Marc Marquez ka rimarrë sërish kreun e renditjes në Moto GP, kryesimin që për momentin e ndan me gjithë pilotin italian të Ducati, Andrea Dovizioso, të dy në kuotën e 199 pikëve. Këta dy pilotë duket se do të duelojnë deri në fund për titullin kampion, ndërkohë që disi më i shkëputur, me 16 pikë më pak në renditje është Maverick Vinales me Yamaha, në pritje të ndonjë surprize në garat e ardhshme. Gjithsesi, ai që festoi më shuymë nga gara e fundit në Misano ishte Marquez, që arriti një fitore të rëndësishme. “Xhiron e fundit nuk dija se çfarë të bëja, pasi e dija që isha më i shpejtë, por pista e lagur më pengonte të bëja ndonjë aventurë, pasi mund të rrëzohesha”, tha spanjolli i Honda.
“Nuk doja të rrezikoja shumë, por në fund mora një vendim për ta parakaluar dhe ia dola mbanë. Dovizioso ishte pas meje, kisha fituar terren ndaj tij në renditje, por fitorja më dha 5 pikë më shumë dhe tani jam në krye. Sakrifikova, por ia vlejti”, u shpreh Marc Marquez, që dje korri fitoren e 4-t sezonale në Botërorin 2017 të Moto GP. “Ishte një sulm vdekjeprurës ai karshi Petrucci, pasi mund të rrëzohesha. Tani jam më i qetë edhe pse e di që për Botërorin ka ende shumë gara. Jemi të paktën 3 pilotë që e synojmë atë, pasi Rossi është disi më pas dhe nëse nuk garon në Aragon, për të bëhet e pamundur të shpresojë”, tha Marquez.