Ajo është e re, e bukur, është modele dhe sapo ka mbyllur një konkurs bukurie në Bruksel ku ka arritur të jetë finaliste e spektaklit “Top Model International” 2018-2019. Marsida Jukni, shkodrania bukuroshe vjen në këtë intervistë për InfraRed të gazetës Koha për të na treguar më shumë rreth modelimit, rreth vetes, por edhe rreth premisave të saj!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: A mund të na bësh një prezantim për lexuesit e gazetës KOHA?
Përshëndetje, unë jam Marsida, jam shkodrane dhe e dashuroj modelimin! Më pëlqen të më thërrisni Marsi. (Qesh) Çfarë doni të dini më shumë?!
KOHA: Ke vite që merresh me modelim?
Kam disa vite, edhe pse dashurinë për të bukurën dhe modën e kam pasur që e vogël. Ka qenë ëndrra e fëmijërisë sime dhe më ka shoqëruar deri këtu ku jam sot.
KOHA: Si kanë qenë fillimet e tua në fushën e modelimit?
Si në çdo fushë tjetër, edhe në modelim fillimet janë të vështira. Nga tentativat e para në këtë fushë kujtoj përgatitjet e shumta dhe shpenzimet e tepërta në blerjen e rrobave, make-up-eve e aksesorëve, për t’u vlerësuar si duhet në konkurse.
KOHA: Në cilat vende ke pozuar?
Kam punuar si modele dhe fotomodele në Bruksel që ishte edhe kompeticioni më i madh i “Top Model International Marttini Project” nën drejtimin e zonjës së suksesshme Drita Martini dhe nën kujdesin e mikut tim Musa Sulejmanit dhe “Syri Blue” në Zvicër në të cilin edhe u prezantua ky spektakël dinjitoz. Nuk mund të lë pa përmendur edhe setin e fotove që kam realizuar me fotografen e këtij eventi Samia Belhadj, e cila është një profesioniste e vërtetë, ajo bën art me fotot që realizon. Pastaj për pjesën e Shqipërisë jam marrë shumë pak.
KOHA: Pse shumë pak në Shqipëri?
Sepse, arti në përgjithësi nuk vlerësohet në Shqipëri, aq më tepër modelet.
KOHA: U vlerësove me çmim në këtë spektakël bukurie?
Arrita të jem ndër të paktat finaliste dhe jam shumë e lumtur për këtë arritje.
KOHA: Çfarë ka Marsi më shumë se modelet e tjera?
Stili dhe karakteri më bëjnë të veçantë.
KOHA: Cila është modelja jote e preferuar në botë?
Më pëlqen të shikoj dhe të ndjek zhvillimet e modës në botë e do të thosha që ikonat e mia të modës janë Adriana Lima dhe Megan Fox.
KOHA: A ka Shqipëria modele apo model të mirëfilltë?
Shqipëria ka model të mirëfilltë, por mendoj që për momentin, në Shqipëri nuk ka një treg për modelet.
KOHA: Përshkruaje Marsin me tre fjalë…
E qeshur, e dashur, e sinqertë.
KOHA: Çfarë është dashuria për ty dhe a ka një dashuri në jetën tënde?
Dashuria është gjithçka, pa dashuri nuk ka kuptim. E kush nuk e ka një dashuri në jetën e tij? Gjithsesi, për këtë do të zbulojmë më shumë në intervistën tjetër, por nuk është model, nëse po mendoni këtë. (Buzëqesh) Gjithsesi unë dashuroj modelimin, por edhe gjithçka të bukur!
KOHA: Çfarë mbahet mend nga një sfilatë?
Gjatë sfilatave ka mjaft momente të bukura siç mund të jetë momenti kur të përmendet emri për të sfiluar, por mund të ketë edhe momente të këqija, si lodhja e tepërt gjatë provave të sfilatave apo seteve të fotove e gjithashtu, edhe xhelozia dhe inati i tepruar që kanë disa vajza por jo te gjitha fatmirësisht (qesh).
KOHA: Moda për ty është sakrificë apo privilegj?
Them se është pak nga të dyja aspektet. Është sakrificë pasi do t’i kushtosh një kohë të mirë, ndërsa privilegj pasi jo të gjithë i kanë kriteret e duhura për të qenë pjesë e saj.