Ishte hera e parë si ish e Beppe Marotta në stadiumin “Allianz”. Në fakt, drejtori i Interit është kthyer në shtëpinë e tij të vjetër si Këshilltar Federal i FIGC. Në pushimin mes takimit, Marotta u takua me gazetarët për të shqyrtuar çështje të nxehta zikaltër. Duke filluar, natyrisht, nga eliminimi i freskët prej “Europa League”:
“Ka hidhërim për këtë disfatë, që nuk justifikohet me alibinë e mungesës së lojtarëve, edhe pse në realitet mungonin 9 të tillë. Dhe nuk është pak për një grup prej 23 lojtarësh. Humbje që dhemb, por nga e cila duhet të nxjerrim mësime. Mësim është që të shikojmë në të ardhmen dhe e ardhmja quhet Milani. Eshtë edhe më e nevojshme të nxitet ndjenja e krenarisë dhe përkatësisë. Këto janë elementë të domosdoshëm për të arritur fitoren dhe vendin e katërt”.
Pra, drejtori zikaltër kërkon të shihet nga e ardhmja. Objektivi sezonal është i qartë, edhe pse për Interin nuk do të jetë e lehtë: “E konsideroj Interin ende në një fazë të rritjes. Me siguri, objektivi i këtij sezoni duhet të jetë vetëm vendi i katërt. Nuk është e lehtë për ta arritur atë, sepse ka konkurrentë të nivelit të lartë, por ne jemi absolutisht në gjendje ta bëjmë këtë. Derbi do të jetë një sfidë e rëndësishme, por jo vendimtare. Ta shohim këtë ndeshje si mundësi për të demonstruar cilësitë që kemi”.
Së fundi, dy fjalë edhe për çështjen “Icardi”. Ish-kapiteni zikaltër është ende larg skuadrës: “Nuk ka asgjë të re. Ne dimë gjithçka për këtë rast, nuk duhet të shtoj asgjë tjetër. Jam gjithmonë optimist, gjithmonë mendoj se ndjenja e mirë mbizotëron dhe rrjedhimisht mund të arrijmë të jemi të kënaqur më vonë”.