Legjenda e Argjentinës, Diego Maradona, i ka kërkuar ndjesë FIFA-s, për deklaratën e tij se fitorja e Anglisë ndaj Kolumbisë në 1/8-t e finaleve të “Rusi 2018”, ishte një vjedhje historike. Maradona akuzoi gjyqtarin amerikan Mark Geiger se favorizoi Anglinë, teksa qeveria drejtuese e futbollit botëror u shpreh se të tilla fjalë ishin të papranueshme dhe pa baza vërtetësie. Gjithsesi, pas 48 orësh, Maradona tërheq akuzat duke thënë. “E pranoj se disa nga gjërat që thashë janë të papranueshme. Unë respektoj maksimalisht punën e vështirë të FIFA-s dhe gjyqtarëve. Një Zotëri i vërtetë është ai që pranon gabimin dhe ky është rasti im për ato që thashë. Mendoj se gjyqtari Geiger gaboi si çdo njeri, por dua të jem i qartë dhe nuk kam asnjë dyshim në lidhje me dashamirësinë e tij. I kërkoj ndjesë atyre që e kanë ndjerë veten të fyer nga fjalët e mia dhe i uroj punë të mbarë”, deklaroi Maradona. Maradona u pa gjatë ndeshjes me fanellën e Kolumbisë të veshur, ndërsa FIFA, pas deklaratave të tij tha: “Na vjen shumë keq që një njeri që ka shkruar historinë e këtij sporti, flet në të tillë mënyrë”, thanë nga FIFA. Megjithatë, duket se tani është kthyer paqja. Maradona dhe FIFA kanë pasur relacione shumë të mira që kur Infantino mori vendin e Blatter si president.