Të gjithë sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të kryejnë tamponin çdo 5 orë dhe pas çdo gare. Tamponi do të kryhet edhe nëse ata nuk janë të infektuar apo janë asimptomatikë. Kjo masë ekstreme merret për të parandaluar në maksimum përhapjen e koronavirus në Fshatin Olimpik.
Vendimi është marrë nga komisioni anti-Covid pranë qeverisë japoneze në bashkëpunim me organizatorët e Olimpiadës, që do të zhvillohet verën e ardhshme. Për sa i përket tifozëve që do të vijnë në Japoni, ata nuk do të karantinohen 2 javë, por do të shkarkojnë një aplikacion, ku do të konfirmojnë çdo lëvizje që do të bëjnë.
Në Fshatin Olimpik, sportistët do të mbajnë gjatë gjithë kohës maskë, veç rasteve kur janë në mensë apo stërvitje dhe garë. Këto masa të forta do të merren edhe në rast se sportistët do të jenë të vaksinuar, pra nëse një vaksinë anti-Covid do të jetë në qarkullim.