Duhet të ishte lojtari që do të shtonte cilësinë te Interi, por Radja Nainggolan është shndërruar në një telash më shumë për zikaltrit, që kur ka ardhur në verë nga Roma.
Mesfushori belg ka vuajtur një sërë dëmtimesh, të cilat e kanë mbajtur jashtë fushave të lojës në shumë takime dhe dje ndaj Chievos u rikthye të luajë nga fillimi, por tashmë doli në pah një tjetër problem.
Nainggolan u paraqit me vonesë në stërvitjen e sotme, veprim ky që e ka kryer shumë herë këtë sezon dhe detyroi drejtuesit e klubit që të reagojnë dhe të marrin masat, duke e pezulluar dhe gjobitur.
Kështu Nainggolan nuk do të grumbullohet për ndeshjen e të mërkurës në mbrëmje, që Interi do të luajë përballë Napolit në “San Siro”, ndërsa pritet të paguajë edhe një gjobë të majme për papërgjegjshmërinë e tij, por edhe të përballet me një pezullim më të rëndë.
Mesa duket belgu nuk është më i përkëdheluri i Spallettit dhe sot është ndjerë menjëherë dora e Marottës te Interi, pasi Nainggolan do të duhet të respektojë rregullat si të gjithë futbollistët e tjerë zikaltër.