Nga organizatorët, Platforma për Barazi Gjinore, theksohet se ky marshim ka si qëllim të sjellë në kujtesë problemet me të cilat ballafaqohen gratë çdo ditë, sidomos dhuna dhe mizogjinia
Evis HALILI
Shkup, 7 mars – Një proteste kundër neglizhencës kolektive ndaj grave dhe vajzave në çdo formë, që nga shkalla në rritje e dhunës, femicideve, padrejtësitë e përditshme sociale dhe shëndetësore dhe pasiguria ekonomike e deri te varfëria e lartë që prek veçanërisht gratë. Kështu është formuluar marshimi që do të organizohet me rastin e 8 Marsit – Ditës së gruas. Nga organizatorët, Platforma për Barazi Gjinore, theksohet se ky marshim ka si qëllim të sjellë në kujtesë problemet me të cilat ballafaqohen gratë çdo ditë, si dhuna dhe mizogjinia. “A do të mbijetojnë gratë këtu?” është slogani i marshimit që nënkupton luftën për ndryshimin e politikave për përmirësimin e kushteve në shoqëri, sepse në vitin 2023 në vendin tonë, siç u prej organizatorëve gratë janë ende të diskriminuara dhe nuk kanë të drejta dhe mundësi të barabarta në shtëpi, në punë, në politikë dhe në jetën shoqërore.
“Të jesh grua apo vajzë në Maqedoni do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes me frikë dhe të pyesësh veten se si dhe nëse do ta mbijetosh këtë ditë, duke u përballur çdo ditë me një çështje të re mbijetese, a do t’i mbijetoj udhëtimit me taksi, a do të mbijetoj këtë muaj, do t’i mbijetoj martesës apo bashkimit, a do t’i mbijetoj lindjes, a do t’i mbijetoj operacionit….?”, u shpreh Jana Kocevska nga Platforma.
Në vitin 2023, gratë përballen me politika që nuk i njohin sa duhet nevojat e tyre, institucionet nuk i mbrojnë sa duhet… Sipas organizatorëve nuk ka angazhime konkrete, por vetëm deklarative për përmirësimin e statusit të gruas në shoqëri dhe se gratë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës dhe të jetojnë në pasiguri ekonomike. Edhe pse ka progres në miratimin e ligjeve, e disa të tjerë kanë ngecur, kryesorja është zbatimi i politikave, që institucionet nuk i zbatojnë ashtu siç janë përcaktuar.
“Këtu është gabimi më i madh, sikur nuk ka vlerësim, kot është që ne deklarativisht kemi dokumente, kur nuk ka ndryshime”, thonë organizatorët. Si shembull, është sjellë rasti kur kryetarët e komunave nuk iu përgjigjën apeleve për të mos fikur ndriçimin rrugor, gjë që, sipas tyre është e rrezikshme për sigurinë e grave kur ato lëvizin në hapësira publike gjatë natës. Ata kanë apeluar që në marshimin e së mërkurës të bashkohen sa më shumë gra dhe të solidarizohen edhe burrat, sepse barazia gjinore është përfitim për të gjithë shoqërinë. Marshi do të fillojë pasdite në orën 18:00 në sheshin “Filipi i Dytë”, do të vazhdojë përgjatë urës “Goce Dellçev”, para Qeverisë deri në rrugën “Ruzveltova” duke përfunduar në Parku “Luftëtarja”. Marshime të ngjashme me rastin e 8 Marsit janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të vendit.
DIXHITALIZIMI QË KANË NEVOJË GRATË
Konferenca “Gratë dhe dixhitalizimin – tejkalimi i barrierave, hapja e mundësive për avancimin e barazisë gjinore”, organizuar të hënën nga UN Women dhe UNDP , u dikustua për krijimin e mundësive për vende pune – hapjen e rrugës drejt transformimit dixhital, pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, mjetet dixhitale për promovimin e barazisë gjinore. Sipas zëvendëskryeministres Sllavica Gërkovska se nuk është e mjaftueshme që të jemi dëshmitarë të proceseve që ngecin, por dixhitalizimi duhet të jetë një proces që sjell progres në të gjitha fushat.
“Është e rëndësishme që në prag të 8 Marsit, të flasim për gjëra që përmbajnë perspektiva reale dhe të arritshme, pozitive për gratë. Pres që së shpejti dhuna, shkeljet e të drejtave, stigma dhe paragjykimet ndaj grave të bëhen tema e së kaluarës, dhe e ardhmja të planifikohet dhe ndërtohet së bashku dhe njëlloj si nga gratë ashtu edhe nga burrat”, ishte mesazhi i Grkovskës. Ndërsa kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, theksoi se digjitalizimi ofron mundësi të pafaundme, eliminon veprimet korruptive, e nga ana tjetër i jep mundësi grave të përfshihen në shoqëri në nivel nacional dhe lokal pa u prekur nga asnjë lloj niveli diskriminimi me të cilin përballen çdo ditë. (koha.mk)