Kampioni i botës në Moto GP, Marc Marquez, nuk do të garojë edhe në dy garat e ardhshme të sezonit 2020, ato që do të zhvillohen më 16 gusht dhe 23 gusht në Austri. Piloti spanjoll u aksidentua në garën e parë sezonale (Jerez) dhe u operua në shpatull. Për pasojë, ai nuk garoi në dy garat e tjera (Jerez dhe Brno).
Sipas “Mundo Deportivo”, përpjekja që bëri Marquez për t’u rikthyer në garë më herët, duke sforcuar krahun, ka lënë pasoja, duke e detyruar të qëndrojë më gjatë jashtë pistave të Moto GP. Madje Marquez bëri një operacion të dytë, duke bërë që rikthimi në pistë të jetë më i vonuar. Gjasat janë që spanjolli të garojë sërish më 13 shtator, në garën e San Marino. Në vendin e tij te motori Honda do të garojë Stefan Bradl, ashtu sikurse edhe në garën e fundit. Kjo mungesë kaq e gjatë limiton shanset e Marquez për të mbrojtur titullin kampion bote.