Athinë, 8 janar – Në prag të votimit të fundit për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë dhe afrimit të momentit kur topi do të hidhet në terrenin grek, po nxehet termometri politik në Greqi. Athina do të duhet të ratifikojë edhe Marrëveshjen e Prespës edhe protokollin për integrimin tonë në NATO, procese këto që nuk përjashtojnë mundësinë e shkaktimit të zhvillimeve politike në Greqi, e sipas disa skenarëve, do të sjellin madje edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Besohet se gjithçka do të varet nga qëndrimi i Panos Kamenosit. Kryetari i Grekëve të Pavarur, ministër i Mbrojtjes i Greqisë dhe partner koalicioni në Qeveri, caktoi për nesër mbledhje të grupit parlamentar dhe të komitetit ekzekutiv të partisë, diçka që sipas shumëkujt në Greqi, mund të jetë hap drejt braktisjes së Qeverisë. Dhe e gjithë kjo vetëm një ditë para vizitës së Angela Merkelit në Athinë.
Sipas mediave greke, nuk përjashtohet mundësia që dy partnerët e koalicionit Aleksis Cipras dhe Panos Kamenos të realizojnë takim.
A do ta mbështesin Kamenosin të gjithë deputetët e Grekëve të Pavarur? Ose do të ketë “mosdëgjueshmëri partiake”? Do t’i tërheqë të gjithë ministrat e tij nga Qeveria, por do të vazhdojë ta mbështesë atë? Këto janë një pjesë e pyetjeve që parashtroheshin gjatë periudhës së kaluar, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që përgjigjja të dihet që nesër. Nga hapat e ardhshëm të Kamenosit, do të varet edhe fati i Qeverisë, por edhe hapi i radhës i Ciprasit.
Në Greqi gjatë periudhës së kaluar janë të pranishëm më shumë skenarë të ndryshëm: zgjedhje menjëherë pas ratifikimit të marrëveshjes, zgjedhje në maj bashkë me ato lokale dhe evropiane, ose zgjedhje në afatin e rregullt të paraparë për në vjeshtë.
Megjithatë, Athina zyrtare, gjatë periudhës së kaluar hodhi poshtë çfarëdo mundësie për zgjedhje të parakohshme dhe shprehet se Qeveria aktuale do ta përfundojë mandatin katërvjeçar, meqë e ka besimin e nevojshëm nga Parlamenti (së paku 151 deputetë) edhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës edhe për besimin e Qeverisë.
Kjo është konfirmuar edhe në mbledhjen e djeshme të sekretariatit politik të SYRIZA-s në pushtet, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA.
– Për votimin e Marrëveshjes historike të Prespës ekziston përgjegjësi te të gjitha forcat politike dhe te deputetët që të zgjidhet një çështje që e mundon vendin me dekada të tëra, është theksuar në mbledhjen e kryesuar nga Aleksis Cipras, bën të ditur ANA-MPA.
Matematikë parlamentare
Në njërin prej konferencave të rregullta për media me zëdhënësin e Qeverisë greke dhe ministër pa resor, Dimitris Xanakopulos, vitin e kaluar, korrespondentja e MIA-s nga Athina, kërkoi përgjigje nëse Qeveria ka përllogaritur se sa deputetë do të votonin “për” Marrëveshjen e Prespës, në çka ai u përgjigj se nuk do të bëjë “matematikë parlamentare”. Në vend të tij, këtë e bëjnë gazetarët në Greqi. Mjaft shpesh, numërojnë deputetë dhe nëse numri i tyre arrin deri te minimumi 151, sa edhe nevojiten për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, transmeton Koha.mk
MIA analizon renditjen e forcave në Parlamentin grek dhe qëndrimin e partive në raport me Marrëveshjen e Prespës.
SYRIZA në pushtet ka 145 deputetë, ndërsa është mësa e sigurt se të gjithë do të jenë “për”. Këtij numri do të mund t’i shtohej një votë shtesë nga deputetja e pavarur Katerina Papakosta, e cila nuk është anëtare e partisë, por është pjesë e Qeverisë si ministre alternative e Mbrojtjes Civile.
