbo-çetnike në Gjilan më 16 nëntor 1944, dhe konsolidimit të pushtetit ushtarak e politik sllavo-komunist për viset e Anamoravës me sekretar të Komitetit të Rrethit Vlada Popoviq, u formua komanda ushtarake e vendit në krye me Sima Miliniqin, sekretar Halil Fejzullahun dhe kryeshefin e OZN-ës Lubomir Shotra. Nga kjo kohë, në emër të “nacionalçlirimtares”, dhe të luftës kundër bashkëpunëtorëve të okupatorit, filluan plaçkitjet, arrestimet, torturimet dhe likuidimet e shumë shqiptarëve të pafajshëm, pa kurrfarë procedure, si nga OZN-a, po ashtu edhe nga grupet paramilitare proçetnike serbe, dhe nga njësitë partizane. Në këtë kohë, likuidimet bëheshin në emër të “pushtetit popullor” dhe luftës klasore, për këtë kishin pëlqimin edhe të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, komunistë e të tjerë.
Me vendosjen e pushtetit okupues, shumë nga shqiptarët që më parë ishin me forcat nacionaliste, duke mos e ndier veten fajtorë dhe duke u besuar premtimeve të marrëveshjes, u dorëzuan, por pësuan keq. Kështu ndodhi edhe me parinë e qytetit dhe rrethinës, intelektualë e patriotë, njerëz me autoritet që shquheshin për aktivitetin e tyre politik, njerëz të administratës etj., të cilët, nisur nga fakti se nuk kishin bërë krime apo keqpërdorime të tjera, shumë prej tyre u pushkatuan pa gjyq. E tërë kjo bëhej me një taktikë për ta paralizuar aktivitetin shqiptar, duke e lënë popullin pa pushtet dhe pa njerëzit e tyre me autoritet.
Gjatë kësaj kohe në qytetin e Gjilanit do të merren për t’u likuiduar këta njerëz të zgjedhur, ja disa nga emrat e tyre në vijim, së pari u burgos dhe, si “armik i popullit”, u ekzekutua më 17 nëntor, Kryetari i Bashkisë së Gjilanit, Mustafa Natiku, i ardhur nga Shqipëria. Po atë ditë u burgos në mbrëmje dhe u likuidua Isak Gashi-Brestoci- Sekretar Bashkie, i cili pas hyrjes së forcave partizane në Gjilan, gjatë mitingut në qendër të qytetit, reagon në shkuljen dhe përdhosjen e flamurit shqiptar nga ana e serbëve të Gjilanit. Në të njëjtën kohë u likuidua edhe intelektuali dhe poligloti Syleman Ashkiu, korrespodent i disa gazetave. Po ato ditë pushkatohet publikisht Xhemë Tupalla, dhe pas pak u likuiduan, Haqif Tetova patriot dhe nacionalist, i cili gjatë luftës kishte kontribuar në themelimin e administratës në Gjilan, Ibrahim Orana, anëtar i Komitetit të Rrethit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe anëtar i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës Lindore, Mulla Mehmet Behluli, hoxhë me autoritet, aktivist në mobilizimin e të rinjve në mbrojtje të kufirit të Kosovës Lindore, Esat Berisha, avokat, anëtar i KQ të LD të Prizrenit dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare në Tiranë, Faik Okllapi, anëtar i Komitetit të Rrethit të Lidhjes ë Dytë të Prizrenit në Gjilan, Mulla Ymer Berisha, aktivist, i ati i Esat Berishës, Toger Alush Hasan Rexhepi, Sabit ef. Maksuti e shumë të tjerë. Vrasjet bëheshin pa kurrfarë procedure dhe ekzekutimi kryhej në fshehtësi gjatë natës në vendet e caktuara, në periferi të qytetit, dhe zakonisht nga ora 24-02.
