Vjollca SADIKU
Dibër, 26 shkurt – Viteve të fundit në Dibër dhe rajonin më të gjerë vërehet dukuria e martesave me marrëveshje ose siç quhen në gjuhën juridike, martesa fiktive, shkruan gazeta KOHA. Janë “martesa” që realizohen për interesa të përfitimit të dokumenteve për të siguruar punë dhe migrim në shtetet e jashtme, kryesisht të Unionit Europian. Dukuria në fjalë ka një rritje dhe shpesh herë nëpër qytet ka informata se këto martesa mundësojnë përfitimin e dokumentacionit për të migruar jashtë Maqedonisë.
Sipas të dhënave të Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër, këto martesa evidentohen edhe në këtë institucion, por jo të gjithë. Sipas punëtorit social, përgjegjës për këtë sektor pranë Qendrës për punë sociale, Ismail Mersimoski, gjatë vitit 2016 janë evidentuar gjashtë raste, por këtu theksojnë se informatat që prezantohen në opinion, tregojnë se numri i këtyre martesave është disa herë më i madh. Pas realizimit të divorcit dhe lidhjes së martesës së re, prezent janë tolerimet mes partnerëve, sidomos në aspektin e alimentacionit apo ndarjes së pasurive. Mersimoski thekson se dukshëm bëhet fjalë për martesa me marrëveshje, sidomos në raste kur një ndër partnerët jeton dhe punon jashtë shteti. Dukuria në fjalë është prezent në Dibër dhe rajon, respektivisht edhe në komunën Qendër Zhupë viteve të fundit, por qëndron fakti se ka një rritje gjatë vitit 2015 dhe 2016. Nga ana juridike, ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës themelore në Dibër, Ilir Iseni, thotë për KOHA se martesat fiktive shumë rëndë argumentohen. Elementet për të dhënë dritë një divorci të këtillë dhe martesat që pastaj vijojnë me persona të tjerë, kërkojnë fakte, kurse ato fakte nuk mund t’i gjesh, thotë ai.
Përndryshe, një numër më i madhe i martesave fiktive, përveç në Dibër, bëhen edhe në shtete ku jeton një nga partnerët. Ka raste të shumta kur martesat fiktive bëhen mes familjarëve, por edhe në raste të tjera kur bashkëshortja me marrëveshje me bashkëshortin që punon dhe jeton jashtë shteti dakordohen që burri në këtë rast të martohet për dokumente me shtetase të huaj, respektivisht atje ku jeton dhe punon. Kohëve të fundit, theksojnë burimet tona, kjo dukuri ka marrë përmasa të gjera dhe shumë dibranë, edhe pse kanë familjet e tyre –bashkëshortet dhe fëmijët në Dibër, Zhupë dhe rajonin e Rekës së Poshtme, kanë bërë martesa me dakordimin e familjes me femra në shtete të lartpërmendura. Por, punëtorët social në Qendrën sociale në Dibër, theksojnë se ka raste kur pikërisht këto martesa fiktive, respektivisht me marrëveshje përfundojnë me pasoja të degjenerimit të familjeve të vërtet të tyre. Në Dibër, aktualisht flitet për një rast të një dibrani, i cili me dakordim të bashkëshortes së tij divorcohet dhe pastaj martohet në Luksemburg për një vendase. Ai dashurohet në vendasen dhe aktualisht jeton me të. Nga ana tjetër, familja e tij në Dibër pas shprehjes së revoltës tërësisht ka ndërprerë kontaktet me kryefamiljarin që jeton në Luksemburg. Por, ky nuk është rasti i vetëm, thonë burimet tona, meqë raste të ngjashme ka me banorët e rajonit perëndimor të Maqedonisë në Gjermani, Itali etj. Kjo dukuri me karakter social dhe ekonomik dukshëm ka ndikuar edhe në prishjen e marrëdhënieve familjare në shumë familje të komunave Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostush. Është një problem teje i ndjeshëm, thonë punëtorët social në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Dibër. Sipas tyre, me qëllim që familja të rrisë standardin e saj, i jep dritë jeshile kryefamiljarit që të gjejë mundësinë që të punojë dhe jetojë përkohësisht në vendet të Unionit Evropian. Por jo gjithmonë del në shesh interesi familjar, meqë rastet të përmendura degjenerojnë jetën familjare e pastaj fillojnë edhe problemet ndërfamiljare në Dibër dhe rajon.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.