Mançester Junajted po finalizon detajet për të siguruar njërin nga yjet e skuadrës së Barcelonës. Sipas medias spanjolle “Don Ballon”, trajneri i Mançester Junajted, Hoze Murinjo ka dhënë tashmë orientimet e nevojshme, në mënyrë që drejtuesit e “Djajve të Kuq” të nisin negociatat për blerjen e njërit nga yjet nën drejtimin e Ernesto Valverde. Me qëllim realizimin e suksesshëm të tratativave, Murinjo është i gatshëm të ofrojë në tavolinë njërin prej futbollistëve të tij, për të cilin Junajted pagoi te Monako një shumë prej 60 milionë euro, Entoni Martial, por me francezin që nuk bën pjesë plotësisht në planet e trajnerit portugez. Lajmi është publikuar fillimisht nga portali “diariogol.com”. Klubi anglez është i gatshëm të ofrojë francezin Martial, në këmbim të kroatit të Barcelonas, Ivan Rakitiç. Murinjo ka kuptuar se profile i mesfushorit kroat përshtatet në mënyrë perfekt me planet dhe ekipin e tij, në tentativë për të përforcuar vijën e mesfushës dhe ofensivës së “Djajve të Kuq” dhe nuk i vjen aspak keq të privohet nga sulmuesi francez, vetëm për të arritur objektivin e tij. Të sjellë në “Old Trafford” kroatin Rakitiç.