Në ndeshjen Belgjikë-Angli, Adnan Januzaj ka qenë futbollisti kryesor për ekipin belg, pasi fal golit të tij arriti të siguronte një fitore duke u ngjitur kështu në krye të grupit. Në këtë sfidë talenti kosovarë ka startuar si titullar. Askush nuk e priste se Januzaj do të ishte futbollisti, i cili do ti dhuronte fitoren Belgjikës. Për paraqitjen fantastike të futbollistit në një deklaratë, për mediat ka folur edhe trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, i cili e ka lavdëruar mesfushorin shqiptar. Në deklaratën e tij Martinez u shpreh se: “Januzaj ka talent të madh në lojën një kundër një. Ai ka diçka speciale për dallim nga lojtarët e tjerë. Sigurisht që e ka merituar këtë gol pasi është dashur t’i mësojë gjërat në rrugën më të vështirë. Januzaj vjen nga një periudhë e vështirë, por gjithsesi tregoi se është i gatshëm”, ka thënë trajneri i Belgjikës. Belgjika në fazën e 1/8 do të përballet me Japoninë.