Marrëveshja e nënshkruar midis redaksive të “Rilindjes” dhe “Flakës së Vëllazërimit”, si dhe të revistave “Jehona” dhe “Përparimi”, për ndryshimin e fizionomisë së përmbajtjes së tyre, u kundërshtua ashpër nga udhëheqja komuniste maqedonase. Kjo çështje u shtrua në mbledhjen e XIV të KQ LKM-së e cila u mbajt më 1 mars 1968, në të cilën rëndësi më të madhe iu kushtua çështjes shqiptare, përkatësisht kërkesës për bashkimin politiko-kulturor të shqiptarëve në Jugosllavi
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Për dallim nga më herët, veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në RS të Maqedonisë nga viti 1964 pati një zhvillim më të theksuar. Tashti me ndihmën financiare të Fondit Republikan për përparimin e veprimtarisë botuese, filloi të botohet revista për kulturë artë dhe shkencë “Jehona”, pastaj gazeta e vetme në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit” u bë e përjavshme, përkatësisht 52 numra në vit, si dhe për herë të parë u botuan “përmbledhje poezish” të autorëve shqiptarë, përkatësisht të Abdylazis Islamit, Maksut Shehut, S. Selimit etj.
Përkundër asaj se veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në atë periudhë kohore pati një ngritje të dukshme, sepse tashmë ishin “tejkaluar disa dobësi themelore” që paraqiteshin më herët, Grupi për kombësitë në Komisionin për çështje politike dhe ideor-edukative të KP të LSPPM-së, ishte i mendimit që e njëjta ende nuk i përmbushte nevojat dhe nuk ishte në përputhshmëri me kërkesat e shtruara, që buronin si rezultat i transformimit të rëndësishëm shoqëror-ekonomik të “pozitës së kombësive” në strukturën e përgjithshme shoqërore të RS të Maqedonisë. Nisur nga kjo, Komisioni i propozonte KP të LSPPM-së, themelimin e këshillit botues, përkatësisht “Qendrës për veprimtari botuese të kombësisë shqiptare”, në krye të së cilës do të ishte këshilli botues me këto redaksi: redaksia e “Flakës së Vëllazërimit”, redaksia e revistës “Jehona”, redaksia e revistës për të rinj “Gëzimi”, redaksia e revistës për fëmijë “Fatosi” si dhe redaksitë për botimin e librave, beletristikës për fëmijë dhe për të rritur dhe redaksia për literaturë profesional-shkencore.
Po nga ky grup, më 30 dhjetor 1965, u sollën Konkluzione lidhur me problemet e “emisioneve në gjuhën shqipe” të Radio Shkupit, ku veç tjerash, në to vihej në pah se: “të njëjtat nuk i përmbushin nevojat më elementare të kombësive”, përkatësisht “në përmasa më të mëdha paraqesin versionin e shkurtuar të pjesës informative” nga programi i Radio Shkupit që emitohet në gjuhën maqedonase, dhe se “në mënyrë të pamjaftueshme trajtohen problemet nga jeta e kombësive” Më tej, në to thuhej se emisionet në gjuhën shqipe, krahas problemeve të përgjithshme të vendit, duhet të trajtohen “edhe problemet nga jeta e kombësive që për ta paraqet interes i veçantë…”.
