Delvina KËRLUKU
Ambasadori i Rumanisë në Shkup, Viorel Stanila, në intervistën ekskluzive për gazetën KOHA flet për angazhimin në misionin e ri diplomatik në Shkup, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektivën e vendit; përvojën rumune në luftimin e korrupsionit dhe integrimin në BE dhe NATO. Ambasadori Stanila është një njohës u gjuhës shqipe, pasi ka specializuar studimet albanologjike dhe ballkanike. Mes tjerash, ai në këtë intervistë flet edhe për lidhjet shqiptaro-rumune, duke e përkufizuar me fjalët se “Kush nuk e di këtë dashuri” në raportet mes dy popujve.
KOHA: Z. Ambasador, duke vlerësuar punën dhe angazhimin Tuaj në funksion të forcimit të marrëdhënieve dypaleshë të shteteve tona, si e shihni misionin si ambasador në Maqedoni?
STANILA: Në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe me praktikat diplomatike. Një mision ambasadori është shumë i qartë. Është përfaqësim i shtetit Rumun këtu në Maqedoni. Letrat kredenciale janë të firmosura nga presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis dhe janë adresuar te Presidenti Gjorgje Ivanov. Një tjetër faktor është lehtësimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën tregtare-ekonomike, kulturore, arsimore, politike. Lehtësimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi në kuadër rajonal ose ndërkombëtar. Si funksione janë të shumta, por një funksion tjetër është bashkëpunimi dhe bashkërenditja me shtetet e tjera anëtare të BE-së, për ofrimin e ndihmës për shtetin maqedonas, për përafrim në Bashkimin Evropian dhe procese tjera integruese.
KOHA: Si përfaqësues i Rumanisë dhe si individ, shprehni mbështetje të pa rezervë ndaj integrimit të Maqedonisë. Prej nga gjithë ky motiv?
STANILA: Është pyetje shumë e mirë, por më lejoni të përmend: Si përfaqësues i Rumanisë, nuk jam në detyrën për të folur në pozicion personal, sepse kjo është një kufizim i punës diplomatike. Një fjalim personal është vetëm jashtë jetës diplomatike. Kur përfaqësoj shtetin Rumun, atëherë me gojën time flet shteti Rumun. Padyshim, mund të them se, Rumania ka patur një pozicion konstant në mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë me BE- në dhe NATO-n. Sepse anëtarësimi në NATO është një proces integrimi në vete shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Maqedoninë por, për të gjithë rajonin këtu, në Ballkanin Perëndimor, ashtu siç i themi. Patjetër që kjo mbështetje varet nga rezultatet në procesin e brendshëm të reformave pro evropiane, është një pozicion, besoj, normal dhe i njëjtë me disa vende anëtare të BE-së.
KOHA: A ndani bindjen se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Rumanisë po njohin një dinamikë të re kohët e fundit dhe kanë një perspektivë shumë pozitive në nivel dypalësh, rajonal dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare?
STANILA: Perspektiva padyshim është pozitive në njërën anë, në anën tjetër ka zhvillime ose dinamikë siç thoni Ju. Aty ku diçka funksionon gjithmonë ka dinamikë. Kohët e fundit, së paku dy vjet e gjysmë, këtu në Maqedoni ka kapluar një krizë politike, e cila ka konsumuar burimet e politikës së brendshme të shtetit të Maqedonisë. Ne ndërkombëtarët presim të kemi një bashkëbisedues, me të cilin mund të vazhdojmë negociatat, punën për objektivat të integrimit në kuadër të Bashkimit Evropian dhe patjetër në kuadrin dypalësh presim stabilitet, parashikim, një qeveri e mandatar nga Parlamenti për aktivitetet e plota jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në marrëdhënie të jashtme dypalëshe ose ndërkombëtare, atëherë perspektiva do të jetë pozitive. Por, ka nevojë për stabilitet, për disa hapa konkrete edhe më shumë për të arritur atë se çfarë ne kemi propozuar në bazë dypalëshe të realizojmë.
