Ministria e Punëve të Jashtme jugosllave, më 11 dhjetor 1935, urdhëronte Legatën e saj në Ankara, që sa më shpejtë që është e mundur të iniciojë arritjen e një Konvente me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për “shpërnguljen e popullsisë myslimane nga viset jugore për në Turqi”. Kjo çështje, thuhej në urdhëresë, “është e një rëndësie të shkallës së parë për vendin tonë”, prandaj kësaj “t’i kushtoni vëmendje sa më të madhe”, dhe të bëni çmos që “me Qeverinë turke të arrihet sa më parë marrëveshja e propozuar…”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Qeveria e Stojadinoviqit, në shtator të vitit 1935 themeloi Komitetit Ndërministror, i cili në tetor të atij viti hartoi “Projektin” për siç thuhej “shpërnguljen e elementeve josllave nga Serbia Jugore”. Në të veç tjerash thuhej se çështja e shpërnguljes “duhet rregulluar sa më parë përmes konventës speciale” midis Jugosllavisë dhe Turqisë, si dhe midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ashtu sikurse “kjo çështje është zgjidhur midis Turqisë dhe Rumanisë”. Në rast se me Shqipërinë – thuhej në vazhdim – nuk do të mund të arrihet marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, ose nëse shqiptarët nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi, menjëherë duhet shkuar në dispozitat ligjore ekzistuese për shpërnguljen e këtij elementi nga zonat kufitare në brendi të vendit dhe popullzimin e zonave të njëjta me popullsi të kombësisë jugosllave….” Projekti, për të gjithë ata persona, të cilët “shprehnin dëshirën për shpërngulje”, përkatësisht, jepnin deklaratë se tërhiqeshin nga shtetësia jugosllave parashikonte lehtësime të shumta.
Për rrjedhojë, Ministria e Punëve të Jashtme jugosllave, më 11 dhjetor 1935, urdhëronte Legatën e saj në Ankara, që sa më shpejtë që është e mundur të iniciojë arritjen e një Konvente me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për “shpërnguljen e popullsisë myslimane nga viset jugore për në Turqi”. Kjo çështje, thuhej në urdhëresë, “është e një rëndësie të shkallës së parë për vendin tonë”, prandaj kësaj “t’i kushtoni vëmendje sa më të madhe”, dhe të bëni çmos që “me Qeverinë turke të arrihet sa më parë marrëveshja e propozuar…”. Burimet diplomatike jugosllave, nxjerrin në pah se përkundër përpjekjeve të shumta nga Beogradi zyrtar për ta bindur Ankaranë të nënshkruaj sa më parë një Konventë të tillë edhe me Jugosllavinë, kjo çështje për Qeverinë turke nuk ishte me prioritet, për arsye se sipas tyre numri i popullsisë turke në këtë shtet (jugosllav) arrinte shifrën prej rreth 50.000 banorëve, që për dallim nga shtetet tjera ballkanike, si p.sh. në Bullgari, numri i të cilëve ishte 400.000, Greqi, 300.000 dhe Rumani 450.000, përbënte një pakicë e parëndësishme. Këto të dhëna edhe pse ishin reale, binin ndesh me planet dhe projektet serbo-madhe, të cilat parashikonin të shpërngulnin rreth 750.000 myslimanë (550.000 i konsideronin për shqiptarë dhe 200.000 turq) nga tokat shqiptare të cilat gjatë vitit 1913 iu aneksuan Serbisë:
“Për ne është shumë me rëndësi – i shkruante më 18 tetor 1935 Stojadinoviq përfaqësuesit diplomatik jugosllav në Ankara – që Ligji turk për kolonizim, parasheh emigrimin në Turqi jo vetëm të turqve, por edhe popullsi të kulturës turke… për arsye se në këtë mënyrë për ne ekziston mundësia, që krahas turqve, të cilët do t’i shpërngulim nga vendi ynë për në Turqi, të fusim edhe një numër më të madh të shqiptarëve”.
Pas përpjekjeve thuajse trevjeçare, autoritetet jugosllave, duke e shfrytëzuar Konferencën e Marrëveshjes Ballkanike, punimet e së cilës u mbajtën gjatë muajit shkurt 1938 në Stamboll, arritën ta bindin Qeverinë turke për fillimin e negociatave rreth konventës. Kryeministri jugosllav, M. Stojadinoviq, më 29 mars 1938, përmes një telegrami të shifruar, e porosiste të deleguarin e tij në Ankara, Axhemoviq, të veproj te autoritetet turke rreth përshpejtimit të fillimit të negociatave për shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi: “Në mbledhjen e Ankarasë që vendosur që muajin e ardhshëm në Stamboll të organizohet konferenca për çështjen e shpërnguljes së turqve. Më 7 prill në Stamboll takohet Këshilli ekonomik të Marrëveshjes Ballkanike prandaj vlerësoj se do të ishte e përshtatshme që me atë rast të takohen edhe përfaqësuesit për çështjen e shpërnguljes. Në atë mënyrë nga të dy anët do të ruhej sekreti rreth negociatave për këtë çështje. Në këtë këndvështrim në Beograd i është folur Numanit i cili parimisht u dakordua. Ju lutem këtë çështje hulumtoni në vendin kompetent dhe nëse janë dakord le të dërgojnë ftesë të nevojshme”.