Marrëveshjet kulturore-arsimore ndërshqiptare dhe reagimi i Shkupit
Nisur nga fakti se shqiptarët në RSFJ shtriheshin në tri republika dhe në KSA të Kosovës, udhëheqja politike e RS të Maqedonisë dhe ajo e KSA të Kosovës, në fillim të vitit 1967 arritën marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit, sidomos në fushën e arsimit e të kulturës. Për rrjedhojë, më 30-31 mars 1967, në Shkup u zhvilluan bisedime midis përfaqësuesve të RS të Maqedonisë dhe KSA të Kosovës në dy fushat e mësipërme. Bisedimet qenë zhvilluar përmes grupeve profesionale, edhe atë: grupet për kulturë, arsim, për veprimtari botuese dhe shtypit dhe grupet për radio-televizion. Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale e ndër-republikane i RS të Maqedonisë, në qershor të vitit 1967 informonte gjerësisht për bisedimet e mësipërme si dhe arritjen e disa marrëveshje konkrete, si: Marrëveshja midis shtëpive botuese nga Kosova e RS e Maqedonisë për botimin e librave për shqiptarët e turqit që jetojnë në të dyja territoret, në të cilën thuhej: “Shpërndarjen e librave të importuara në gjuhën turke ta kryejë ‘Makedonska Kniga’ nga Shkupi, ndërsa në gjuhën shqipe ‘Rilindja’ nga Prishtina”; Marrëveshja midis radiostacionit të Prishtinës dhe RTV të Shkupit; Marrëveshja për bashkëpunim më të ngushtë midis redaksive të gazetave në gjuhën shqipe, përkatësisht e përditshmja “Rilindja” nga KSA e Kosovës dhe e përjavshmja “Flaka e Vëllazërimit” nga RS e Maqedonisë. Në bisedimet e zhvilluara ndërmjet redaksive të “Rilindjes” dhe “Flakëssë Vëllazërimit”, ishte pranuar iniciativa e kësaj të fundit, me çka në të ardhmen “Flaka e Vëllazërimit” parashikohej që ta ndryshojë fizionominë e saj të deritatëhershme, përkatësisht e njëjta të mos ketë më karakter informativ, por të trajtojë vetëm çështjet problematike dhe të del një herë në javë, ndërsa “Rilindja” t’i trajtoj ngjarjet aktuale ditore jo vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni. Që të mënjanohet paralelizmi në botimin e revistave në gjuhën shqipe, qoftë atyre që iu dedikohej nxënësve apo të rriturve (“Jehona” dhe “Gëzimi” – Shkup, “Përparimi” dhe “Pioneri” – Prishtinë), nga palët negociuese ishte shfaqë ideja për ndryshimin e fizionomisë së tyre.
Në vazhdim po i paraqesim në tërësi marrëveshjet për bashkëpunim midis RS të Maqedonisë dhe KSA të Kosovës në fushën e kulturës dhe të arsimit:
“1. Në fushën e kulturës është vendosur që bashkëpunimi në fushën e kulturës të sigurohet dhe zbatohet me aranzhimin e drejtpërdrejtë:
– shkëmbimi – vizita të teatrove
– shkëmbimi i ansambleve muzikore, grupe e individ,
– angazhimi për vizitat e harmonizuara të ansambleve muzikore nga republikat tjera në RSM dhe KSAK,
– organizimi i shkëmbimit të ekspozitave të artit dhe të eksponateve muzeore, bashkëpunimi i artistëve të artit figurativ etj.
– pjesëmarrje e përbashkët nëpër gara, festivale etj., të grupeve kulturor-artistike amatore, pioniere, rinore etj,
– bashkëpunimi i bashkësive kulturor-arsimore dhe shtëpive kulturore, universiteteve punëtore e popullore të disa qyteteve,
– gjetja e interesit të përbashkët për zmadhimin e fondit për filmat kulturor-arsimor dhe arsimor-shkencor,
– bashkëpunimi i shkrimtarëve, pjesëmarrja e shkrimtarëve nga Krahina në ‘Mbrëmjet Strugane’ etj.
– shkollimi i kuadrit të lartë arsimor nga Krahina në shkollën e lartë muzikore, grupe për artin dramaturgjik pranë Fakultetit Filozofik dhe shkollën për artin figurativ në Shkup.
- Në fushën e arsimit është arritur marrëveshja:
– të vazhdohet me hulumtimin e plan-programeve mësimore: për mësim në gjuhën shqipe si dhe për histori në shkollat fillore e të mesme, si dhe për mësim në gjuhën turke në shkollat fillore e të mesme. Për lëndët tjera të shqyrtohet edhe specifika e programit të KSAK-së, përkatësisht RSM-së,
– rezultatet e hulumtimeve të plan-programet t’u dërgohen ndërmarrjeve botuese dhe për to të njoftohet opinioni i gjerë profesional (informatë për këtë do t’i dërgohet faktorit përgjegjës shoqëror-politik),
– që të përshpejtohet bashkëpunimi në të gjitha këto çështjeje, duhet sa më parë të ndërpritet çështja drejtshkrimore të gjuhës shqipe, ndërsa çështjet e shumta që lidhen me gjuhën t’i lihet praktikës,
– të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për marrjen e literaturës në gjuhën shqipe e turke për nevojat e shkollave fillore e të mesme nga vendet amë,
– ndërmarrjet botuese duhet të sigurojnë kontakt dhe bashkëpunim me ndërmarrjet distributore,
– bashkëpunimi i fakulteteve filozofike dhe shkollave të larta pedagogjike duhet të realizohet: në harmonizimin e planeve e programeve të grupeve për gjuhë e letërsi shqipe, përkatësisht turke, shqyrtimin e çështjeve tjera të interesit të përbashkët: studimeve të rralla, provimet pranuese etj.
