Në një deklaratë nga Observatori Kombëtar i Zhvillimit Njerëzor në Marok thuhet se 40 për qind e fëmijëve të cilët jetojnë në këtë vend po vuajnë nga “varfëria shumëdimensionale”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytetin Rabat nga Observatori Kombëtar i Zhvillimit Njerëzor u prezantuan rezultatet e një studimi të përbashkët me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Në studimin e realizuar për fëmijët janë përfshirë fëmijët deri në moshën 17 vjeçare, duke u bazuar në kriteret e shëndetësisë, ushqimit, arsimimit, qasjes në ujë, vendbanimit, sigurisë shëndetësore dhe komunikimit.
Fëmijët të cilët nuk kanë qasje në të paktën 2 prej kritereve të cilat janë baza e studimit, vlerësohet se janë “në varfëri shumëdimensionale”.
Sipas hulumtimit, 39,7 për qind e fëmijëve marokenë vuajnë nga varfëria shumëdimensionale dhe se 68,7 për qind të këtyre përbëhen nga fëmijët të cilët jetojnë nëpër fshatra.
Gjithashtu thuhet se gjatë 30 viteve të fundit në Marok është arritur në zhvillime të rëndësishme sidomos në fushat si shëndeti e fëmijës dhe nënës, arsimimi, zhvillimi dhe mbrojtja e fëmijëve.