Shkup, 25 shtator – Politika duhet të jetë sa më larg zgjedhjes së prokurorëve, deklaroi sot ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, duke u përgjigjur pyetjes së një një gazetari në lidhje me kërkesën e opozitës që prokurori publik të zgjedhet me propozimin e tyre.
“Parimi ynë është që politika të jetë sa më larg zgjedhjes së prokurorëve dhe këtë e kemi përcaktuar në Ligjin për Prokurori publike. Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut zgjedhet në përputhje me procedurën në Kushtetutë. Kjo procedurë përcakton që Qeveria propozon prokurorin publik dhe se Kuvendi e zgjedh atë me shumicë absolute, kështu që për ta ndryshuar atë, duhet të ndryshohet Kushtetuta. Mendoj se tani nuk është koha për këtë. Mendoj se kemi një prokuror publik profesional të shtetit që bën punën e tij në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale”, tha Mariçiq në një konferencë shtypi në Qeveri.
Opozita, theksoi ai, do të ketë mundësinë të marrë pjesë në këto ligje, por edhe në përgjithësi në politikat anti-korrupsion nëse dëshiron dhe nëse ky është qëllimi i saj, por politikanët nuk duhet të zgjedhin prokurorë me marrëveshje politike dhe ne besojmë se kjo është një thirrje për përforcimin e gjyqësorit.
“Nuk besojmë se zgjedhja e një prokurori me marrëveshje politike është mënyrë e mirë. Patëm një përvojë disa vjet më parë me PSP, e cila më vonë u kritikua nga opozita”, tha Mariçiq.
Ministri i Drejtësisë shtoi se zgjedhja e një prokurori me propozimin e opozitës ishte ideja e tyre e vjetër e promovuar disa vjet më parë, por vuri në dukje se, për fat të keq, opozita kishte një qëndrim jokonstruktiv ndaj bashkëpunimit në proceset kryesore në vitet e fundit.
“Edhe në një moment ata hoqën dorë nga ajo ide dhe ne patëm mundësinë kur u krijua Ligji për Prokurorinë publike për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për prokurorin për korrupsion të lartë dhe krim të organizuar, por edhe atëherë nuk u pajtuam”, tha Ministri i Drejtësisë Mariçiq në konferencën e përbashkët për shtyp me Lupço Nikollovskin, zëvendëskryeministër për korrupsionin.