Diego Armando Maradona vazhdon të tregojë se po kalon një periudhë shumë të paqëndrueshme të jetës së tij. Ish-legjenda e futbollit argjentinas u mërzit shumë shpejt me postin e presidentit të skuadrës së Dinamo Brest në Bjellorusi, dhe i është kthyer përsëri jetës si trajner, duke firmosur në Meksikë.
Maradona do të jetë trajneri i ri i klubit Dorados de Sinaloa, një skuadër e cila u bë e njohur falë Pep Guardiolës. Një fundin e karrierës së tij, spanjolli shkoi në Meksikë për të luajtur disa muaj në radhët e këtij klubi të krijuar vetëm në vitin 2004. Për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, aty ai filloi të shërbente më shumë si ndihmëstrajner, në 6 muajt që qëndroi në Meksikë dhe shpeshherë ka deklaruar se ajo ishte periudha që e ndihmoi më shumë në profesionin e trajnerit.
Afrimi i një lojtari me emër në një klub të tillë, në një qytet që njihet më shumë për kartelet e rrezikshme të drogës, solli popullaritet për klubin dhe kampionatin meksikan në atë vit. Me siguri, klubi tani do të ketë më shumë, pasi Maradona tërheq vëmendjen e mediave kudo që shkon, gjithmonë nëse aventura zgjat për shumë kohë…