Rrallë mund të përcaktohet shkaku i një krize qeveritare me kaq saktësi si aktualisht në Belgjikë. Skena e ngjarjes është Parku Maximilien në Bruksel. Që nga viti 2015 aty zbarkojnë emigrantë. Disa qindra syresh vazhdojnë të presin aty për dokumentet ose për të vazhduar rrugën e tyre për në Britaninë e Madhe. Parku Maximilien është për shumë belgë simbol i dështimit të shtetit belg në krizën e refugjatëve. Debati u shtua deri në masën e një krizë qeveritare që i kushtoi madje Charles Michelit postin si kryeministër. Tani qeveria liberale e djathtë nën kryeministrin Michel duhet të përballet me akuzën se i ka dorëzuar sudanezë që kanë kërkuar mbrojtje në Belgjikë, regjimit të presidentit Omar Hassan al-Bashir. Aty ata janë persekutuar dhe torturuar. E pabesueshme, ky qe reagimi i opozitës. Vitin e kaluar në Bruksel qëndroi një delegacion sudanez dhe i dorëzoi Qeverisë belge një listë me emrat e 43 sudanezëve duke kërkuar ekstradimin e tyre. Belgjika e pranoi këtë kërkesë dhe i nisi personat e kërkuar me avion në Kartum. Një bashkëpunim i tillë i vërtetë me një diktaturë nuk mund të tolerohet, thotë Julie Fernandez-Fernandez, e Partisë Socialiste.
Me veprime të tilla Belgjika rrezikon emrin e saj të mirë që në arenën ndërkombëtare dhe në radhët e OKB-së. Socialistja Julie Fernandez-Fernandez kritikon sidomos sekretarin e shtetit për azilin dhe migrimin, Theo Francken, që sipas saj, vetëm synon të heqë qafe refugjatët, madje edhe duke shkelur të drejtat e njeriut. Sipas politikanes opozitare, Theo Francken ka bërë pa asnjë lloj transparence një “marrëveshje të pistë” me Sudanin dhe presidentin e tij, kundër të cilit nga viti 2009 është në fuqi një urdhër arresti ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit. Kritika të ashpra ndaj kësaj politike ushtron edhe eksperti për Lindjen e Mesme, Koert Debeuf. Sipas shënimeve të tij me disa persona që i kanë ekstraduar nga Belgjika në Sudan mund të thuhet se të paktën tre prej tyre janë keqtrajtuar rëndë apo janë torturuar. Qeveria duket se do ta anashkalojë skandalin që po vazhdon prej javësh. Një komision i pavarur hetimor i mbledhur me ngut duhet të paraqesë një herë rezultatin e vet, e deri atëherë nuk ka arsye për të komentuar, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Azil dhe Migracion për pyetjet e bëra me shkrim nga DË-ja. Kryeministri Michel dha ndërkohë urdhër të ndalimin e çdo ekstradimi deri në një njoftim tjetër. Megjithatë, ai tha se nuk mund ta plotësojë kërkesën e opozitës që ministri përgjegjës të japë dorëheqjen pa e vënë qeverinë e tij në rrezik. Sepse në këtë rast partneri nacionalist i djathtë N-VA kërcënon me daljen nga koalicioni.