KOHA: Rumania është pikë referimi si vend anëtar në BE, prej të cilit kemi shumë për të mësuar nga eksperienca e integrimit…?
STANILA: Ka një mënyrë që historia e Rumanisë ta përafrojë Maqedoninë në Bashkimin Evropian, nuk e them vetëm unë, por edhe shumë intelektualë. E kuptoj këtë interes, por nga ana tjetër është e lidhur me specifikun vendas, për problemet që një vend ka në procesin e reformave. Nëse në Rumani ka qenë një problematikë e ngjashme me problemin e Maqedonisë, me dosjet për negociatat, me dosjet për afrimin në BE, atëherë kuptohet interesi. Ne duhet të mos harrojmë që në rajon janë edhe vendet e tjera, anëtare të BE-së, siç është Kroacia, Bullgaria, Greqia, të cilët kanë një eksperiencë pothuajse në shumë interes për Maqedoninë në fusha të ndryshme se sa janë në marrëdhënien me Rumaninë. Një shembull është se Rumania ka rezultate shumë të mira në luftën kundër korrupsionit, andaj ne mund të ndihmojmë në këtë fushë, kemi realizime shumë të mira në punën e prokurimit publik, pra mund të ndihmojmë edhe në këtë fushë. Kemi gjithashtu rezultate të mira në reformat e arsimit. Në teknikat e negocimit, sepse është art – teknikë shumë e vështirë me Bashkimin Evropian, sa larg fiksojmë objektivat tona, sa larg janë objektivat e BE-së. Është shumë i ndërlikuar negocimi, në këtë rrugë mëson shumëçka, nuk kemi vetëm të ulemi në tryezë e të shkëmbejmë ide. Eksperienca e tjetrit mund të të ndihmojë. Siç edhe përmenda nëse Rumania apo ndonjë vend tjetër anëtar i BE-së, ka të zhvilluar sferën e arsimit Ju pra keni shembull të mirë se ku do të mësoni ose edhe në rast të negocimeve, dhe jo vetëm të përqendrohemi në atë se ky është problemi që kemi.
KOHA: Një tjetër histori suksesi në Rumani, ashtu edhe siç përmendët, është lufta me krimin e organizuar, dhe në këtë drejtim sa ofrohet një ndihmë e drejtpërdrejtë nga Rumania për Maqedoninë?
STANILA: Duhet të bëjmë një korrigjim këtu se lufta me krimin e organizuar në Rumani është zgjidhur vitet ’90-ta. Por ne si shtet negociatat më të mëdha i kemi patur me BE-në, me luftën kundër korrupsionit. Por, gjithsesi nuk mund ta përjashtoj se në këtë fushë, të krimit të organizuar, kemi patur realizime shumë-shumë të mëdha, veçanërisht në bashkëpunim me SHBA-në. Lufta kundër krimit të organizuar në Rumani është një model. Por, ekspertët e Rumanisë për këtë çështje kanë vizituar Tiranën, Shkupin. Por edhe sipas marrëveshjes për luftën kundër korrupsionit edhe prokuroria e departamentit Codruta Kovesi me postin e kreut të akuzës, ka qenë prezent në këto anë, ku edhe ka pasur shumë reagime.
KOHA: Z. Ambasador, ju keni ushtruar të njëjtën detyrë të diplomatit edhe në Republikën e Shqipërisë dhe tani në Republikën e Maqedonisë. Ç’farë, sipas Jush, i dallon këto dy vende në udhëheqjen e shtetit?