Gjatë fazës së parë, likuidimet e shqiptarëve të pafajshëm dhe të pa armatosur, ishin më të mëdha në fshatrat e Karadakut malor, ku vrasjet në shenjë hakmarrje, për shkak të pësimeve në luftë me shqiptarët në vijën e frontit, kishin filluar që nga shtatori i vitit 1944 dhe vazhduan deri në pranverë të vitit 1945, kur ky territor u pacifizua me zjarr dhe hekur. Pas marrjes së Gjilanit dhe viseve të rrafshëta të kësaj ane, duke pasur të dhëna për koncentrimin e një pjese të forcave të rezistencës shqiptare në viset e Karadakut, njësitë e UNÇJ-së, në emër të spastrimit të terrenit nga forcat “reaksionare”, ndërmorën një ofensivë nga Gjilani e Presheva drejt fshatrave të Karadakut. Ndërkohë forcat e rezistencës shqiptare pas disa konflikteve e sidomos pas luftës në fshatin Muçaj (Myçybabë), më 30 nëntor 1944, në krye me Ymer Myçybabën, qenë të detyruara të tërhiqen në drejtim të Kopilaçës. Pas tërheqjes së tyre, njësitë e UNÇJ-së- Brigada XVI maqedone, e njohur për dhunë dhe terror antishqiptar, e ndihmuar nga njësi të Brigadës XVII serbe, gjatë depërtimit në këto anë, pasi plaçkitën bagëtinë, drithin e gjërave të tjera, shumë shtëpive ia vunë zjarrin. Përpara flakës dhe frikës së pushkatimit, njerëzit iknin nga shtëpitë për t’u fshehur nëpër male, por ndiqeshin dhe kudo që ziheshin vriteshin pamëshirshëm, e veçanërisht të rinjtë, të cilët shpesh mblidheshin në grupe nga disa fshatra dhe pastaj likuidoheshin në forma të ndryshme. Grupi më i madh, prej rreth 100 vetësh të moshës nga 16-75 vjeçare, është likuiduar më 4 dhjetor 1944, gjatë natës, në fshatin Iseuk, në formën më makabre duke i therur e përvëluar në valë. Kështu, në këtë kohë nga fshatrat e kësaj ane likuidime më të mëdha pati në fshatrat: Myçybabë, Kurbali, Ilincë, Sefer, Maxhere, Depcë, Kokaj, Sllubicë, Gruhali e tjera. Me këtë rast mund ta përmendim fshatin Sefer, për të cilin kemi të dhëna më të sigurta, ku nga gjithsej 56 shtëpi, gjatë atyre ditëve u kapën dhe u likuiduan 25 të rinj, pa llogaritur edhe 6 të tjerë që ishin vra gjatë luftës në mbrojtje të kufirit apo në vende tjera. Dhjetëra të tjerë u dërguan në burgje në Vrajë, në Preshevë e në Kumanovë nga ku pjesa më e madhe e tyre kurrë më nuk u kthyen. Pas këtyre vrasjeve, njëri ndër komandantët e njësive maqedone, nga Mateqja e Kumanovës, u kishte deklaruar disa të moshuarve në Karadak,
“Na keni vra”, duke aluduar në vrasjet në kufi, “dhe ju kemi vra, kurse tani e tutje, nuk do të vriteni, fajtorët do të dalin para gjyqit”. Mirëpo në fakt nuk kishin më edhe se çka të vritnin, sepse pos pleqve e plakave, grave dhe fëmijëve të tjerë njerëz nuk kishte nëpër shtëpi, të rinjtë që kishin shpëtuar gjendeshin me njësitë e rezistencës në male, të mobilizuar me dhunë në brigadat partizane, apo të inkuadruar në këto njësi sa për të shpëtuar kokën. Duhet shtuar se me likuidimin e shumë të rinjve shqiptarë dhe plaçkitjen e pasurisë së tyre, pati për pasojë shtimin e skamjes dhe mjerimin e këtyre viseve të varfra malore.
Në Kuvendin e Tërpezës më 1 dhjetor 1944, u formua Shtabi Suprem i Kosovës dhe u mor vendimi për ta sulmuar Ferizajn dhe Gjilanin për t’i çliruar nga sllavo-komunistët. Në krye të shtabit për sulm në Gjilan ishte caktuar Mulla Idrizi, sekretar Muharrem Fejza i Hogoshtit, anëtarë Sylë Zarbinca dhe Shefki Haliti i Desivojcës.
Sulmi në Gjilan u bë më 23 dhjetor 1944, rreth orës 5-6 të mëngjesit, nga ana lindore e qytetit, sulmuesit kishin arritur ta marrin qytetin, me përjashtim të ndërtesës së OZN-ës dhe Këshillit Popullor të Rrethit. Njësitë maqedone u tërhoqën në panik dhe së bashku me ta u tërhoq edhe udhëheqja politike e ushtarake e vendit të cilët u vendosën në “Kodrën e Dëshmorëve” (Popovicë) dhe në parkun e qytetit për të pritur përforcimet nga Prishtina dhe Ferizaj.
