Shkup, 30 korrik – Do të ketë ndryshime në tekstin e Kodit zgjedhor, do të ketë edhe përmirësime. Në parim është arritur pajtim midis katër partive të mëdha në cilin drejtim të shkohet dhe pres menjëherë pas pushimeve, nga mesi i gushtit, ky ligj të votohet në Kuvend, tha sot ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
“Kodi zgjedhor është i komplikuar për t’u sjellë dhe gjithmonë e kemi sjellë me konsensus. Në këtë moment akoma është duke u punuar në këtë tekst. Ekziston propozim në Kuvend i nënshkruar prej disa deputetëve koordinatorë të katër partive më të mëdha, por atë që mund ta them është se kjo nuk do të thotë se në këtë formë përfundimisht do të sillet. Ka kohë akoma, edhe pse jo shumë, por besoj se pas pushimeve do të sillet”, tha Mariçiq në pjesëmarrjen në televizionin Kanal 5.
Ministri theksoi se ideja është në ligj të implementohen të gjitha rekomandimet e OSBE dhe ODIHR të cilat janë të nevojshme dhe të bëhen përmirësime të procesit, në interes të demokracisë së zgjedhjeve, dhe pjesëmarrjes më të madhe të qytetarëve.
Ndaj vërejtjeve të partisë E Majta, pse për këtë ligj dakordohen vetëm partitë më të mëdha dhe jo edhe më të voglat, Mariçiqi tha se zakonisht Kodi zgjedhor deri më tani është dakorduar pikërisht midis katër partive më të mëdha të cilat kanë anëtarë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
“Kësaj radhe pati grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, i cili bëri tekst kryesor, më pas katër partitë më të mëdha e shqyrtuan dhe i dhanë vërejtjet e veta. E ndryshuan tekstin dhe më pas teksti u konsultua për herë të parë në mënyrën më inkluzive të mundshme me partitë më të vogla në Kuvend, të cilat nuk kanë grup deputetësh, në mesin e së cilave edhe partia e E Majta”, tha Mariçiq.
Ministri nënvizoi se lidhur me Kodin zgjedhor edhe OSBE-ja edhe kryetari e kanë shprehur mendimin e tyre, por siç tha, më mirë është të pritet që të shohim në cilën formë do të sillet ligji dhe me cilat vendime, që të mundemi më pas të komentohen procedurat e mëtejme.
Ai përmendi se konsultimet vijojnë vazhdimisht, gjegjësisht tema është hapur disa muaj me radhë.