Gjatë vitit të kaluar, numri i regjistruar i martesave mes minorenëve në Dibër dhe Qendër Zhupë, të cilët i mbulon Qendra për punë sociale – është 10. Këtë na e deklaroi punonjësi sociale pranë Qendrës në fjalë, Ismail Mersimoski. Ai, për gazetën KOHA thotë se në vitin 2019 ka patur 15 raste të martesave minorene, kurse në vitin 2018, ka patur 19. Ai shton se për tre vite ka një rënie prej afër 50 për qind të martesave minorene që faktikisht tregon se problemi në fjalë dukshëm po përmirësohet
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 janar – Martesat minorene në Komunën e Dibrës dhe Komunën rurale Qendër Zhupë kanë qenë dhe për fat të keq vazhdojnë të jenë prezent. Kjo dukuri negative në shoqëri, për fat të mirë, gjatë tre viteve të fundit ka filluar të ulet dukshëm. Të dhënat të Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër theksojnë se brenda tre viteve të fundit – numri i martesave minorene është përgjysmuar. Sipas kompetentëve në këtë institucion – ulja e numrit të këtyre martesave ka të bëjë me ndryshimin e mentalitetit tek të rinjtë, por edhe mungesa gjatë vitit të kaluar e mërgimtarëve tanë që punojnë sidomos në shtete evropiane.
Gjatë vitit të kaluar, numri i regjistruar i martesave mes minorenëve në Dibër dhe Qendër Zhupë, të cilët i mbulon Qendra për punë sociale – është 10. Këtë na e deklaroi punonjësi sociale pranë Qendrës në fjalë, Ismail Mersimoski. Ai, për gazetën KOHA thotë se në vitin 2019 ka patur 15 raste të martesave minorene, kurse në vitin 2018, ka patur 19. Ai shton se për tre vite ka një rënie prej afër 50 për qind të martesave minorene që faktikisht tregon se problemi në fjalë dukshëm po përmirësohet. Duke komentuar uljen e numrit të martesave mes minorenëve, Mersimoski thotë se në këtë drejtim – një ndikim pozitiv ka rritja e vetëdijes tek të rinjtë dhe familjarët e tyre. Por, sipas tij, një ndikim tjetër është edhe mos ardhja e mërgimtarëve gjatë vitit 2020 në vendlindje, për shkak të pandemisë.
“Vitet e kaluara, familjet nga Dibra dhe rajoni më i gjerë të cilët jetojnë në shtete të Evropës, gjithmonë kanë patur dëshirë që fëmijët ti martojnë më të rinj në moshë, edhe atë me vajza nga vendlindja me qëllim që mos realizojnë martesa nga etnitë tjera në vendet ku jetojnë”, thotë bashkëbiseduesi i jonë dhe shton se pikërisht interesimi i tyre ka qenë që të martohen me minorene, por në vendlindje. Ky problem ka qenë akut, është prezent edhe sot, por për fat të mirë, në një numër më të vogël. Ndikimi i drejtpërdrejt ishte numri shumë i vogël i mërgimtarëve që këtë vit erdhën nga Italia, Gjermania, Zvicra e tjerë.
Duke analizuar këtë problem social, sipas përfaqësuesve të Qendrës, analizat tregojnë se martesat minorene janë prezent si në qytet, ashtu edhe në vendbanimet rurale. Po ashtu ata janë prezent tek të gjitha etnitë të këtij rajoni. Sipas të dhënave të Qendrës, në martesat minorene dominon gjinia femërore, por ka raste kur edhe gjinia mashkullore është minorene. Deri tani janë realizuar shumë projekte në drejtim të rritjes të vetëdijes tek të rinjtë, por edhe prindërit që fëmijët e tyre të mos i martojnë në moshat minorene. Në këtë drejtim, sidomos janë për ti theksuar projektet e shoqatës “Hëna”. Kjo shoqatë rome në Dibër ka realizuar më shumë se dhjetë projekte në dekadën e fundit meqë numri dërmues i këtyre martesave janë të etniteti romë. Në projekte, sidomos i është sugjeruar target grupit e veçmas nxënësve të klasave të shtata, të teta dhe të nënta, por edhe gjimnazistëve për dëmet që dalin nga martesat minorene. Në aspektin social, pikërisht këto martesa në një pjesë të madhe përfundojnë me divorce, por edhe me probleme të tjera sociale. (koha.mk)