Dimitri Payet është edhe zyrtarisht një futbollist i Olympique Marseille. Pas insistimit të pareshtur të mesfushorit francez për t’u larguar nga West Ham United, më në fund vjen edhe zyrtarizimi për kalimin e tij te Marseille. Payet që kishte refuzuar të luante për skuadrën angleze në dy javët e fundit, kishte kërkuar me çdo kusht të kthehej te Marseille, skuadër nga e cila ishte transferuar në Londër dy vite më parë. Marseille ka njoftuar në faqen zyrtare të klubit se marrëveshja është arritur dhe Payet do t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit në ditët në vazhdim. Për reprezentuesin e Francës, Marseille ka paguar 25 milionë euro dhe ka nënshkruar një kontratë prej katër vitesh e gjysmë. Payet pritet të debutojë këtë fundjavë në ndeshjen që Marseille e zhvillon si mysafir i Metz.