Sofja zyrtare vazhdimisht ka kërcënuar Maqedoninë e Veriut, që në rast se nuk arrihet zgjidhje për gjuhën maqedonase, të cilën sipas tyre është gjuhë e kombinuar mes serbishtes dhe një dialekti të gjuhës bullgare, atëherë do të bllokojë integrimin e RMV-së në BE. Të dy vendet, mosmarrëveshje kanë edhe për disa personalitete historike, që prej tyre veçohet më së shumti Goce Dellçevi
Zenel MIFTARI
Shkup, 17 tetor – Këtyre ditëve duhet të zhvillohen takime të komisioneve të historianeve nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, për të diskutuar rreth çështjeve të hapura historike për të dy vendet. Nga këto takime varet fati i Maqedonisë së Veriut dhe rruga e saj për anëtarësim në BE dhe pritet pret të arrihet një marrëveshje e përbashkët me Bullgarinë dhe të tejkalohen pengesat dhe çështjet e hapura me shtetin fqinj. Pas tejkalimit dhe mbylljes së çështjeve të hapura me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut pret të merr në dhjetor datën për fillimin e negociatave me BE-në. Takimet e Komisioneve do të vazhdojnë pas gati një viti pauzë. Ky takim zhvillohet në kuadër të Komisionit bilateral multidisiplinar për çështje historike dhe edukative mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Sipas Komisionit së historianeve maqedonas, ka disa tema në tryezë dhe se gjatë këtij takimi është planifikuar të mbyllet diskutimi mbi rekomandimet për librat shkollorë të historisë maqedonase. “Përveç temave të zakonshme, teksteve shkollore të historisë dhe ideve të propozuara për përkujtimin e përbashkët të figurave historike dhe ngjarjeve, Komisioni do të diskutojë tema dhe çështje që në të kaluarën ishin një pengesë për punën ose arsyen e punës së Komisionit dhe karakteri i tij akademik në të ardhmen të politizohet”, thonë nga ekipi maqedonas i Komisionit. Marrëveshja për fqinjësi të mirë e nënshkruar më dy gusht të vitit 2017 mes kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut të tij bullgar Bojko Borisov, ka për synim zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe kontesteve rreth ngjarjeve historike deri në vitin 1944.
Pavarësisht kësaj marrëveshje, Sofja zyrtare vazhdimisht ka kërcënuar Maqedoninë e Veriut, që në rast se nuk arrihet zgjidhje për gjuhën maqedonase, të cilën sipas tyre është gjuhë e kombinuar mes serbishtes dhe një dialekti të gjuhës bullgare, atëherë do të bllokojë integrimin e RMV-së në BE. Të dy vendet, mosmarrëveshje kanë edhe për disa personalitete historike, që prej tyre veçohet më së shumti Goce Dellçevi. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencë për shtypë ka thënë se ideja e këtij procesit është të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe të përshpejtojë integrimin evropian të rajonit. Sipas tij, ka hapësirë dhe mirëkuptim nga të dy palët për rëndësinë e këtij momenti dhe për punën e komisioneve për të gjetur një zgjidhje. “Ne duhet të pranojmë që prej tani e tutje duhet të kërkojmë konsensus me 27 vendet anëtare të BE-së. Në të 130 pikat gjithsesi se mund të ndodhë që një shtet anëtar të mos japë dritë të gjelbër, por angazhimi ynë duhet të jetë që të arrijmë bashkë me atë vend një konsensus”, tha Osmani.
Ekspertët dhe njohësit e çështjeve politike, nuk janë optimistë që do të arrihet në një gjuhë të përbashkët mes Komisioneve duke pasur parasysh dallimet e mëdha që kanë këto dy komisione. Analisti Ilir Luma për gazetën KOHA ka thënë se pas takimit që kishte ministri i Jashtëm Bujar Osmani, me homologen e tij bullgare, nuk kishte sinjale pozitive për takimet e ardhshme të komisioneve. “Tonet dhe sinjalet nga Bullgaria nuk janë pozitive dhe Maqedonia e Veriut, duhet të përgatitet edhe për skenarin më të keq. Komisionet do të bisedojmë për shumë çështje të hapura, si çështjet historike, kulturore dhe figura të ndryshme nga historiografia e dy popujve, është e vështirë të thuhet se mund të vijnë deri në një gjuhë të përbashkët”, shprehet Luma. Ai ngriti dhe shqetësimin për mos përfshirjen e ekspertëve shqiptarë në këto komisione, që mund të ketë pasoja për proceset e mëtutjeshme. Ndryshe, në nëntë takimet e deritanishme, Komisioni ka arritur të bëjë disa përparime në lidhje me periudhën antike dhe mesjetën, por asnjë marrëveshje për Goce Dellçevin. (koha.mk)