– të realizohet bashkëpunimi i përgjithshëm i të dy enteve shkollore”.
Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit, më 11 korrik 1967 me ftesë të Konferencës Krahinore të LSPP të Kosovës, në Prishtinë qëndroi një delegacion i KR LSPP të Maqedonisë në përbërje: Azem Zylfiqari, kryetar i Konferencës, Gogo Nikollovski, sekretar dhe Gjoko Mitrevski, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të LSPPM-së. Në fakt, vizita e kreut të LSPPM-së, siç merret vesh, kishte të bënte rreth arritjes së marrëveshjes “që në vitin 1968 bashkërisht të kremtohen dy data historike për kombin shqiptar: 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe 60 vjetorin e Kongresit të Alfabetit në Manastir”. Për koordinimin e aktiviteteve dhe përshtatjen e programeve, ishte propozuar formimi i Këshillit koordinues, në të cilin do të merrnin pjesë: katër përfaqësues nga RS e Maqedonisë, tre nga RS e Malit të Zi dhe 8 nga KSA e Kosovës dhe RS e Serbisë. Dy palët kishin ra në ujdi që gjatë kremtimeve të këtyre dy festave, kujdes të veçantë t’u kushtohet çështjeve si më poshtë:
“- ato të shënohen në mënyrë që do t’i kënaqte nevojat e kombësisë së shumtë shqiptare në RS të Maqedonisë, KSA të Kosovës dhe RS të Malit të Zi, por njëkohësisht edhe nevojën për përfshirjen në manifestim edhe të qytetarëve tjerë nga të dy republikat dhe krahina;
– jubiletë të shënohen në shenjë të përpjekjeve për afirmimin dhe zbardhjen e atyre ideve, të cilat nëpërmjet së kaluarës historike e kanë afruar kombin tonë (maqedonas – Q.L.) dhe kombësitë (shqiptarët – Q.L.) dhe kanë kontribuar për lidhjen e forcave progresive;
– programet e manifestimeve, të mos kenë shenja të ndonjë gare me përgatitjet që kryhen në Shqipëri. Në këtë pikëpamje janë të domosdoshme kërkesat, kontaktet dhe shfrytëzimi i mundësive për ndonjë formë të aktiviteteve lidhur me jubiletë.
– për nevojat e shkollave dhe të institucioneve tjera kulturor-arsimore, është e domosdoshme të sigurohet një publikim i popullarizuar, nëpërmjet të cilit do të mundësohej njohja me jetën e Skënderbeut dhe me kohën kur ai ka jetuar e luftuar.
– duhet që edhe nëpërmjet manifestimeve përkatëse – akademi, të shënohen dy jubiletë për të cilat këshilli për manifestim do të propozojë program më konkret.
– kremtimi lidhur me alfabetin shqiptar mund të shënohet edhe me zbulimin e pllakës përkujtimore në Manastir, në shtëpinë ku është shtypur abetarja.
– si figurë e rëndësishme historike në Ballkan, me meritat e Skënderbeut duhet të njoftohen edhe kombet e kombësitë tjera në RSFJ-ë. Për këtë qëllim, duhet të publikohen shkrime nëpër shtëpi të ndryshme botuese të republikave dhe në përgjithësi në RSFJ-ë.
– prania e mundshme e elementeve të ndryshme dhe dukuritë e romantizmit e nacionalizmit, i obligon të gjithë punëtorët politik e kulturor në përmbajtje e objektivitet, me prani të plotë të vetëdijes shkencore e politike për kohën kur janë zhvilluar ato ngjarje dhe kohën prej ku të njëjtit i shohim…”.
