Osmani dhe Dendias të enjten në Athinë do të nënshkruajnë tre memorandume bashkëpunimi: njërin me “Enterprise Greece”, tjetri për mbrojtjen civile dhe i treti për bashkëpunimin midis akademive diplomatike të dy ministrive të jashtme
Destan JONUZI
Shkup, 12 janar – Mbajtja e seancës së dytë ndërqeveritare, ratifikimi i memorandumeve në parlamentin grek dhe mbështetja e mundshme praktike nga Athina për Shkupin në rrugën drejt BE-së, mund të jenë një pjesë e sfidave në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për vitin 2021, duke pasur parasysh që këto aktivitete – nga viti i kaluar transferohen këtë vit. Vitin e kaluar e karakterizoi vizita e parë e kryeministrit nga Maqedonia e Veriut në Athinë, komunikimi më intensiv për bashkëpunim, veçanërisht në energjetikë, kanal i hapur komunikimi midis Ministrave të Shëndetësisë të dy vendeve, por edhe shprehja e vazhdueshme e mbështetjes nga pala greke për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ky vit, megjithatë fillon në mënyrë dinamike, me nënshkrimin e tre memorandumeve të reja të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, do të udhëtojë në Athinë të enjten, ku do të takohet me homologun e tij grek, Nikos Dendias, si dhe me shefin alternativ të diplomacisë grek Militiadis Varvitsiotis, i cili është kompetent për çështjet evropiane. Osmani dhe Dendias do të nënshkruajnë tre memorandume bashkëpunimi: njërin me “Enterprise Greece”, tjetri për mbrojtjen civile dhe i treti për bashkëpunimin midis akademive diplomatike të dy ministrive të jashtme.
Sipas zëdhënësit të MPJ-së greke, Aleksandros Papaioanou, këto janë memorandume që nuk do të duhet të ratifikohen nga Parlamentet. Në Parlamentin grek, tashmë ka tre memorandume për disa muaj, në pritje të ratifikimit. Bëhet fjalë për Memorandumin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, Memorandumin për themelimin e Komitetit koordinues për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshjen teknike për mbikëqyrjen e FIR Shkup që del nga Marrëveshja e Prespës. Pak para vizitës dyditore të punës së Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në Greqi dhe takimeve me udhëheqjen e shtetit grek, në shtator të vitit të kaluar ato u sollën në Parlament dhe sipas procedurave, hapi tjetër është të shqyrtohen nga Komiteti kompetent për sigurinë kombëtare dhe punët e jashtme, kurse pasi anëtarët e Komisionit do të japin dritën jeshile, ratifikimi do të bëhet në seancë të Parlamentit. Një sfidë tjetër për këtë vit është hapja e kufijve për qytetarët e Maqedonisë, një çështje që ndoshta do të varet nga rrjedha e pandemisë. (koha.mk)