Në brifingun diplomatik të mbajtur në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, ku u prezantuan aktivitetet e Nismës Rajonale për Azil, Refugjatë dhe Migrim – MARRI, u theksua se edhe pse vala e refugjatëve është reduktuar dhe “Rruga Ballkanike” mbetet e mbyllur, vendet rajonale duhet të jenë të gatshme që të ofrojnë përgjegjësi gjithëpërfshirëse në rast të një vale të dytë të mundshme. Brifingu u organizua në kuadër të kryesimit të Maqedonisë me MARRI-n, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues nga trupi diplomatik në Maqedoni, organizatat ndërkombëtare prezente në Maqedoni, si dhe nga institucionet të cilat kanë ingerenca në fushën e migrimeve.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, në hapjen e brifingut deklaroi se pas mbylljes së “Rrugës Ballkanike” Maqedonia është duke u përballur me trafikimin e emigrantëve, edhe atë në dimensione të mëdha. Sipas tij, për kryerjen e një lufte të suksesshme kundër këtij fenomeni, nevojitet vëmendje më e madhe dhe bashkëpunim sa më i ngushtë mes vendeve të rajonit, por nën kujdesjen e vendeve evropiane. “MARRI është vendi në të cilën të gjtihë ne duhet të dëshmojmë se mund të negociojmë, të jemi të bashkuar në çështje të caktuara dhe më e rëndësishme është të ndajmë përgjegjësitë për veprimet tona, ndërsa me atë të jemi të gatshmën edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dëshirë e cila është e përbashkët për të gjithë që janë pjesë e kësaj familjeje të vogël rajonale”, deklaroi Nuhiu, duke e quajtur këtë nismë si faktor që do të kontribuojë në funksionimin më të mirë të rajonit.
Drejtoresha e Nismës MARRI, Tamara Mugosha, prezantoi projektet e realizuara të kësaj nisme, si dhe projektet e planifikuara për të ardhmen të cilat, sipas saj, do të kontribuojnë në përforcimin e bashkëpunimit efikas në fushën e luftës kundër migracionit të paligjshëm. Nisma Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI) është themeluar në vitin 2003, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe është lançuar zyrtarisht më 5 prill 2004, në Konferencën Ministeriale të mbajtur në Herceg-Novi, konferencë e cila është themeluese e kësaj nisme si dhe sesioni i parë i Forumit Rajonal të MARRI-t. MARRI përbëhet nga shtatë shtete anëtare, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.