Marota përgatit ofertë për Dibalën

Nëse pak javë më parë, rinovimi i Ikardit ishte prioritet i drejtuesve të Interit, gjërat duket se kanë ndryshuar dhe me deklaratat e fundit të Uanda Narës dhe me situatën e krijuar, drejtuesit shpresojnë që ta shesin sa më shpejtë për një shumë të konsiderueshme.

Kështu, administratori i deleguar, Bepe Marota u ka premtuar drejtuesve se shumë shpejtë do të gjejë pasuesin e Ikardit nëse ky i fundit shitet. Ai ka hedhur sytë nga ish-skuadra e tij dhe po përgatit një ofertë të majme për të siguruar shërbimet e yllit argjentinas, Paolo Dibala. ‘Tuttosport’ raporton se Interi është skuadra e fundit që ka hyrë në garë për shërbimet e tij, pasi të interesuara janë edhe PSG e Bajern Mynih.

Drejtuesit e Juventusit, janë të gatshëm që ta shesin Dibalën, nëse në zyrat e tyre mbërrin një ofertë që kap vlerën e 120-130 milionë eurove, shumë të cilën Interi mund ta ofrojë në rast se shet Ikardin në një skuadër tjetër. Real Madridi, duket se është pas dere duke pritur për shërbimet e Ikardit dhe kjo merkato, pritet të jetë e nxehtë në shtëpinë zikaltër, si në hyrje, ashtu edhe në dalje.