Administratori i Deleguar i Interit, Giuseppe Marotta deklaroi se Arturo Vidal mbetet një objektiv i Interit, ndërsa shtoi se merkatoja e janarit është e tillë, që shumica e operacioneve mbyllen vetëm në orët e fundit të muajit.
“Duam të përmirësojmë diçka në organikë dhe natyrisht që po punojmë për këtë, por merkatoja e janarit është e tillë që shumë detaje zgjidhen vetëm në orët e fundit. Vidal është një objektiv, por për momentin nuk kemi asnjë të re”, deklaroi Marotta.
Orët e fundit është folur shumë për një interesim të Milanit për Mateo Politanon dhe negociatat të zikaltërve për anësorin e Manchester United, Ashley Young, por Marotta nuk u tregua aspak optimist për operacione të tilla.
“Është e panevojshme të flasim për emra. Tani jemi në një moment pune dhe çfarë nuk ndodh në drekë, mbyllet me sukses në darkë. Nuk besoj se këto të fundit janë operacione që mund të mbyllen me sukses, por natyrisht që diçka do bëjmë deri në fund të muajit”, tha administratori i klubit zikaltër.