Sipas literaturës historike sulmi në Gjilan ka qenë i provokuar nga Vllado Popoviqi, sekretar i Komitetit të PKJ-së në Gjilan dhe sekretar i KNÇ të qytetit, i biri i radikalistit të njohur Toma Popoviq, Sima Miliniq, komandant i Komandës së Vendit dhe Lubo Shotra, shef i OZN-ës, të cilët kishin për qëllim hakmarrjen kundër shqiptarëve, për shkak të pësimeve të forcave partizano-çetnike gjatë sulmeve të tyre në kufirin me Kosovën, si dhe realizimin e programit antishqiptar, të hartuar nga V.Qubriloviq e të tjerë, të cilët preferonin, kohën e luftërave si moment më të volitshëm për realizimin e gjenocidit.
Pas tërheqjes së forcave të lëvizjes së rezistencës shqiptare nga Gjilani, pasuan ditët më të rënda për popullin shqiptar të kësaj ane. Në mbrëmje të 23 dhjetorit 1944 ishte shpallur shtetrrethimi në qytet, me urdhra: a)asnjë shqiptar nuk guxon ta lëshoj qytetin b) asnjë shqiptar nuk lejohet me hy në qytet c) asnjë shqiptar nuk guxon të shihet rrugëve dhe asnjë shtëpi shqiptare nuk guxon të mbyllet, as ditën, as natën. Serbëve të qytetit, të fshatrave të rrethinës si dhe partizanëve serbo-maqedonas iu lanë duart e lira për 24 orë që të mund të plaçkitnin e të vritnin kënd të donin. Nga kjo kohë eskalimi dhe legalizimi i dhunës, terrori dhe plaçkitjet morën përmasa shqetësuese, u bënë arrestime dhe ekzekutime në masë. Dhuna dhe terrori shpejt u shtri në tërë rajonin e fshatrave të Gjilanit, kurse numri i të vrarëve e të masakruarve shqiptarë të këtij rajoni, duke filluar nga viti 1943, gjatë përleshjeve me forcat serbe e bullgare dhe viktimave të likuiduara prej partizano-çetnikëve si dhe të vrarëve në brigadat partizane në vise të ndryshme të Jugosllavisë deri në mars 1945, i kalon humbjet e viseve tjera të Kosovës, por nuk është vërtetuar. Sipas Vesel Rexhepit, veprimtar i organizatës së PKJ-së në Gjilan, atë kohë vetëm në Gjilan pati 4.500 shqiptarë të vrarë e të masakruar. Ndërkaq sipas burimeve jo të plota të veprës së Tahir Zajmit në regjionin e gjerë të Gjilanit pati afër 8,000 të likuiduar në mënyra të ndryshme. Mirëpo ky numër është i ekzagjeruar. Mund të shtrohet pyetja, pas tërheqjes së forcave të rezistencës shqiptare nga Gjilani, a ka pasur mundësi, t’i shpëtohej masakrës?. Urdhëresa e Fadil Hoxhës nga Shtabi Operativ i Kosovës nuk përfillej. Të dhënat dëshmojnë se pos Halil Fejzullahut – sekretar i Komandës së Vendit, cili bëri atë që mundi, shpëtoi një grup prej më se 100 shqiptarësh nga kthetrat e ushtarëve maqedonë, që i binin të lidhur nga fshati Malishevë, për t’i likuiduar në Gjilan, askush tjetër nga SKOJ-istët dhe komunistët tjerë shqiptarë të kësaj ane, më parë të frymëzuar nga ideali komunist i vëllazërim-bashkimit dhe barazisë nacionale, nuk do të ndihet i gjallë dhe u strukën për ta shpëtuar kokën.
Rrëfime rrëqethëse kanë mundur të dëgjohen nga shumë bashkëkohanikë, e të afërm të atyre që u persekutuan në mënyra më çnjerëzore, një numër i të cilëve dolën të gjallë nga burgu, por të traumatizuar dhe nuk jetuan gjatë.
Skenat trishtuese të atyre ditëve në Gjilan, kanë mundur të linin mbresë te çdo njeri edhe me pak ndjenja. Dëshmitarë të këtyre ngjarjeve konfirmojnë edhe për reagimin e ashpër të mjekes Anxha Todoroviq, e cila me rastin e vizitës që i bëri burgut të OZN-ës, në momentin kur e kishte parë bodrumin e burgut me gjak “deri në gju” dhe trupat e shqiptarëve të copëtuar, ishte tmerruar dhe i drejtohet shefit të OZN-ës, Lubomir Shotrës, me këto fjalë”…kështu as me shtazë nuk veprohet, e lere më me njerëz”.