Kryetarët e këtij koalicioni dhe veçanërisht Ziadin Sela, të cilin e konsideroj si një njeri të ngritur që nuk mund të ketë komplekse shpellarësh, duhet të garantojnë se në marshet apo organizimet tjera partiake – gratë do jenë prezente dhe burrat që shtyhen për të qenë në afërsi të kryetarit, do të qëndrojnë dy rreshta pas grave
Nga Lume HYSEINI
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nënshkruan marrëveshje për koalicion për zgjedhjet parlamentare të 12 prillit ndërsa marrëveshje e nënshkruar kulmoi me një marsh në Çarshi dhe Urën e Gurit në Shkup. Nga pamjet televizive dhe fotografitë në rrjete sociale pamë qindra meshkuj të vërshonin urën e gurit në Shkup. Tmerr i vitit 2020 të këtij shekulli! Po të mos i kisha lexuar përshkrimet e fotografive dhe videove, kisha supozuar se bëhet fjalë për ndonjë ceremoni mortore, syneti ose gay paradë në të cilën çuditërisht nuk merr pjesë edhe Xha Branko! Por jo, ky marsh simbolizonte bashkëpunimin e dy partive politike me qëllim të arritjes së pushtetit politik për të vendosur një frymë të re në institucione, një ndryshim radikal të gjendjes së shqiptarëve nën moton “Shtet për të gjithë”.
Por nga imazhet që u përcjellën, logjikisht parashtrohet pyetja: Ku janë gratë?! A i përfshin shteti për të gjithë edhe gratë? Kush do e bëjë shtetin për të gjithë? Burrat, pa gratë? Supozoj se thirrjet e deritanishme për t’u përkrah opsioni opozitar iu janë drejtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë të dyja gjinive që kanë të drejtë për të votuar. Por nga ajo që pash, ndoshta edhe jam gabim. Ndoshta këto dyja janë parti mashkullore që kërkojnë votat e meshkujve! Shumë legjitime edhe kjo , ama nuk është hiç e ndershme që nuk dalin publikisht të thonë “gra, kërkoni vendin në ndonjë opsion tjetër politik se ne jemi klub mashkullor” dhe “gra ne nuk kërkojmë votë nga ju se jemi klub mashkullor, ne bëjmë shtet për të gjithë meshkujt”!
Pa dashur të elaboroj për temën e pabarazisë gjinore, emancipimin e femrës dhe mashkullit, rolet gjinore që imponohen nga kushtet sociale dhe ekonomike si sfida të shumë kulturave dhe shoqërive përveç të tonës, dua të përqendrohem vetëm te pamja e mjerë e këtij marshi që jep mesazhin se shoqëria shqiptare është thellësisht primitive dhe shpellare, sepse meshkujt mund të merren me politike jo se kanë potencial, po veç se janë meshkuj, ndërsa femrat mund të bëjnë peta të mira në shtëpi sepse nuk mund të bëjnë diçka tjetër përveç petës.
E keqja më e madhe është fakti se kjo pamje nuk korrespondon me realitetin, por vetëm na bën të turpërohemi për të njëqindën herë. Megjithëse ka gjithmonë hapësirë për përmirësim, femra shqiptare në Maqedoni është mjaftë e përfaqësuar në të gjitha segmentet e jetës publike. Sa i përket politikës, si numër femra shqiptare nuk ka qëndruar keq sepse kuota gjinore është obligim ligjor. Potenciali politik i pollitikaneve femra nuk mund të jetë objekt diskutimi nga prizmi gjinor, sepse nëse e analizojmë performancën e dobët të burrave shqiptarë që kanë dominuar skenën politike, del se politika shqiptare në këtë vend ka shumë pak burra. Në fjalorin e gjuhës shqipe, termi burrëri lidhet me të qenit i fortë, trim, i besës e fisnik si dhe posedimin e vetive të larta morale. Aq të larta i ka pritjet kultura shqiptare nga burri sa që fjalori i gjuhës shqipe vajzën apo gruan trime, të zonjë, të patundur e të guximshme e quan burrëreshë.
E vërteta e cila u fsheh nga “marshi i burrave në Shkup” është se ndër shqiptarë ka shumë femra intelektuale dhe të afta, të cilat kanë integritet në gishtin e dorës sa njëqind meshkuj që veprimtari kryesore politike e kanë garën se kush i lëpihet më shumë kryetarit të partisë. Dhe mu këta femra së bashku me meshkujt me tipare të njëjta kanë potencialin për të qenë bartës të ndryshimeve politike që do ta kishin bërë shtetin për të gjithë. Shembull të freskët e kemi përbërjen e Qeverisë së re te Kosovës ku Vjosa Osmani, femra më e votuar në Kosovë – është kryeparlamentare dhe Albulena Haxhiu si më meritorja është ministre e Drejtësisë. Pothuajse askush nga zyrtarët burra e gra të Qeverisë së re të Kosovës, përveç ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, nuk mori post hatri, por në emërime u zbatua parimi i meritokracisë. Prandaj kjo përbërje ka guximin, kapacitetin intelektual dhe potencialin politik ti prijë ndryshimeve pozitive në Kosovë. Marshi i pardjeshëm i dy partnerëve parazgjedhor më shumë i ngjante paralajmërimit se në prill do ketë garë cubash e neve nuk na duhen më cuba të ri në politikë, sepse i kemi me bollëk! Dhe ne e dimë se asnjë ndryshim i njëmend nuk mund të ndodh pa përfshirjen e femrave ashtu siç e dimë se është kulturë elementare që femrave t’ju jepet përparësi qoftë edhe në këso marshe ku ka një luftë të egër “burrash” për të qenë në radhë të parë afër kryetarit, larg kryetarit, në radhë të dytë ose së paku në radhën e pestë.
Shumëkush e arsyeton mungesën e grave në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës me lëshime të protokollit, mungesë të organizimit dhe se meshkujt janë shty shumë për të dalë në krye të kolonës dhe gratë kanë ngelur pas, prandaj edhe nuk duken. Sido që të jetë, dikush nga këto parti dhe me dikush – aludoj te kryetarët e partive, duhet të jep sqarim për këtë skandal dhe të kërkojë falje publike. Po ashtu, kryetarët e këtij koalicioni dhe veçanërisht Ziadin Sela, të cilin e konsideroj si një njeri të ngritur që nuk mund të ketë komplekse shpellarësh, duhet të garantojnë se në marshet apo organizimet tjera partiake – gratë do jenë prezente dhe burrat që shtyhen për të qenë në afërsi të kryetarit, do të qëndrojnë dy rreshta pas grave. Unë jam thellësisht e bindur se kryetarët e partive politike te ne kanë jo vetëm veti magjepsëse dhe hipnotizuese, po edhe aq autoritet sa që po deshën – mund ti qytetërojnë me zor bashkpartiakët e vet dhe po deshën – mund të krijojnë hapësirë për femrat dhe meshkujt intelektual e të emancipuar që kanë potencial dhe guxim të jenë bartës të procesit të ndryshimeve pozitive dhe krijimit të shtetit për të gjithë. Nëse nuk ndodh kjo, do na përsëritet tregimi i njëjtë me cuba të ri që zbarkuan në Qeveri…! (koha.mk)