Marotta: Nuk kemi frikë për Lautaron, ja cili është objektivi i Contes

Lautaro Martinez është njeriu i momentit te Interi, sepse pas dopietës në Pragë përballë Slavias, ku mbajti zikaltrit në lojë për një vend në fazën e 1/8-ave të Championsit, shënoi sërish dy gola dje dhe u dha fitoren 2-1 të tijve përballë Spalit.

Katër gola të shënuar në vetëm 4 ditë, por edhe 13 në total që nga fillimi i sezonit, kanë bërë që Lautaro të jetë sulmuesi më produktiv te Interi, ndërsa Barcelona vazhdon të monitorojë me kujdes rritjen e tij.

Ylli i katalanëve Lionel Messi dëshiron pikërisht patriotin e tij si pasues të Luis Suarez te Barça dhe drejtuesit e klubit janë të gatshëm t’i plotësojnë dëshirën, pasi synojnë të paguajnë klauzolën prej 111 milionë eurosh që ka në kontratë Lautaro.

Megjithatë Administratori zikaltër Giuseppe Marotta deklaroi se sulmuesi argjentinas do të rinovojë së shpejti kontratën me Interin dhe se në Milano nuk kanë ndërmend ta lënë të largohet.

“Lautaro është pasuri për ne dhe duke qenë se Interi synon të arrijë majat e futbollit, nuk mund të shesë më të mirët. Ne jemi të qenë sa i përket rinovimit, pasi e dimë që djaloshi ka respekt për skuadrën dhe ata që e kanë sjellë këtu, ndaj nuk parashikoj probleme në këtë aspekt”, deklaroi Marotta.

Më pas administratori i skuadrës zikaltër theksoi se objektivi i Contes për këtë sezon nuk është të fitojë trofe, por të vlerësojë sa më shumë organikën, gjë të cilën deri tani ai po e bën mjaft mirë.