Konferenca e LSPPM-së zgjodhi këshillin për organizimin e dy manifestimeve të mësipërme me këtë përbërje: Hysen Ramadani, Lutfi Rusi, Memedali Hoxha, Vllado Maleski, Xhevat Gega, Dr. Petro Janura, Mateja Mateski, Niko Kirijas, Murat Isaku, Meti Kërliu, Ali Aliu, Gjoko Mitrevski, Dr. Stevan Antolak, Masar Kodra, Luan Starova, Shukri Rahimi dhe Nexhati Zekiria.
Me 9 nëntor 1967, një delegacion i lartë i Lidhjes Socialiste të Kosovës, në krye me Iliaz Kurteshin, zhvilloi një vizitë treditore në Maqedoni. Pasi delegacioni vizitoi Tetovën, Gostivarin, Shtipin dhe Koçanin, më 11 nëntor në Konferencën Republikane të LSPPM-së në Shkup u zhvilluan bisedimet përfundimtare për detyrat e mëtutjeshme në thellimin e bashkëpunimit midis organizatave të LSPP-së në Maqedoni e Kosovë. Kryetari i Konferencës Krahinore të LSPP të Kosovës, Iliaz Kurteshi dhe kryetari i Konferencës Republikane të LSPPM-së, Azem Zulfiqari, veç tjerash konstatuan se bashkëpunimi i organizatave të LSPP-së të Kosovës e të Maqedonisë, ka arritur të orientohet edhe në nivelin komunal, që për ta ishte shumë e rëndësishme. Në bisedimet ku morën pjesë edhe Liljana Maneva, nënkryetare e Konferencës Republikane, Gogo Nikollovski, sekretar etj., u vlerësuan shumë pozitivisht përpjekjet e deriatëhershme për lidhjet midis organizatave ekonomike nga RSM-ë dhe KSA e Kosovës, më pas përvoja nga bashkëpunimi në arsim, shëndetësi, veprimtaria botuese e kulturore dhe informimi…”.
Më 22 nëntor 1967, gazeta “Nova Makedonija”, publikoi intervistën e Azem Zulfiqarit, kryetar i Konferencës Republikane të LSPPM-së, dhënë “Rilindjes”. Në pyetjen e gazetarit se “Çfarë duhet të bëhet për bashkëpunimin e redaksive”, Zylfiqari përgjigjet: “…Sa i përket Radio Prishtinës dhe Radio Shkupit do të zgjidhet në momentin kur do të instalohet dhe shfrytëzohet rrjeti teleprintues midis të gjitha radio-stacioneve republikane e krahinore. Mirëpo, konsideroj se ‘Rilindja’, si gazetë e përditshme duhet t’i tejkalojë përmasat krahinore. Gjithashtu, edhe ‘Flaka e Vëllazërimit’ do të shndërrohet në gazetë për nevojat e problemeve të aspekteve të ndryshme shoqërore…”.
Mirëpo, marrëveshja e nënshkruar midis redaksive të “Rilindjes” dhe “Flakës së Vëllazërimit”, si dhe të revistave “Jehona” dhe “Përparimi”, për ndryshimin e fizionomisë së përmbajtjes së tyre, u kundërshtua ashpër nga udhëheqja komuniste maqedonase. Kjo çështje u shtrua në mbledhjen e XIV të KQ LKM-së e cila u mbajt më 1 mars 1968, në të cilën rëndësi më të madhe iu kushtua çështjes shqiptare, përkatësisht kërkesës për bashkimin politiko-kulturor të shqiptarëve në Jugosllavi dhe në këto suaza edhe “angazhimit të tyre për ndryshimin e fizionomisë së gazetave”, përkatësisht gazeta e atëhershme në gjuhën shqipe “Rilindja” të jetë gazetë ditore për mbarë shqiptarët në Jugosllavi, ndërsa “Flaka e Vëllazërimit” e përjavshme. Duhet theksuar se jo të gjithë u pajtuan me këto vlerësime dhe kualifikime. Kështu, sipas mendimit të Gjoko Mitrevit, në fjalimin e tij ndër të tjerave tha se kërkesa për “krijimiin e një qendre të vetme kulturore shqiptare”, nuk duhet vlerësuar “apriori si separatiste”, sepse, siç do të shprehet: “…ato tendenca nuk janë të atij karakteri të tillë që të mund t’i dramatizojmë dhe për shkak të atyre rezervave të pamundësojmë edhe disa vendime të tilla, të cilat për momentin janë mase të nevojshme për përmbushjen e nevojave të kombësive…”. Duke mos u pajtuar me pjesën e materialit ku thuhej se “me ndryshimin e fizionomisë së “Flakës së Vëllazërimit” kombësisë shqiptare “i është marrë e drejta të ketë gazetën e vet”, ai shprehi dilemën e tij se “sa mund të jetë e qëndrueshme kjo” para një logjike se “nuk mundet një e përjavshme të jetë gazetë informative e përditshme”, përkundër përpjekjeve që “ajo gazetë të jetë e tillë”, përkatësisht të jetë një “medium plotësues edhe në informimin, edhe në ngritjen e përgjithshme arsimore e politike të një pjesë së popullsisë sonë”, prandaj, sipas tij, ndryshimi i fizionomisë së gazetës, nuk përbënënte “dukuri negative”, por përkundrazi, një hap para.
