Topi i Champions-it do të nisë të rrotullohet sërish. Në mars, kishte shumë çështje pezull, por mes 7 dhe 23 gushtit u vendos që kompeticioni elitar evropian ta mbyllë sezonin pavarësisht pandemisë. Kampionët do të vendosen përballë njëri-tjetrit duke nisur nga ndeshjet e mbetura të 1/8-ave, te çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen që u zhvendosën në Lisbonë.
Por shumë yje të tjerë rrezikojnë të mungojnë. Finalja e Kupës së Francës solli dëmtimin e Mbapesë. Një ndërhyrje e Perinit i shkaktoi ndrydhje të kaviljes sulmuesit francez dhe si rrjedhojë dëmtim të ligamentit të jashtëm. Tri javë pushim dhe ai mund të rikthehet vetëm në një gjysmëfinale hipotetike kundër Lajpcigut ose Atletikos. Një tjetër dëmtim i bujshëm është ai i Serxho Agueros, sulmuesit të Sitit. Argjentinasi u operua në meniskun e gjurit të majtë pas dëmtimit më 24 qershor dhe Guardiola e ka përjashtuar prezencën e tij kundër Realit.
Deri në ndeshjen e 7 gushtit, do të ketë dyshime edhe për Hazardin në kampin tjetër. Zidan është treguar deri tani shumë i kujdesshëm me dëmtimin në kavilje të belgut që në fakt e ka pësuar që në nëntor. Ai që do të mungojë me siguri në “Etihad” është Mariano, i cili rezultoi pozitiv me Koronavirus dhe do të qëndrojë i izoluar.
Edhe dy klubet e tjera spanjolle kanë dyshime në radhët e tyre: Tomas Partej i Atletikos pësoi një dëmtim muskulor në kofshë gjatë ndeshjes së fundit në kampionat, duke e vënë në dyshim për çerekfinalen e Atletikos kundër Lajpcigut. Ndërsa Barça nuk do të mund të besojë te Dembele dhe Araujo. Ky i fundit përdrodhi kaviljen e djathtë. Setien ka probleme në mbrojtje në ndeshjen kundër Napolit, sepse Umtiti do të mungojë gjithashtu, ndërsa Lengle është në dyshim. Për Dembelenë ka shanse, por nuk dihet një datë e saktë se kur do të jetë gati të rikthehet në gusht.
Katër deri në 6 javë do të jetë mungesa e Benzhamë Pavarit, mbrojtësit të Bajernit që përdrodhi kaviljen në stërvitje dhe mungesa e francezit të Bajernit në ndeshjen kundër Çelsit tashmë është konfirmuar sipas “L’Equipe”. Dhe në fund, Paulo Dibala, i cili u zëvendësua në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Sampdorias. Një tërheqje muskulore e sulmuesit të Juves e vë në dyshim prezencën e tij në misionin për të përmbysur Lionin në Torino dhe kampionët e Italisë janë duke pritur në ankth reagimin e muskujve të argjentinasit.