STANILA: Po më pyesni si diplomat, edhe pse unë kam një post të tillë? Së pari duhet të presim formimin e qeverisë së re dhe të shohim se si punon, pra qeveria. Sepse nuk mund të bëj një krahasim në një periudhë pas zgjedhore dhe në një krizë politike aq të gjatë. Duhet të shohim fakte konkrete, ushtrimin e qeverisjes dhe pastaj mund të flasim. Për moment nuk kemi terma për krahasim. Ndërsa, në Tiranë kemi një qeverisje katër vjeçare, kurse këtu nuk kemi akoma një qeverisje të tillë. Të presim e të shohim. Unë si ndërkombëtar jam gati një muaj prezent në vendin e tuaj.
KOHA: Rumania përfaqëson një vend dhe popull mik për shqiptarët, miqësi e cila mori një domethënie të veçantë në fillesat e shtetit shqiptar. Në këtë kuadër, qeveritë dhe parlamentet e të dy vendeve po punojnë për thellimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore. Por, me Maqedoninë çfarë e lidh Rumaninë?
STANILA: Shumë pyetje interesante! Së pari më lejoni të bëj një referim të shkurtër të Maqedonisë së sotme. Kushtetuta e Maqedonasi ka përmendur shtetësinë e Maqedonisë brenda Jugosllavisë. Atëherë, të mos harrojmë që Rumania ka patur marrëdhënie shumë të ngushta me Jugosllavinë edhe në kohën kur vendet e tjera në kampin lindor kanë patur vështirësi në marrëdhënie dypalëshe me Jugosllavinë. Rumania këtë gjë e ka patur shumë mirë, në fakt edhe me Shqipërinë, dhe ne jemi sot trashëgimtarët e këtij faktit, që vazhdojmë sot në marrëdhënie të mira, në formë të bashkëpunimit mes Rumanisë dhe Jugosllavisë. Nuk e ndërtojmë tani në një bazë boshe. Diçka tjetër është se në Rumani ka minoritet kombëtar maqedonas dhe ka minoritet kombëtar shqiptar, ku ky i fundit është formuar pjesërisht me shqiptarë me origjinë nga Maqedonia, ka edhe pjesë tjetër me origjinë nga shteti Shqiptar. Për ne nuk është indiferent që kemi një instrument të vlefshëm, shumë konstruktiv për konsolidimin e urës së bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Rumanisë përmes faktorit minoritar, sepse, gjithashtu, këtu kemi komunitet arumun, siç ne e quajmë, ose vllah siç i quajnë maqedonasit dhe shqiptarët. Ka edhe diçka tjetër në marrëdhëniet dypalëshe dhe një numër i madh i qytetarëve kanë mbaruar studimet e larta në Rumani, janë maqedonas dhe sllav nga Maqedonia për studime në Rumani. Të mos harroj, siç kemi konsull nderi të Rumanisë në Kumanovë, është një mjek i shquar, z. Aliriza Osmani, ku bën një punë shumë të rëndësishëm në bashkëpunimin tonë dypalësh. Kam marrë vesh se piktori bashkëkohor maqedonas, Martin Nikolovski, ka mbaruar fakultetin në Akademinë e Arteve në Bukuresht. Kjo nënkupton një lidhje mes dy vendeve, lidhje miqësore.
KOHA: Rumania, një vend me të cilin na bashkon një histori e gjatë ne shqiptarëve. Një vend mik me të cilin na lidh historia dhe kultura dhe janë të shumtë emrat familjarë për shqiptarët që dëshmojnë këtë lidhje të thellë dhe të vjetër me Rumaninë. Si i cilësoni Ju këto lidhje me popullin shqiptar?
