Shkup. 17 nëntor – Në ambientet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, ekselenca e Tij Reisul Ulema H. Sulejman ef., Rexhepi dhe drejtori i Agjencisë Tika, z. Temoan Tiryaki, të enjten nënshkruan marrëveshjen për restaurimin dhe planifikimin hapësinor të tre xhamive të periudhës osmane në Shkup,Sultan Murat, Ishak Bej (Allaxha) dhe Husejin Shah në Shkup”. Punimet de të realizohen nga TIKA në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Maqedonisë dhe Ministrinë e Kulturës. Tiryaki tha se TIKA në Maqedoni dhe Ballkan ka realizuar projekte dhe aktivitete në fusha të ndryshme. “Në kuadër të kësaj, kanë përfunduar punimet e projektimit, janë caktuar firmat përmes tenderit dhe kanë filluar punimet e restaurimit për xhamitë Sultan Murat, Allaxha dhe Husejin Shah, punimet projektuese të të cilave i kemi filluar vitin e kaluar”, u shpreh Tiryaki, i cili theksoi se xhamitë që do të restaurohen, janë ndër objektet më të rëndësishme të periudhës Osmane në Shkup dhe se ato janë simbolet e qytetit. “Shpresojmë që brenda dy viteve e gjysmë ta përfundojmë restaurimin e këtyre objekteve dhe sërish t’ua dorëzojmë Bashkësisë Islame”, tha Tiryaki, duke falënderuar më tej Bashkësinë Islame të Maqedonisë për mbështetjen e ofruar. Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, tha se në këtë ceremoni është nënshkruar marrëveshja për restaurimin e tre xhamive të cilat janë monumente historike dhe të mbrojtura me ligj. “Falënderojmë Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA për restaurimin e xhamisë Husejin Shah, e cila është një ndër xhamitë e para të ndërtuara në Maqedoni në periudhën Osmane, xhamisë Sultan Murat, e cila është ndër xhamitë më të mëdha në Ballkan, dhe xhamisë Allaxha, e cila pranohet si njëra ndër monumentet e rralla historike”, tha efendi Rexhepi, duke shtuar se bashkëpunimi mes Bashkësisë Fetare Islame dhe TIKA-s është në nivelin më të lartë. Rexhepi më tej theksoi se viteve të fundit TIKA ka punuar jo vetëm në mbrojtjen e xhamive, por edhe të gjithë trashëgimisë aktuale kulturore të periudhës Osmane. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua dhe u ra dakord që me mbarimin e vitit akademik 2016-2017, TIKA do të fillojë me punimet për plotësimin e mungesave të Medresesë Isa Beu në Shkup dhe konviktit të tij. Ndërsa gjatë restaurimit, tre xhamitë do të jenë të mbyllura për adhurim.