Ndaj fjalimit të Gj. Mitrevit, reagoi kryetari i KQ LKM-së, Kërste Cërvenkovski, i cili ndër të tjerave, fjalimin e tij e cilësoi si përpjekje për ta arsyetuar marrëveshjen, e cila me përkrahjen e tij, ishte realizuar ndërmjet udhëheqjes së Kosovës dhe disa mediumeve të shqiptarëve në Maqedoni. “..Ti Gjoko, shprehet Cërvenkovski, nisesh nga ajo që në një farë mënyre këtu ta elaborosh marrëveshjen, e cila me mbështetjen tuaj është arritur midis Kosovës… dhe mediumeve të caktuara të shqiptarëve në Maqedoni. Atë problem ne e shqyrtuam së bashku me shokët nga Kosova, që ishte një debat tepër shoqëror e i hapur, e bashkërisht erdhëm te konkluzioni se ato parashtresa në planin e shtypit, madje edhe në planin e arsimit, që i kanë bërë edhe disa organe tona arsimore, gjithashtu me mbështetjen tuaj, janë diçka që është e papranueshme… E nëse insistohet mbi atë që një gazetë e cila del në Kosmet, të jetë gazetë ditore për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi, e nga ana tjetër, kur pretendohet kah ajo që një ‘Flakë’ në Shkup të jetë gazetë javore për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi – konsideroj se këto janë punë të cilat janë kryer në shpejtësi, edhe pse nuk dyshoj në qëllimin e mirë të autorëve. Por njëlloj, qëllimi i mirë të çon kah njëra rrugë në tjetrën…”.
Në diskutim morën pjesë mbi tridhjetë pjesëmarrës, në mesin e tyre pati edhe shqiptarë si: Kadri Jakupi, Azem Zulfiqari, Hysen Ramadani, Xhemail Vejseli, Sefedin Sulejmani, Sadik Sadiku, Abedin Zenku, Nushi Kërliu, Bajram Gola, Nexhat Mustafa dhe Reis Shaqiri. Mbështetur në procesverbalin e lëshuar nga kjo mbledhje, në mënyrë të qartë vërehet lojaliteti dhe servilizmi i lartë i përfaqësuesve komunistë shqiptarë ndaj politikës së udhëheqjes politike maqedonase, të cilët madje në disa raste ishin ende më të ashpër ndaj siç deklaronin ata “kërkesave separatiste të shqiptarëve”. Sa për ilustrim, po e paraqes një pjesë të fjalimit të Hysen Ramadanit, anëtar i KE të KQ të LKM-së, i cili, pasi e mbështeti në tërësi fjalimin e K. Cërvenkovskit shtoi: “…Çdo tendencë e cila ka për qëllim granatimin dhe aq më shumë e cila ka për qëllim ta komprometojë politikën e deritanishme të LKM-së rreth çështjes nacionale dhe marrëdhëniet ndërnacionale, duhet të hidhet poshtë dhe të dënohet nga të gjithë ne, posaçërisht nga komunistët nga radhët e pakicave nacionale… Komunistët shqiptarë dhe të gjithë ne bashkërisht duhet të luftojmë kundër çfarëdo lloj tendence, e cila shkon drejt lidhjes vertikale të shqiptarëve në Jugosllavi. Shqiptarët në kuadër të bashkësisë sonë socialiste janë të lidhur vertikalisht dhe horizontalisht me federatën, me strukturat republikane dhe krahinore nëpërmjet sistemit vetëqeverisës…”.
(vijon nesër)