Partneri i koalicionit në Qeveri, Grekë të Pavarur, ka shtatë deputetë, por nuk janë të gjithë në linjë të njëjtë me liderin e partisë Panos Kamenos dhe ekziston ndarje për shkak të Marrëveshjes së Prespës. Deputeti Tanasis Papahristopulos, deklaroi disa herë publikisht se do të votojë për marrëveshjen, do ta japë vendin e tij të deputetit dhe në asnjë rast nuk do të jetë arsye për rënien e Qeverisë. Ministrja e Turizmit Elena Kundura, deri tani nuk ka dalë me qëndrim konkret, por mediat në Greqi komentojnë se ndoshta ajo megjithatë nuk është në linjë të njëjtë me Kamenosin. Në pikëpyetje është vënë edhe pozicioni i deputetit Kostas Zyralis. Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme e Greqisë, Marina Hrisoveloni, e cila nuk është deputete, për radion greke “Real fm” tha se nëse marrëveshja është në interes të vendit, atëherë nuk ekziston arsye për t’u larguar nga pozicioni i saj dhe të krijojë probleme në Qeverinë.
Në partinë Potami, ekziston ndarje e pozicioneve. Lideri Stavros Teodorakis mbështet vazhdimisht qëndrimin se nevojitet mbyllje e kontestit shumëvjeçar, ndërsa Greqia, kapitalin diplomatik ta orientojë drejt problemit me Turqinë. Partia e tij ka gjashtë deputetë prej të cilëve ndoshta katër do të votonin pozitivisht për Marrëveshjen e Prespës.
Demokracia e re, Lëvizja e Ndryshimit dhe Partia Komuniste e Greqisë ndonëse në të kaluarën e kanë mbështetur publikisht vijën e kuqe greke për emër të përbërë me përcaktim gjeografik, erga omnes, tani janë kundër Marrëveshjes së Prespës. Vetëm lideri i së Majtës Demokratike, parti e koalicionit në Lëvizjen e Ndryshimit, Tanasis Teoharopulos, nuk përjashton mundësinë që të devijojë nga qëndrimi i koalicionit dhe të votojë “për”.
Lidhja e Centralistëve dhe Agimi i Artë, bashkë me partnerin e koalicionit në Qeverinë, Panos Kamenos, janë me qëndrim radikal dhe nuk pranojnë emër në të cilin do të përfshihej termi Maqedoni, ndaj edhe janë kundër Marrëveshjes së Prespës.
Nëse ratifikimi kalon pa probleme, menjëherë pas kësaj, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, do të vijojë edhe procesi i dytë, gjegjësisht ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Vlerësimet në Greqi janë se kjo do të mund të ndodhte më së voni deri në maj, por në asnjë rast nuk do të mbetej që këtë ta bëjë qeveria e ardhshme greke. Me këtë demantohen edhe spekulimet dhe skenarët në Greqi, se ndoshta Qeveria aktuale nuk do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Nuk përjashtohet as mundësia që Marrëveshja e Prespës në Greqi të sjellë edhe votim të besimit ose mosbesimit të Qeverisë.
Skenarë për ardhmërinë e Qeverisë greke
Njëri prej skenarëve në Greqi është se pas tërheqjes së Kamenosit, ai dhe deputetët e tij të vazhdojnë të mbështesin Qeverinë, ndonëse nuk do të jenë pjesë e saj, ndërsa vendin ta udhëheqë qeveri e pakicës, por me besim nga Parlamenti.
Nga partia opozitare Demokracia e Re, shprehen se gjatë periudhës kur vendi është i përballur me çështje kritike nacionale dhe ekonomike “Ciprasi dhe Kamenosi e fusin në një paqëndrueshmëri të rrezikshme”.
– Zotëri Ciprasi ka dy opsione: ose të kërkojë besim në Parlament, ose ta shpie vendin në zgjedhje. Qeveria e pakicës nuk ka ekzistuar asnjëherë pas rënies së juntës dhe nuk mund të ekzistoj as tani, shprehen nga Demokracia e Re.
Nga Kabineti i kryeministrit grek, në përgjigjen ndaj kumtesës së partisë opozitare, shprehen se Demokracia e Re dhe Micotakisi të cilët tashmë tre vite, çdo dy ditë kërkojnë zgjedhje, “tani gjoja se janë të brengosur për paqëndrueshmërinë politike”.
– Hipokrizia në dritën më të mirë. Por, nëse kanë dilema të sinqerta për mbështetjen e Qeverisë nga Parlamenti, nuk u mbetet asgjë tjetër përveçse të provojnë, duke dorëzuar propozim për mosbesim, komentojnë nga Kabineti i Ciprasit. (Sanja Ristovska, MIA)