STANILA: Më kujtuat një periudhë të mëhershme, kur Ambasada Turke në Tiranë kishte hapur dyert për një festë, për marrëdhëniet dypalëshe turko-shqiptare dhe në logon e tyre shënohej: “Kush nuk e di për këto dy miqësi”. Më vonë erdhi dita kombëtare e Rumanisë dhe unë si ambasador në Shqipëri, kam përmendur në fjalimin tim koment për logon e Ambasadës turke, e më pastaj kam vazhduar fjalimin duke u thënë se: Për të folur për marrëdhëniet rumuno–shqiptare, kush nuk e di këtë dashuri (qesh). Por, në të vërtetë të mos flasim nga pikëpamja shkencore, bashkëjetesa, sfondi gjuhësor i përbashkët vetëm në gjuhën shqipe e në gjuhën rumune. Dua të përmend që në fund të shekullit XVII, ne kemi patur një mërgatë mjaft të madhe shqiptare në Rumani, ka qenë një periudhë e luftës të krishterëve kundër pushtimit otoman dhe njëzet mijë ushtarak shqiptar kanë arritur në principatën dhe kanë luftuar bashkë me rumunët dhe kjo ka ndikuar që migrimi i shqiptarëve të jetë i mbarë për shekujt e ardhshëm. Pastaj, patjetër në periudhën e Rilindjes kombëtare shqiptare, në Rumani ka patur mbështetje shumë-shumë të madhe si në migrimin ekonomik, për çështje financiare, ku janë ofruar fonde për botimin e librave. Pra, librat kanë qenë botuar në Rumani edhe në Sofje, por edhe në Stamboll më parë, sepse Stambolli ka qenë kryeqyteti i perandorisë otomane. Por pjesa më e madhe e vëllimeve ka qenë të botuara në Rumani edhe vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, është botuar në Rumani, edicioni i mëparshëm. Ka qenë shoqata atdhetare e patriotëve shqiptar në Bukuresht, në qytet e tjera pastaj, në Krajovë, Konstancë, të cilët e kanë promovuar kulturën dhe arsimin shqiptar, në një kohë kur në vise shqiptaret arsimi nuk ka qenë i lejuar. Naum Veqilharxhi ka botuar abetaren e parë në gjuhën shqipe në Rumani. Ismail Qemali, përpara udhëtimit për shpalljen e Pavarësisë së shtetit Shqiptar në Vlorë, fillimisht ka bërë një takim shumë të rëndësishëm me faktorin shqiptar në Rumani dhe aty kanë marrë vendimin për shpalljen e pavarësisë, mandej në Budapest dhe Vjenë kanë marrë aprovimin. Pra, vendimi i shqiptarëve është marrë aty, në Bukuresht, dhe tani Hoteli “Ambasador” ekziston, dhe përballë hyrjes kryesore është busti i Ismail Qemalit, por edhe vëllezërit Frashëri kanë statujë në parkun më të bukur dhe më të madh të Bukureshtit. Më kujtohet edhe diçka tjetër. Nicolae Iorga, historiani më i madh Rumun, është i pari i cili ka shkruar libër për historinë e popullit shqiptar. Ku ky libër është përdorur nga delegacioni shqiptar në kongresin e paqes në Paris, për mbështetje të të drejtave të shqiptarëve dhe pastaj mbreti Zog, i ka dhuruar historianit Iorga një pjesë tokë në bregdetin Jon, në Sarandë, si falënderim për kontributin e madh.
KOHA: Si lindi dëshira për të qenë ambasador, si përfaqësues diplomatik i shkallës më të lartë që ka një shtet pranë një shteti tjetër?
STANILA: Ka qenë një ngjarje e jetës, sepse ne nuk predikojmë as nuk kontrollojmë në mënyrë të plotë jetën tonë. Me bagazhin intelektual vetanak kam patur mundësinë që me ofertën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë, kam aplikuar, kam marrë pjesë në konkurs dhe kam fituar konkursin. Sepse në vitin 2000 ka patur vende të lira për studiuesit e gjuhëve të rralla. Akademia diplomatike është një formim arsimor, ku unë e kam mbaruar jo vetëm këtë, por edhe shkallë të tjera të studimit.
KOHA: Keni më shumë miq shqiptarë apo maqedonas në Maqedoni?
