Fakti që Elseid Hysaj përfundoi në pankinën e Napolit pas ardhjes së Ançelotit, bëri që të qarkullojnë zëra në media, që e lidhin të ardhmen e mbrojtësit shqiptar me Çelsin.
Por duket se një transferim i tillë nuk do të jetë i lehtë, pasi Hysaj ka një rival të fortë te Blutë e Londrës. Bëhet fjalë për Cesar Azpilikuetën.
Fulvio Marruko, menaxheri i Xhianfranko Zolës, ish-futbollistit që është tashmë asistent i Sarrit te klubi londinez, ka deklaruar për mediat italiane se momentalisht transferimi i Hysajt është i komplikuar.
“Në Londër kanë aktualisht Cezar Azpilikuetën, do të ishte e vështirë për të që ta zëvendësonte. Pastaj shqiptari ka një vlerësim kartoni shumë të lartë”, shpjegoi ai, duke nënkuptuar se kjo është një arsye që e ka mbajtur shkodranin larg trajnerit Sarri.
Kujtojmë që Sarri ka qenë trajner i Hysajt që kur ai luante te Empoli, dhe karriera e shkodranit ka qenë e lidhur me atë të “mentorit” të tij.