Disponimi i shqiptarëve është i dëshmuar në shumë anketa dhe s’ka dilemë për këtë, por opozitën e vërtetë shqiptare e shqetëson Marrëveshja e Prespës ku në mënyrë tinëzare tentohet të depersonalizohet dhe të shkombëtarizohet popullata shqiptare
Nga Dr.Bekim TATESHI
Marrëveshja e Ohrit u mbajt në vitin 2001. Sa fituam e sa humbëm, sa duheshte të fitojmë e sa s’duheshte të humbim, nuk është koha dhe vendi. Por e di se kompromis është zgjidhje që arrihet e me të cilën të dy palët janë të pakënaqur. Nga kjo perspektivë e qartë është se hymë në kurth dhe politikëbërësit e Kumrovecit fituan në tavolinë falë përvojës të tyre apo falë papërvojës tonë. Një fitore interesante është si arritën ta zhdukin dokumentin origjinal të marrëveshjes, ndërsa humbja jonë është si nuk arritëm ta shndërrojmë këtë marrëveshje në nene dhe ligje.
Marrëveshja e Prespës u mbajt në vitin 2018. Nga tre këndvështrime duhet analizuar ky problem, e para faktori i jashtëm për interesa gjeopolitike është e interesuar që ky territor të integrohet në strukturat euroatlantike, e dyta, faktori maqedonas nën petkun e qytetarizmit nga pozita dhe nën petkun e pansllavizmit nga opozita tenton të ruaj pozitën e agait në këtë shtet dhe e treta, faktori shqiptar, e përfaqësuar nga pozita, e cila nën petkun e integrimeve dhe vetëmbrojtjes është e gatshme të sakrifikojë identitetin kombëtar dhe gjithçka që e përcjell atë e nga ana tjetër opozita shqiptare, qëllimisht e gjymtuar dhe e anashkaluar nga premieri i shtetit dhe bashkëpunëtorë e tij duke harruar për ndikimin e saj në popullatë sipas anketa të reja nga institucione relevante.
Është e pafalshme që edhe kjo gjeneratë e politikanëve të hyj në kurthin e njëjtë dhe problemet nacionale të mbeten të parealizuara ose gjysëm të realizuara për të cilat do duheshte të mbahet edhe një marrëveshje, diku në vitin 2035, kësaj radhe Marrëveshja e Dojranit në të cilën “qytetarët që në shtëpitë e tyre flasin gjuhë që dallon nga maqedonishtja dhe janë mbi 50% të popullatës së përgjithshme do duhet ta flasin atë gjuhë deri te dera e oborrit”.
Laboratori eksperimental i quajtur Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë do duhet të mbyllet dhe jo të rindërtohet me emër tjetër e me probleme të njëjta apo më të mëdha që do ishte barrë për ndërkombëtarët dhe e rrezikshme për shtetasit e saj dhe shteteve për rreth. Integrimi i këtij laboratori në NATO dhe BE është urgjent dhe i pashmangshëm. Jemi në prag të dyerve të këtyre shtëpive të mëdha dhe ky rast është i papërsëritshëm. Disponimi i shqiptarëve është i dëshmuar në shumë anketa dhe s’ka dilemë për këtë, por opozitën e vërtetë shqiptare e shqetëson Marrëveshja e Prespës ku në mënyrë tinëzare tentohet të depersonalizohet dhe të shkombëtarizohet popullata shqiptare. Deputetët shqiptarë në parlamentin e IRJM-së e kanë për obligim dhe detyrë që çdo shqiptari t’ja tregojnë të vërtetën se çka do ndodh me shqiptarët dhe shqiptarizmin në shtetin e ri, Republika e Maqedonisë Veriore. (koha.mk)