Në Maqedoni ka një rritje paralele të martesave dhe divorceve. Gjatë vitit të kaluar (2017), është rritur për 4.4 për qind numri i martesave. Vitin e kaluar janë prishur 1.994 martesa, ndërsa në vitin 2016 janë divorcuar 1.985 persona. Ndërkohë, rreth 12 për qind nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur të gjallë në Maqedoni në vitin 2016 kanë lindur jashtë martese
Aida XHONI
Shkup, 14 gusht – Rritet numri i martesave dhe divorceve në Maqedoni. Banorët e Maqedonisë në gusht dalin para ofiqarit ndërsa në dhjetor para gjyqtarit, ky konkludim del nga të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror2ë për statistikë, sipas të cilave qytetarët tanë më së shpeshti martohen në muajin gusht, ndërsa numri më i madh i ndarjeve ndodh në muajin dhjetor, shkruan gazeta KOHA. Gjatë vitit të kaluar (2017), është rritur për 4.4 për qind numri i martesave, respektivisht kurorë kanë lidhë 13.781 persona, për dallim nga viti 2016 kur janë martuar 13.199 persona.
12.9 për qind e martesave të lidhura vitin e kaluar kanë ndodhur në muajin gusht, ndërsa më së paku në muajin mars ose 764 apo 5.5 për qind. Paralelisht me martesat është rritur edhe numri i divorceve. Vitin e kaluar janë prishur 1.994 martesa, ndërsa në vitin 2016 janë divorcuar 1.985 persona.
Ndryshe, në vitin 2014 në vendin tonë janë martuar 13813 ndërsa janë shkurorëzuar 2.210, në vitin 2015 janë martuar 13.186 kurse janë ndarë 2.200, në vitin 2016 janë martuar 13.199, janë ndarë 1985, kurse vitin e kaluar janë martuar 13.781 dhe janë ndarë 1.994 çifte.
RRITET NUMRI I DIVORCEVE EDHE NË SHQIPËRI E KOSOVË
Të dhënat statistikore të ministrisë së drejtësisë shqiptare vërtetojnë se vitin e kaluar janë regjistruar 7.956 divorce, që paraqet numër më të madh për pesë vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2016, vitin e kaluar kishte 311 divorce më shumë. Sipas numrit të ndarjeve, më shumti kanë ndodhur në Tiranë (1.897), Sarandë, Elbasan, Fier dhe Korçë. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve në Kosovë” për vitin 2017. Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2017 janë kurorëzuar 17 112 qifte-bashkëshortore, ndërsa në vitin 2017 janë raportuar të shkurorëzuar 1 072 çifte-bashkëshorte.
Sipas komunave, Prizreni zë vendin e parë në Kosovë me 1 594 kurorëzime, ose 8.6%; Prishtina me 1 420, ose 7.6%; Ferizaj me 1 047, ose 5.6% etj.
ÇDO I TETI FËMIJË NË MAQEDONI ËSHTË JASHTË MARTESE, NË BE ÇDO I DYTI
Rreth 12 për qind nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur të gjallë në Maqedoni në vitin 2016 kanë lindur jashtë martese, tregojnë të dhënat e Eurostat, derisa në Bashkimin Evropian mesatarja është 42 për qind. Në vendet e rajonit, sipas Eurostat, ky numër lëvizë nga 58,6 për qind në Bullgari, 41,6 në Kosovë, 26 në Serbi, 19 në Kroaci deri në 9,4 për qind në Greqi.
Mesatarja në nivel të BE-së, është për rreth 15 për qind mbi vlerësimin në vitin 2000, prej ku gradualisht shënon rritje prej rreth një pikë përqindje në vit. Kjo sinjalizon ndryshim të vlerave familjare, gjegjësisht rritje në numrin e lidhjeve jashtëmartesore dhe çifteve, si dhe prindërve të pavarur. Në tetë vende anëtare të BE-së në vitin 2016, sipas Erostat, ka më shumë fëmijë të lindur gjallë jashtë martesa. Në Francë si të tillë janë të regjistruar 60 për qind, në Bullgari dhe Slloveni 59, Estoni 56, Suedi 55, Danimarkë 54, Portugali 53 dhe Holandë 50 për qind. Për krahasim, mbi 80 për qind nga fëmijët e lindur të gjallë në Greqi, në Kroaci dhe Qipro janë të regjistruar në bashkësi martesore.
Mes vitit 2015 dhe 2016 numri i fëmijëve të lindur jashtë martese shënon rritje në pothuajse çdo vend anëtar të BE-së, me përjashtim të Estonisë, Italisë, Lituanisë, Hungarisë dhe Britanisë së Madhe. Në Zvicër dhe Lihtenshtajn përqindja e fëmijëve të lindur gjallë jashtë martese në vitin 2016 është nën 25 për qind, krahasuar me Norvegjinë me 56 për qind dhe Islandën me 70 për qind. (koha.mk)