MARRËVESHJE 100 MILIARDËSHE: Putin dhe Xi Jinping s’kanë qenë kurrë kaq të afërt

Kriza ukrainase dhe sanksionet perëndimore kanë prodhuar një impuls bashkëpunimi të paprecedentë, midis Rusisë dhe Kinës. E gjithë kjo ndërsa Pekini, pasi përjetoi globalizimin në mënyrë pasive, si fabrika e botës, tashmë po shtrihet jashtë vetes, si kurrë më parë. Samiti në Moskë mes Vladimir Putin dhe Xi Jinping, të hënën informal dhe dje zyrtar, ishte i domosdoshëm për të hedhur firmën, mbi një seri marrëveshjesh të planifikuara gjatë forumit “Një Brez, Një Rrugë” në 14 dhe 15 maj në Pekin. Shkëmbimet tregtare dypalëshe kanë arritur afro 100 miliardë dollarë (10 miliardë nga sot, deri në fund të vitit), një shifër që pritet të dyfishohet deri në vitin 2020. “Aspektet ekonomike janë gjithmonë në qendër të vëmendjes sonë – tha Putini gjatë samitit, por ne po merremi me shumë çështje të tjera. Është i rëndësishëm bashkimi i përpjekjeve tona në arenën ndërkombëtare, në fushën e sigurisë, në luftën kundër kërcënimeve si dhe sfidat bashkëkohore”. Presidenti kinez, duke iu drejtuar Putinit, kujtoi se “në mesin e të gjithë udhëheqësve të huaj, me të kam marrëdhënie më të afërt. Në këto vite ne jemi takuar 22 herë, gjë që reflekton karakterin e veçantë të bashkëpunimit tonë”. Vendimi rus për t’iu bashkuar Bankës Aziatike të Investimeve për Infrastrukturën, e krijuar nga Kina, tregon se si qeveria ruse ka ndërruar ndjeshëm timonin për nga lindja, duke kërcënuar dominimin amerikan në zonë. Nuk është rastësi që në marrëdhëniet dypalëshe Kinë-Rusi, Kinë-Kore e Jugut dhe Japoni-Indi, ato që janë duke u zhvilluar më mirë, janë marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit. Më 20 dhjetor, 2019 do të vihet në punë gazsjellësi “Fuqia e Siberisë” për eksportet e gazit rus në Kinë. Të dy vendet gjithashtu kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim në sektorin e hapësirës, e cila krijon një program të përbashkët të eksplorimit të Hënës. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm, është ai ushtarak. Putin dhe Xi Jinping kanë diskutuar edhe për aktin e radhës të forcës (raketat ndërkontinentale drejt Japonisë) të bërë nga diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong-un, duke rënë dakord që së bashku të shtyjnë për një zgjidhje të mirëfilltë të çështjes në Gadishullin Korean, nëpërmjet dialogut dhe negociatave. Të dy udhëheqësit kanë dënuar përsëri sistemin e raketave amerikane Thaad, instaluar në Korenë e Jugut. Kjo strukturë është motivuar nga SHBA me nevojën për të mbrojtur pjesën jugore të gadishullit nga kërcënimit i Koresë së Veriut. Për Putin dhe Xi, ajo paraqet një rrezik për ekuilibrin e pasigurt në rajon. Ekuilibër që mund të kthehet në një luftë të re të ftohtë, në rast se do të shkaktojë një seri stërvitjesh ushtarake të përbashkëta në Detin e Verdhë.