Evis HALILI
Shkup, 17 tetor – Më pak se gjysma e grave në botë punojnë në vende pune dhe arrijnë të fitojnë vetëm 77 për qind të të ardhurave që sigurojnë burrat, ndërsa tre në pesë gra janë të privuara nga leja e lindjes. Këto janë disa prej të dhënave nga Raporti vjetor për popullsinë në botë, të prezantuara nga Zyra e Fondit për popullsinë e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Ndërsa si një problemeve më të mëdha të popullsisë në vend mbeten martesat mes të miturve, informacionet për numrin e martesave ilegale, të fëmijëve që braktisin shkollimin për tu martuar, por edhe të masave preventive dhe sanksioneve ligjore. Dojna Bologa, drejtoresha e UNFPA gjatë promovimit të Raportit tha se eliminimi i barrierave sociale dhe institucionale është një prej masave që duhet të ndërmerren për të eliminuar pabarazinë.
“Është e domosdoshme që në zgjidhjen e problemit të pabarazisë gjinore të zgjidhen të gjitha pabarazitë e tjera, mes të cilave janë mundësimi më i madh i qasjes tek mekanizmat modernë të planifikimit familjar, mbrojtja e duhur antenatale për të gjitha gratë, si edhe tejkalimi i barrierave që nuk i lejojnë gratë që të realizojnë të tërë potencialin e tyre”, ka thënë Bologa. Lidhur me situatën në Maqedoni, dhe problemet që vijnë nga mungesa e barazisë në shumë nivele janë cekur martesat që bëhen në moshë të mitur. Nesime Salioska, drejtoreshë e organizatës “Roma”, ka sugjeruar disa ndryshime ligjore me të cilat do të mundësohen mbrojtja e plotë e të miturve.
“Një prej hapave të parë për t’u përballuar me këtë problem, të martesave me të mitur është ndryshimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të përfshihen të gjitha masat preventive. Po ashtu duhet të përfshihen edhe e tërë shoqëria, institucionet sociale dhe arsimore, pore dhe vetë shoqëria në evidentimin e këtij problemi dhe ndjekjen e tij. Pasi pasojat nga kjo dukuri nuk kanë të bëjnë vetëm me të miturit, por i transmetohen të gjithë shoqërisë”, ka thënë Salioska, raporton KOHA.
Në Raportin e prezantuar të UNFPA, thuhet se dështimi për të siguruar kushte për shëndetin reproduktiv tek gratë dhe të miturat që jetojnë në varfëri, duke përfshirë edhe planifikimin e familjes mund të dobësojë ekonomitë dhe të dëmtojë avancimin e një prej qëllimeve më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm, eliminimin e varfërisë. Pasojat e kësaj pabarazie, duke përfshirë edhe pabarazinë në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe reproduktive mund të ndikojnë edhe mbi qëllimet për zhvillimin e të tërë bashkësisë globale, potencohet ne Raportin e UNFPA – “Dy botë të ndryshme: shëndeti reproduktiv dhe të drejtat në kohën (era sikur përdorej dikur) e pabarazisë. (koha.mk)