Shkup, 21 dhjetor – Në gjysmën e parë të muajit dhjetor të këtij viti, autoritet përkatëse shtetërore që angazhohen të luftojnë krimin e organizuar, kanë konfiskuar rreth 90 kilogramë lëndë narkotike marihuanë, shkruan gazeta KOHA. Krahas Drejtorisë së Doganave, e cila gjatë kontrollove rutinore ka zbuluar më shumë raste të tentimeve për të futur apo nxjerrë drogë nga vendi, edhe Ministria e Punëve të Brendshme nga publikimi i raporteve ditore ka njoftuar se në periudhën e fundit janë shtuar paditë penale që lidhen më shitjen e lëndëve narkotike. Ndonëse në aksionin policor “Rrjeti”, të cilin MPB e realizoi në gusht të këtij viti, u arrestuan mbi pesë persona, të akuzuar për lëshim në përdorim të substancave dhe lëndëve narkotike, nga Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër njoftojnë se më 19 dhjetor kanë ngritur një padi penale kundër 23 vjeçarit A.A. Për dallim nga “kolegët” e tij, qytetari i Manastirit, gjatë periudhës së sezonit turistik këtë vit, në Ohër ka shitur lëndë narkotike të llojit heroin. ”Me 17 dhjetor të këtij viti në shtëpinë përkohshme të të dyshuarit në Ohër, është kryer bastisje nga ana e nëpunësve policor, ku është gjetur një qese e fshehur në saksi të lules, në të cilën ka pasur një sasi të të “heroinit dhe një foli të aluminit ku ka pasur gjurmë të kësaj droge. Lëndët e konfiskuara nga bastisja i kemi dërguar për ekspertizë në MPB në Shkup, ku kanë konstatuar se bëhet fjalë për substanca narkotike të heroinës në sasi me prej gjithsej 12.67 gram”, kanë njoftuar nga MPB. Nga ana tjetër, Shërbimet e doganave të Maqedonisë, bashkërisht me policinë vendase kanë njoftuar se në gjashtë raste të ndryshme kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme të drogës. Prej këtyre rasteve, ku dogana ka zbuluar trafikimi të drogës, mund të veçohet pika kufitare në Bllacë. Duke ju referuar të dhënave të Drejtorisë së doganave, në këtë vend kalim kufitar, inspektorët, në fillim të këtij muaji, në një automjet me targa të Suedisë, kanë zbuluar 32.5 kilogram marihuanë. Në përshkrimin e rastit nga Doganat e Maqedonisë, thuhet se këtë sasi jo të zakonshme të konfiskimit të substancave narkotike në vend, e ka nuhatur një qen i trajtuar nga policia enkas për këto raste. Me qëllim të mbulimit të shpërndarjes së erës që vjen nga bima e marihuanës, Shërbimet doganorë thonë se shtetasi i Sudisë, mbi 61 pakot e paketuara me drogë, kishte hedhur oriz dhe kafe, në ndërkohë bunkeri ku është gjetur kjo sasi e lëndëve narkotike ka qenë e stërpikur me lëng ende të pa identifikuar. Pas arrestimit të personit që e ka drejtuar makinën, i njëjti ka pranuar se ka pasur marrëveshja me disa shtetas të Shqipërisë, që droga në vlerë prej 10 mijë euro nga Tirana të transportohet për në qytetin suedez Malme, kurse organet përkatëse të Maqedonisë kanë konstatuar se vlera e kësaj drogë ne tregun e zi të Evropës Perëndimorë, do të arrinte deri në 100 mijë euro. Rasti tjetër i zbulimit të sasisë së madhe të drogës së llojit të marihuanës, gjatë një kontrolli të policisë, e cila pas ndalimit të dy veturave me targa të Shqipërisë, në njërën prej tyre ka zbuluar rreth 15 kilogram drogë. Ndryshe, rasti më i pazakontë deri më sot ka ndodhur javën e kaluar, në afërsi të fshatit Bogorodica, në kufi me Greqinë. Të dhënat e MPB lidhur me këtë ndodhi thonë se nga patrullimi i zakontë i ushtarëve drejt vijës kufitare Maqedoni – Greqi, kanë vërejtur se si dy persona të dyshimtë në mënyrë ilegale e kalojnë kufirin. Pas vërtetimit se të njëjtit janë futur në territorin e Maqedonisë, patrulla ushtarake, siç njoftojnë nga polica, ata i kanë hedhur dy çantat e tyre edhe janë larguar me vrap. Në të dyja këto çanta, pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se bëhet fjalë për tentim të trafikimit të lëndëve narkotike, në të cilët ka pasur 14 pako me marihunë, të cilët në tërësi kanë arritur 14.5 kilogram. (O.XH)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.