Zotërinj të veçantë, të cilët natën vrasin e ditën marrin pjesë në funerale, duhet të kujtohen se asgjë nuk është e përjetshme, as inati, as e mira dhe as frika e tyre. Ky është moment që duhet t’i ulemi përballë njëri-tjetrit kështu si jemi, me kërkesat tona, nëse duam të jetojmë në një shtet…
Nga Dr.Arben TARAVARI
Si duket, saga e emrit të Maqedonisë po kërkon në formën e saj të vendosen pikat mbi “i”. Ngadhnjimi emocional i disa maqedonasve se ndërrimi i emrit është tradhti e rëndë kombëtare bie ndesh madje përplaset keq me defaktorizimin, përndjekjen dhe injorimin ndërshekullor të tyre ndaj shqiptarëve!
Nuk dua të hyj në statistika jo zyrtare, ku thuhet se 400 mijë prej tyre janë shpallur bullgarë për të marrë pasaportë bullgare që të kenë mundësi të gjejnë punë e ushqim, por ja, le të mbetemi tek e tashmja zyrtare që na ofrohet. Lufta për ndërrimin e emrit u largua nga populli dhe është nisur drejt sallës së Parlamentit. Pasi në Maqedoni zbarkuan politikanë të niveleve më të larta duke arritur pikun me ardhjen e vet Kancelares Merkel frymëmarrja e të cilës vlen mijëra euro në sekondë, kjo gjë nuk mjaftoi, u kuptua që politika perfide e Maqedonisë ia hodhi dhe vet ndërkombëtarëve.
Dolën në darkë të trishtuar e të gëzuar, disa madje ja morën dhe valles nga gëzim që nuk kishin dalë aq votues sa duhej, në të njëjtin shesh ku kanë sharë e mallkuar deri në vdekje shqiptarët. Që atë natë partitë politike, me një tufë analistësh nga prapa, të mençur dhe jo, nxituan të drejtonin gishtat mbi fajtorë e mbi heronj e mbi tradhtarë… Kjo mesele do vazhdonte me muaj e me vite por Zaevi ka bërë pakt me botën dhe natyrisht që kjo e fundit nuk është mësuar me të ashtuquajturën politikë ballkanase që i zgjat aq shumë vendimet sa harrohen qëllimet, dështimet e sidomos krimet.
Kështu ndërkombëtarët kanë dhënë afat të qartë dhe tani duket se janë të përfshirë me një kontekst më ballkanik për të arritur qëllimin e tyre. Korridoreve parlamentare, të cilat ngjajnë kafeneve aq shumë në Maqedoni, spekulohet se ka filluar të flitet deri për shifra konkrete parash.
Deputetët e VMRO-së që janë vënë në tepsinë e artë janë ata që e miratojnë marrëveshjen e Prespës ose e çojnë në kosh të plehrave. Kështu mendon Zaevi, kështu mendon dhe do Ahmeti, e për fat të keq kanë bindur dhe ndërkombëtarët se ata individë mbajnë në dorë të ardhmen e vendit…duket kinse kanë harruar që ka dhe një parti tjetër e cila ka lirinë dhe fuqinë e vendimmarrjes, e cila është e përfaqësuar me dy deputetë në parlament, të cilët duan dhe bëjnë çmos që kjo marrëveshje të jetësohet por kanë edhe disa kërkesa korrekte, të cilët janë konkluza të Kuvendit Qendror të kësaj Partie. Po flas për partinë Aleanca për Shqiptarët, e cila çuditërisht është përllogaritur e mirëqenë si votuese e ndryshimit të emrit. Duket se partia ku bëj pjesë po injorohet nga të gjithë dhe jo nga naiviteti por nga lojërat aspak të ndershme politike. Pse janë kaq mospërfillës ndaj ASH-së?!
Kjo parti e do NATO-n dhe BE-në dhe i sheh si rrugë të sigurta për të ecur, por aty do të shkojë me disa kushte që vet NATO dhe BE-ja i kanë shumë të rëndësishme. Meqë për arsye më shumë të errëta e aspak të qarta, tashmë pushteti ka nevojë për një marrëveshje ndërpartiake për të votuar nga dhoma parlamentare Marrëveshjen e Prespës atëherë ne jemi gati për Marrëveshje. Marrëveshje domethënë që dy ose më shumë palë ulen dhe dëgjojnë njëri-tjetrin. Domethënë flasin e merren vesh. Për t’u dëgjuar duhet të kesh dhe ç’të thuash, ndaj ne jemi gati për Marrëveshje se kemi ç’të themi.
Kemi disa pika që i cilësojmë të një rëndësie të madhe për harmoninë e të gjithë etnive që jetojnë në Maqedoni. Pika të cilat nuk shqetësojnë as faktorin e brendshëm e as të jashtëm por përkundrazi krijojnë klimë solide për një bashkëjetesë paqësore dhe me respekt të ndërsjellë. Aleanca për Shqiptarët nuk ka asnjë lloj frustracioni politik por ka dëshmi të shumta, reale, të mungesës së fjalës në politikë.
Në kuadër të kësaj përvoje, meqë situata erdhi që tashmë të ketë një Marrëveshje Zotërinjsh atëherë le të reagojmë si të tillë. Le të ulet LSDM-ja me ne dhe le të zyrtarizohet në letër të bardhë ajo çfarë i është premtuar shqiptarëve pas zbatimit të marrëveshjes. Nuk ka marrëveshje pa kërkesa. Këto janë tonat. Kërkesa të cilat janë kaq të lehta për t’u zbatuar aq sa fakti që janë menduar për një fazë tjetër duket se janë vetëm kapriço politike.
Evropa ka mbrojtur gjithnjë kombet, gjuhën dhe traditën e tyre, në thelb të saj kërkesa që ne të identifikohemi si popull shqiptar me gjuhën tonë zyrtare në një shtet ku marrim pjesë si fatvendosës, është një nga esencat e Evropës. Aleanca për Shqiptarët nuk ka asnjë kërkesë që lidhet me pozita apo nënpozita, të vetmet, të thjeshta, që nuk prishin asnjë ekuilibër diplomatik me Greqinë janë këto.
Presim që Kryeministri të na kontaktojë sa më shpejt pasi NATO dhe Evropa janë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne. Të gjithë ato subjekte të tjera partiake që krijojnë strategji komplikuese për të shpëtuar nga ndonjë batak ligjor apo për të përfituar ekonomikisht, janë në vendin dhe kohën e gabuar. Çdo përpjekje jona si parti politike duhet të përqendrohet në standardin e duhur demokratik, qytetarët duhet të kenë atë për të cilën pritën kaq gjatë, të ardhmen e tyre evropiane.
Zotërinj të veçantë, të cilët natën vrasin e ditën marrin pjesë në funerale, duhet të kujtohen se asgjë nuk është e përjetshme, as inati, as e mira dhe as frika e tyre. Ky është moment që duhet t’i ulemi përballë njëri-tjetrit kështu si jemi, me kërkesat tona, nëse duam të jetojmë në një shtet…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)