Athina dhe Shkupi arritën marrëveshje për emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, e transmetojnë mediat perëndimore si “breaking news” lajmin se kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras janë pajtuar për zgjidhjen e kontestit i cili mbi dy dekada i ka tensionuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
E theksojnë deklaratën e Ciprasit të dhënë në takimin me presidentin grek Prokopis Pavlopulos, se Athina dhe Shkupi janë pajtuar për emër të ri për Maqedoninë me çka i jepet fund kontestit 25-vjeçar.
“Arritëm marrëveshje të mirë e cila i përfshin të gjitha kushtet të cilat i vendosi Greqia”, theksoi Cipras pasi e informoi Pavlopulosin për atë që kanë rënë dakord.
Ai tha se marrëveshja është arritur pasi foli sot përmes telefonit me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev. Marrëveshja, sipas tij i ka plotësuar kërkesat e Greqisë se emri i rishikuar për Maqedoninë është “i përbërë me përcaktim gjeografik”.
Maqedonia, siç përkujtojnë mediat perëndimore, shpreson se zgjidhja e kontestit do të ndihmojë të hapet rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.