Shkup, 29 qershor – Më 5 ose 6 korrik do të caktohet seanca kuvendore në të cilën duhet sërish të votohet për Marrëveshjen me Greqinë për emrin, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Më pas, siç tha, nëse për herë të dytë presidenti i shtetit nuk e nënshkruan dekretin dhe kjo u bë praktikë, do të përdoret e njëjta zgjidhje edhe për Marrëveshjen, por edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Një nga zgjidhjet është që ata të dërgohen në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit Gjorge Ivanov.
Por, Xhaferi i lë hapësirë Ivanovit që të ndërrojë mendim dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen, në këtë, siç tha, moment historik për shtetin. Xhaferi theksoi se Kuvendi duhet që t’i zbatojë vendimet e tij dhe se të gjithë që kanë dilema për ligjin duhet që të parashtrojnë iniciativa në Gjykatën Kushtetuese.
Afati për propozim për anëtarët e KSHZ-së përfundon sot dhe nëse mbahet seanca e Komisionit për zgjedhje dhe emërime Xhaferi do të mund të konvokojë seancë javën e ardhshme. Por kjo mund të jetë edhe më 17 korrik.
Lidhur me referendumin thotë se nëse mbahet në fund të shtatorit, ai duhet që të shpallet në fund të korrikut.