Pas hedhjes së shortit të sezonit të ri të Serisë A, administratori i Interit, Giuseppe Marotta u pyet nga gazetarët mbi merkaton dhe ecurinë e negociatave me Manchester United, për transferimin e Lukakut.
Marotta theksoi se belgu mbetet një objektiv i zikaltërve, por pranoi se këta të fundit nuk mund të paguajnë çdo lloj shifre për ta sjellë në Milano, pavarësisht se është sulmuesi i preferuar i Antonio Contes.
“Për Lukakun kemi bërë një ofertë, duke respektuar mundësitë tona ekonomike, por edhe vlerat e lojtarit dhe klubit që ka kartonin e tij. Tani jemi në pritje dhe shpresojmë të kemi një përgjigje pozitive. Megjithatë duhet të theksojmë se ka ende edhe shumë kohë para se të mbyllet merkatoja”, deklaroi Marotta.
Administratori i zikaltërve foli sërish për çështjen Icardi, me ish kapitenin që është nxjerrë jashtë planeve të skuadrës për sezonin e ri, por që nuk ka gjetur ende një tjetër destinacion për të vazhduar karrierën e tij.
“Icardi mbetet një futbollist i Interit, por duhet të theksojmë se qëndrimi ynë ndaj tij, është bërë publik tashmë. Kam 40 vite karrierë dhe ky është një nga rastet më të vështira për t’u menaxhuar, që komplikohet edhe më shumë, për shkak të bujës mediatike”, tha Marotta.