Maradona një shembull, gati të sakrifikojë pagën për të ndihmuar klubin e tij

26

Futbolli është ndalur thuajse në çdo vend të botës dhe debate për ndërprerjen e pagave të futbollistëve po bëhet gjithnjë e më i madh, ndonëse disa klube e kanë pasur më të lehtë sepse kanë arritur akordin vetë me futbollistët që kanë pasur në organikë.

Por së fundi në këtë drejtim ka dhënë shembullin e tij të mirë edhe legjenda argjentinase Diego Armando Maradona, i cili drejton klubin e Gimnasia la Platas dhe është shprehur u gatshëm të ulë apo të lërë pa marrë disa paga, nëse është e nevojshme.

Lajmin e ka zbuluar vetë presidenti i klubit, Gabriel Pellegrino, i cili në një intervistë për mediat vendase deklaroi se El Pibe D’Oro e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se mund të rinegocionin marrëveshjen, nëse do të ishte e nevojshme.

“Ishte i pari që më telefonoi dhe më tha se ishte i gatshëm të rinegocionte marrëveshjen, nëse do të ishte e nevojshme ta bënim këtë. Po flasim për një person që nuk mendon për paratë, apo deri në fund të muajit, por mendon si të kontribuojë që Gimnasia të dalë me sa më pak dëme nga kjo situatë”, deklaroi Pellegrino.

Në Argjentinë po punohet edhe për ndërprerjen e pagave të futbollistëve, për t’u ardhur në ndihmë klubeve, por presidenti i Gimnasias e pranoi se shumë futbollistë të rinj e kanë të vështirë të pranojnë, pasi nuk kanë aq shumë para.

“Mendoj se për shumë futbollistë është e vështirë që të pranojnë ndërprerjen e pagës për dy apo më shumë muaj, pasi nuk kanë fituar aq shumë në karrierë. Ndoshta do të ishte mirë që futbollistët që kanë fituar me thes, të mbledhin një fond solidariteti për këtë situatë dhe të ndihmojnë veçanërisht futbollistët në ligat e ulëta”, tha Pellegrino, duke iu referuar edhe fjalëve të Carlos Tevez, se emra të caktuar mund të jetojnë edhe një vit pa e marrë pagën.

Comments are closed.