Ndërkohë, autoritetet turke propozuan që negociatat të fillonin më 7 qershor 1938 në Stamboll, me të cili propozim u dakordua edha pala jugosllave. Në fakt, negociatat filluan më 9 qershor dhe zgjatën deri më 11 korrik. Delegacionin turk e përfaqësonte Hasan Saka, deputet i popullit dhe ish ministër, ndërsa delegacioni jugosllav përbëhej nga Millan Ristiq, shef i Dhomës politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Vojsllav Magovçeviq, inspektor pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në negociata ishte paraparë të merrte pjesë edhe një delegat rumun dhe një mbikëqyrës grek. Shefi i delegacionit jugosllav, M. Ristiq, më 14 qershor 1938, i shkruante, M. Stojadinoviqit, për rrjedhat e negociatave, sipas së cilit, turqit, ishin dakorduar për dy çështje thelbësore:
“1/ në afat prej gjashtë viteve të pranojnë 200.000 vetë nga Serbia Jugore (Kosova dhe trevat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi – Q. L.). Fëmijët nën moshën 10 vjeçare nuk hynë në këtë kuotë, e as që jepet dëmshpërblim për ta.
2/ që në këtë kuotë të hynë edhe shqiptarët”.
Negociatat, siç u tha më lartë zgjatën deri më 11 korrik, në të cilën datë dy palët negociuese parafuan tekstin përfundimtar të Konventës. Në mbledhje vendoset që të përgatitet një komunikatë që do t’i përcillej shtypit të të dyja vendeve nën kujdesin e Agjencisë së Anadollisë, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë: “Komisioni për shpërngulje i formuar për të studiuar e për të shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me shpërnguljen e turqve të Jugosllavisë, u mblodh më 9 qershor 1938 në Stamboll nën udhëheqjen e Sh. së T. Hasan Saka, deputet dhe Kryetar i Seksionit turk të Këshillit Ekonomik për Mirëkuptim Ballkanik, dhe se i ka përfunduar punët e tij më 11 korrik 1938 duke sjellë një rezultat pozitiv dhe të kënaqshëm për palët e interesuara të të dyja vendeve mike dhe aleatë. Ky Komision përbëhej prej Z.-ve Hasan Saka, Xhevdet Atasagan, Drejtor i Përgjithshëm për vendosjen e popullatës, në Ministrinë e Higjienës dhe të Asistencës sociale, Millan A. Ristiq, shef i Seksionit Ballkanik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe Vojsllav V. Magovçeviq, Inspektor në Ministrinë e Bujqësisë. Delegatët e kanë sigluar tekstin e Konventës që qeveris dhe e rregullon shpërnguljen e turqve të Jugosllavisë që pastaj të njëjtën t’ua prezantojnë Qeverive të tyre gjegjëse. Kjo Konventë do të firmoset sapo qeveritë përkatëse ta kenë miratuar dhe do të hyjë në fuqi kur të ratifikohet”.
Konventa parashihte që brenda gjashtë viteve, duke filluar nga viti 1939 e deri në vitin 1944, nga Kosova, trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme Veriore dhe Mali i Zi, do të shpërnguleshin gjithsej 40.000 familje shqiptare myslimane. Kjo çështje sqarohej në nenin IV të Konventës, ku thuhej shprehimisht:
“Riatdhesimi i këtyre 40.000 (mijë) familjeve do të bëhet në afat brenda gjashtë viteve, me këto përpjesëtueshmëri:
Në vitin 1939: 4.000 (mijë) familje
Në vitin 1940: 6000 (mijë) familje
Në vitin 1941: 7000 (mijë) familje
Në vitin 1942: 7000 (mijë) familje
Në vitin 1943 : 8.000 (mijë) familje
Në vitin 1944: 8000 (mijë) familje
Nëse kjo kuotë-pjesë vjetore nuk do të mund të realizohej për shkak të ndonjë pamundësie rasti, të dyja palët kontraktuese do të merren vesh përmes legatave përkatëse për numrin e të shpërngulurve që do të zbrazen a largohen në një anë e do të pranohen në anën tjetër, tre muaj para se të fillojë periudha e shpërnguljes. Ndërkaq, kuptohet se këto ndryshime rasti të numrit vjetor të të shpërngulurve nuk mund të zgjasin më tepër se një vit të afatit të caktuar për shpërngulje prej gjashtë muajsh. Periudhat vjetore të shpërnguljes do të zgjasin që nga fillimi i muajit maj deri më pesëmbëdhjetë tetor, përveç kur të jetë fjala për kontingjentin e të shpërngulurve për vitin e parë e i cili do të fillon të zbrazet e largohet vetëm në fillim të korrikut të vitit 1939”. (vijon nesër)