STANILA: Unë kam vetëm miq. Nuk bëj diferencë. Unë flas me Ju në gjuhën shqipe, por miqësia nuk ka gjuhë.
KOHA: Duke qenë se puna e ambasadorit merr kohë bukur të mirë, sa ia dilni të ndani kohë familjen?
STANILA: Në fakt, kur njeriu përqafon karrierën, ka nevojë për balancë midis jetës personale dhe jetës profesionale. Nuk njihet një performancë diplomatike e mirë pa një jetë personale stabile dhe e fortë. Për mua familja, nëna dhe vëllai, sepse babai ka vdekur disa vite më parë, janë mbështetje për karrierën time dhe anasjelltas largimi nga shtëpia më rrit mallin, më rrit intensitetin e ndjesisë për familjen.
KUR FILLOVA TË MËSOJ SHQIPEN, S’E DIJA QË DO BËHEM DIPLOMAT
KOHA: Z. Ambasador, Ju e zotëroni gjuhën shqipe. U detyroi puna në Shqipëri e në Maqedoni që ta mësoni këtë gjuhë, apo ishte vetë dëshira për të lexuar libra le të themi letërsinë shqiptare, meqë ju keni kryer studimet për gjuhë dhe letërsi?
STANILA: Kur unë kam filluar mësimin e gjuhës shqipe, unë nuk kam ditur, nuk e kam patur idenë që do të bëjë një karrierë diplomatike. Nuk kam pasur ndërmend. Por, qëllimi im ka qenë studimi shkencor, kam bërë hulumtime dhe akoma vazhdoj. Jam specializuar në studime Albanologjike dhe studime Ballkanike. Atëherë, karriera diplomatike ka qenë një plotësim në studimet e mia, sepse kam patur mundësi që të shkojë në Shqipëri për një periudhë të gjatë kohore, shtatë vjeçare, ku jam ballafaquar direkt me realitetin shqiptar, jo vetëm në libra apo të ngjashme.
VOTIMI I SHQIPTARËVE PËR PARTI MAQEDONASE, SINJAL I MIRË PËR BASHKJETESË
KOHA: Duke pasur parasysh se Maqedonia është një shtet multietnik, si i shihni ju si vëzhgues i jashtëm, marrëdhëniet shqiptaro–maqedone brenda shtetit?
STANILA: Situata konkrete në teren nuk është e njëjtë me atë çfarë ne marrim ose perceptojmë në procesin e përgatitjes. Tani nuk mund ta dimë se fjala “shtet multietnik”, është korrekte, sepse sa jam në dijeni unë, presidenti Ivanov ka përdorur një formulim tjetër: “Demokraci multientike, multikulturore dhe multifetare”. Në këtë rast kush jam unë që të përdor një formulim tjetër. Për këtë çështje besoj që ka një shprehje të përbashkët në nivel të BE-së, që marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të brishta, por situata është stabilizuese, por BE pret më shumë. Ka sinjale shumë të mira dhe ka interpretime dhe unë besoj që vota e faktorit shqiptar e dhënë për një parti opozitare maqedonas, flet vet. Unë nuk flas në terma politike. Unë flas në kuptimin e pyetjes tuaj se si është situata e marrëdhënieve ndëretnike dhe jo ndryshe. Për mua është interesant fenomeni që në historinë e shtetit të Maqedonisë së pavarur, qytetarë maqedonas me etni shqiptare kanë votuar për një parti maqedonase dhe jo për parti shqiptare siç ka qenë kohë më parë dhe kjo është një sinjal i mirë për bashkëjetesë, një sinjal i mirë për dialog dhe është një sinjal i mirë në interpretimin tim ose ndërkombëtarëve të tjerë dhe gjithashtu është një sinjal i mirë për potencialin, i cili ekziston në masë, popullsi, për mirëqenien e bashkëpunimit, në fakt progresit. Maqedonia është vendi i gjithë qytetarëve të saj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.